Anketa e fundvitit/ Si ishte për ju 2024 dhe çfarë prisni nga viti i ri 2025?
Silvana Rusi, këngëtare2024 ishte një vit i mbushur me projekte të rëndësishme dhe momente të veçanta në karrierën time artistike. Përveç kolazhit popullor që sapo kam sjellë në bashkëpunim me këngëtarin Adi Harizi, një tjetër projekt i veçantë që publiku mirëpriti ishte kënga “Goca e babës.” Ky projekt mbart një mesazh të ndjerë dhe shumë personal për mua, dhe jam e lumtur që arriti të prekë zemrat e publikut.
2024-a ishte gjithashtu një vit me shumë koncerte, ku pata mundësinë të ndaja energjinë dhe emocionet e muzikës me adhuruesit e mi, të cilëve u jam shumë mirënjohëse për mbështetjen e tyre të pandërprerë.
Nga 2025-a pres të vazhdoj me projekte të reja muzikore dhe të sjell këngë që i qëndrojnë besnike traditës sonë, duke ruajtur gjithmonë emocionin dhe lidhjen me publikun. Uroj një vit të ri të mbushur me shëndet, dashuri dhe suksese për të gjithë! Gëzuar festat e fundvitit!
Silvana Rusi: Një 2024 i bukur për një 2025 akoma më të bukur

