Një qershor të mbushur me emocione, kujtime të ëmbla fëmijërie dhe tinguj të muzikës që vijnë nga zemra, Ori vjen në kopertinën e qershorit për të ndarë me lexuesit një pjesë të shpirtit të saj. Një bisedë e sinqertë, e gjallë dhe e ndjerë, ku këngëtarja rrëfen për këngën e saj të re që mbart një mesazh të fuqishëm, për kontrastin mes saj në skenë dhe në përditshmëri, për kujtimet e 1 Qershorit që i sjellin buzëqeshje dhe mall njëkohësisht, si dhe për dashurinë ndaj artit në çdo formë të tij. Në këtë intervistë, Ori nuk është vetëm artistja e skenës, por edhe gruaja që di të gëzojë jetën, të dhurojë dashuri dhe të ruajë lidhjet e ngrohta familjare. Qershori për të është një ndjenjë, një gjendje zemre, një muaj i shenjtë ku festohet jeta, arti dhe dashuria.

– Ori, kemi dëgjuar shumë për një këngë të re që pritet të dalë së shpejti. Çfarë historie fshihet pas saj?
– Është një baladë që e kam shkruar vetë. I përket një realiteti të dhimbshëm. Një mesazh për të gjitha femrat, por edhe për meshkujt se si ndonjëherë trajtohen femrat dhe sa rëndësi ka të jemi të vetëdijshëm për këtë.

– A ka një moment apo frazë të veçantë në këtë këngë që është si një “mesazh kod” për dikë?
– Po, është një kod për dikë. Ka një frazë në tekst që mbart atë mesazh, por le të mbetet një surprizë për publikun.

– Stili yt në skenë është gjithmonë i veçantë. Sa e ndërthur me atë që je në jetën reale?
– Në skenë jam krejt ndryshe nga çfarë jam në jetën e përditshme. Për shembull, në përditshmëri vishem shumë sportive, kapele, brezore…(Buzëqesh)

– Nëse do ta përshkruaje performancën tënde live me tre fjalë, cilat do të ishin?
– POWER!(FUQI) Sa dëgjoj muzikë, reagoj menjëherë duke kërcyer. Jam shumë energjike dhe aktive në skenë.

– Çfarë ke ruajtur nga 1 Qershori i fëmijërisë? E dimë që ky muaj ka një rëndësi të veçantë për ty. Na trego më shumë…
– Më 1 qershor vishnim gjithmonë çorape të bardha, sandale dhe fund. Bënim koncerte. Prindërit na çonin në qendër, zakonisht rreth orës 4 pasdite. Ishte vapë dhe gjithmonë zgjidhja qershitë! Kujtoj gërshetat që m’i bënte mami dhe si e laja fundin fshehurazi, kur e bëja pis, që të mos më zinte në faj.Qershori më rikthen gjithmonë në fëmijëri. Për mua është edhe muaji i ditëlindjeve, kam ditëlindjen e vajzës sime, timen dhe të vëllait. E pres me shumë padurim, sepse e kanë të dy në të njëjtën datë. Dy gëzime në një ditë! Jo më kot edhe këtë intervistë po e realizoj në qershor që të mbetet si një kujtim i bukur. Çdo 1 qershor ka qenë një festë e veçantë për ne si familje.Me vajzat kemi festuar gjithmonë, shpesh duke organizuar pushime 2-3 ditore familjare. Duke qenë se ne kemi jetuar në Greqi, organizonim festa të paharrueshme, gjithmonë në vende të ndryshme. Një herë festonim në vende ku kishte kuaj, sepse i kanë dashur shumë ndërsa herë të tjera kemi festuar në vende të bukura liqene dhe pyje, ambjente me lojëra të bukura dhe natyrale, sepse të gjithë si familje e duam natyrën, lulet dhe gjelbërimin.Kemi kaluar 1 qershorë të paharrueshme. Tani që vajzat janë rritur, i kujtojmë me shumë nostalgji.(Buzëqesh) Mundohem t’i plotësoj dëshirat vetes, pavarësisht nëse kanë një kosto. Dua ta simbolizoj qershorin si një muaj shumë pozitiv. Muaji i qershive! I adhuroj qershitë këtë periudhë mund të ha një arkë çdo natë! Sivjet nuk kanë dalë ende, nuk e di pse…(Buzëqesh)

– Çfarë ka ndryshuar në mënyrën si e sheh sot suksesin dhe famën, krahasuar me fillesat e tua?
– Sot i shoh gjërat me më shumë përmbajtje dhe përgjegjësi. Nuk është thjesht të jesh në qendër të vëmendjes, por të kesh një ndikim të mirë mbi të tjerët.

– Po të mos ishe këngëtare, në një univers paralel, me çfarë do të merreshe?
– Pa dyshim do të isha sërish në art. Mund të ishte fotografia, kërcimi, aktrimi, estetika… ose pse jo, edhe gatimi sepse edhe ai është një formë arti.

Fun Corner me Orin (Kthejmë dritën nga skena)

– Nëse do të ishe një aromë parfumi, cila do të ishte?
– Një aromë që po e përdor shpesh këto kohë, më përshtatet shumë!

– Të zgjohesh herët apo të këndosh gjithë natën?
– Ngaqë e kam me pasion këngën, nuk po bëj më gjumë të qetë dhe nuk zgjohem dot herët. Dikur bëja 10–11 orë gjumë! Por trupi ndryshon dhe tashmë puna që kam nuk ma lejon. Nëse do të kisha një stil tjetër jete, gjumi do të ishte përparësi.

– Cila është fjala që thua më shpesh kur je nervoze?
– Kam shumë! Por shpesh them “Allahu është i Madh”.

– Ushqimi që të shpëton humorin?
– Çokollata! Por gjithçka varet nga situata…

– Në çfarë situate do të doje të bëje një “mic drop” në jetën reale?
– S’do e bëja kurrë! Kur i nis gjërat, i çoj gjithmonë deri në fund.

– Kë do të doje të kishe në backstage me ty në një koncert të madh?
– Shumë! Jam më shumë për shqiptarët. P.sh. Rati. Por gjithashtu jam shumë e pasionuar pas Eli Malajt dhe Teuta Selimit, interpretimi i tyre më ngjan shumë me stilin tim. Edhe Alban Skënderaj e Miriam Cani, padyshim!

– Një urim, një këshillë?
– Ju uroj të gjithëve një verë sa më të mbarë dhe të gëzueshme! Uroj që fëmijët të jenë pranë prindërve të tyre dhe anasjelltas, s’ka rëndësi sa të rritur janë. Për prindërit, fëmijët janë gjithmonë fëmijë. Të duam njëri-tjetrin pa interes dhe të mos harrojmë të duam edhe veten.

– Një merak zemre?
– Uroj me gjithë zemër dy mbesat e mia për 1 Qershor! Janë shumë të edukara dhe të dashuruara me artin. Halla i do pa fund! Më mungojnë shumë dhe dua vetëm më të mirën për to.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here