Anketa e fundvitit/ Si ishte për ju 2024 dhe çfarë prisni nga viti i ri 2025?
Ori, këngëtare
2024 ishte një vit plot ulje-ngritje, sidomos në aspektin emocional. Ishte një periudhë sfidash personale që më testuan, por njëkohësisht më mësuan shumë për forcën dhe qëndrueshmërinë time. Përmes këtyre përvojave, kam arritur të gjej një balancë dhe sot ndihem më e fortë se kurrë. Muzika ka qenë gjithmonë strehëza ime, dhe performancat live në Londër gjatë këtij viti më kanë dhënë energjinë dhe motivimin që më duhej për të vazhduar përpara.
Gjithashtu, kam punuar shumë për projektet e mia muzikore. Kam këngë të reja që mezi pres t’i publikoj dhe klipe që shpresoj t’i sjellin diçka unike audiencës sime. Ky proces krijimi më ka ndihmuar të shërohem dhe të shpreh ndjenjat e mia më të thella përmes artit.
Për vitin 2025, pres një fillim të ri, një vit plot energji pozitive dhe suksese. Dua që muzika ime të jetë një urë lidhëse me të gjithë ata që ndihen të sfiduar nga jeta, për t’u treguar se gjithmonë ka dritë në fund të tunelit. Jam e gatshme të përqafoj çdo mundësi që vjen dhe të krijoj më shumë momente të paharrueshme, në skenë dhe jashtë saj. Uroj që ky vit i ri të jetë i mbushur me dashuri, forcë dhe realizimin e ëndrrave për të gjithë ne!
Advertisement