Në Shqipëri po ndodh një odisé e çmendur në dhënie drejtësie. Mosha e krimeve të pagjykuara dhe të pandëshkuara nga drejtësia shqiptare po shkon pothuajse dyzetë vjet. Dhe nuk bëhet fjalë për krime ordinere, por nga ato krime shtetërore që janë ulëritëse, barbare dhe me pasoja tragjike. Me këto krime, si drejtësia, qoftë edhe kjo “e reja” që quhet SPAK, por edhe qeveritë e vendit, luajnë: njera poker dhe tjetra bën balet elektoral.
Drejtësia “e re” gjen kohë të merret me shoferët e dehur, qofshin edhe deputetë, apo me ndonjërin që ka falsifikuar notat e shkollës, por vijon të shtyjë për në kalendat greke superkrimet shtetërore të 21 janarit, Gërdecit, vrasjet tragjike të 97-tës, etj. Nga ana tjetër, qeveritë e vendit kujtohen të ngrenë tonet ndaj këtyre krimeve vetëm në fushatat zgjedhore, duke shtuar akuza ndaj kundërshtarit politik, zbukuruar metaforat e krahasimet, zgjedhur sarkazma sa më “therëse” dhe duke përdorur epitete deri edhe banale.
Por, menjëherë pas zgjedhjeve, “të përgjëruarit për drejtësi” i kanë kyçur të gjitha duke blinduar aleancën e tyre me krimin dhe duke konsumuar kështu pastërtisht aktin kriminal të një grushti shteti të drejtësisë. Pse? Sepse provat dhe faktet vërtetojnë plotësisht krimet e mësipërme, ndërsa gjykimi dhe dënimi i tyre zvarriten me dekada të tëra. Dhe, në këtë grusht shteti, qeveritë konsumojnë pjesën e tyre: pasi fitojnë pushtetin, i lënë në harresë krimet e kryera, edhe pse zgjedhësit iu japin mandatin legjislativ që të vënë në‘bigë” edhe organet e drejtësisë.
“Dosjet e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste” – thotë Berisha,në prag të fushatës elektorale “janë të mbushura me krime”. E thotë këtë një i akuzuar për mbi dyzetë krime nga më monstruozet, i cili duhet të ishte objekt, jo vetëm i drejtësisë shqiptare, por edhe i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Bën akuza të tilla njeriu i cili, jo vetëm se ndodhet nën akuzë dhe masa represive nga drejtësia, por edhe që pritet të gjykohet nga gjykata. Ai që nuk di vetëm të fshijë provat e krimit, por edhe t’i pohojë hapur me mburrje, me bajraktarizmin dhe despotizmin e tij. Ka mbrojtur publikisht krimin shtetëror të 21 janarit, ndërkohë që herë pas here ka pasuruar informacionin hetimor sesi do ta vazhdonte krimin e nisur, kë do ta vriste, sa do të vriste me dorën e tij, si do t’i vriste, armatimin që do të përdorte, etj.
Pra, Berisha si atavizëm njerëzor dhe politik, edhe pse jeton në shtëpinë e të mbyturve nga krimi dhe korrupsioni, vazhdon jo vetëm të përmëndi litarin, por edhe të kërkojë shpëtim te litari.
Po kështu, edhe Basha, me djallëzi, shoqëruar me humor bajat dhe cinik, si për të justifikuar se e ka rritur nivelin e dijeve aritmetike, nuk sqaron se simbolika e 7×7= 313 është një lloj karshillëku ndaj Ramës. Ndërkohë, qeveritë e Ramës nuk bënë asnjë denoncim për krimet makabre të kryera nga pushteti i Bashës. E shumta, i kanë dërguar thjesht kërcënim elektoral! Basha duhet ta dijë se në burgun 313 nuk shkon asnjeri vullnetarisht, kështuqë as Rama nuk besoj se është kaq trim të shkojë me dëshirë atje. Kur Basha e paska me aq endje ta shikojë kundërshtarin e tij politik në burgun 313, atëherë pse nuk i ka formuluar një akt-akuzë të argumentuar Ramës? Ndoshta në rastin konkret kur Basha i tund Ramës çelsat e burgut 313, kjo është thjesht një simbolikë dhe gjuhë e koduar mes tyre, jo më shumë për ndëshkim, por si një lloj flirti i maskuar për një aleancë pas zgjedhjeve në kushtet e një krize numurash.
Basha ka filluar të sofistikohet, ndryshe nuk duhet të jetë kaq i trashë të kërcënojë Ramën, kur ai vetë ka llogari të hapura me drejtësinë, kur meriton i pari atë burg, madje është shumë i vonuar për krimin e kryer më 21 janar, grabitjen e fondeve të Rrugës së Kombit, apo shitjen e hapësirës shqiptare kur ai ishte ministër.
Edhe SPAK duket se po konsumon vetveten, duke zhgënjyer me përbërjen e dyshimtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që funksionojnë si të deleguar politikë. SPAK bën mirë që kërkon liri veprimi, por harron se drejtësi dhe liri kërkojnë edhe viktimat e krimit. Madje vetë SPAK u krijua si një përjashtim dhe emergjencë kombëtare nga mungesa e pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion dhe krime. Është e papranueshme dhe krejtësisht kompromentuese për SPAK që, pas disa goditjeve të aferave korruptive, ka thuajse pesë vjet që ka lënë në harresë krimet më makabre që kanë nisur si korrupsion i politikanëve dhe kanë përfunduar në tragjedi e vrasje shtetërore. Loja që ka bërë SPAK dhe disa prokurorë të saj, duke u dorëhequr herë pas here nga çështje të tilla si 21 janari, Gërdeci e afera të tjera korruptive, është shqeto shprehje e aleancës me krimin. Sepse vonesat që pjellin “dorëheqjet” në dhënie drejtësie janë superkrim.
Superkrimet e pagjykuara dhe të pandëshkuara po dekompozohen dhe po infektojnë Shqipërinë dhe popullin e pafajshëm shqiptar, vrasin çdo ditë e më tepër ndërgjegjen, të drejtën dhe barazinë përpara ligjit. Janë pikërisht këto akrobaci qeveri-opozitë-drejtësi shkak kryesor që shqiptarët largohen nga Shqipëria.
Organet e vullnetit popullor që e kanë zgjedhur SPAK, nuk duhet të lejojnë akrobaci të tilla, dorëheqje maratonë alla shqiptarçe të prokurorëve nga çështje që kanë të bëjnë me krime me pasoja të përmasave tragjike. Në fund të fundit, është shteti mbi SPAK, nuk është SPAK mbi shtetin. Përndryshe, në Shqipëri “drejtësia” kryen grusht shteti dhe, në këtë krim, mbështetet nga vetë shteti. Drejtesia e vonuar eshte padrejtesi.