Syarta është një zë unik, jo vetëm në muzikë, por edhe në mënyrën se si përjeton dhe shpreh botën. Përmes pyetësorit të famshëm të Prustit, ajo na fton të zbulojmë disa nga mendimet, ndjenjat dhe frymëzimet që qëndrojnë pas krijimtarisë së saj. Nga dashuria për familjen, te pasioni për muzikën dhe ëndrrat që ajo ka, përgjigjet e Syartës pasqyrojnë një shpirt të sinqertë dhe artistik.
Cila është ideja jote për lumturinë e përkryer?
Të jetoj një jetë të mbushur me dashuri, muzikë dhe njerëz që më kuptojnë e mbështesin.
Cila është frika jote më e madhe?
Të humbas njerëzit që dua më shumë.
Cilin person të gjallë e admiron më së shumti?
Nënën time. Forca dhe përkushtimi i saj janë frymëzuese të jashtëzakonshme.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshiroje të identifikoheshe?
Edith Piaf. Një ikonë e pasionit dhe përkushtimit ndaj muzikës.
Cila është ajo gjë që nuk e pëlqen tek vetja?
Prirja për të menduar tepër gjatë për vendime të vogla.
Po gjënë që nuk pëlqen tek të tjerët?
Hipokrizia.
Në cilat gjëra e tepron?
Ndoshta me kohën që shpenzoj duke analizuar çdo detaj në këngët e mia.
Çfarë do të shtynte të gënjeje?
Vetëm për të mbrojtur dikë që dua.
Cili është udhëtimi yt i preferuar?
Një udhëtim spontan me makinë përgjatë bregdetit.
Cilën fjalë apo frazë e përdor më së shpeshti?
“Gjithçka ndodh për një arsye.”
Për çfarë nga gjërat që të ndodhur të ka ardhur më së shumti keq apo je penduar që e keni bërë?
Që ndonjëherë kam dyshuar tek vetja në momente kyçe; s’duhet ta kisha bërë.
Çfarë ose kush është dashuria jote më e madhe e jetës?
Familja dhe muzika, padyshim.
Cila është gjendja momentale sentimentale jotja?
E qetë, e lumtur, me një dashuri të bukur në krah dhe e fokusuar në rritjen time personale.
Nëse do të kishe mundësinë të ndryshoje vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të doja të isha më pak e ndrojtur në disa situata.
Çfarë do konsideroje arritjen tënde më të madhe?
Publikimi i albumit tim të parë, në një të ardhme të afërt, mendoj.
Nëse do të mund të ktheje kohën, çfarë do të ndryshoje?
Do të shijoja më shumë momentet e thjeshta dhe të vogla në fillimet e mia.
Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedon?
Një varëse që më ka dhuruar gjyshja.
Çfarë konsideron si mjerimin më të madh?
Të jetosh pa dashuri dhe pa qëllim.
Ku do të dëshiroje të jetoje?
Në një shtëpi të vogël pranë një liqeni.
Cila është cilësia jote më e veçantë?
Aftësia për të ndjerë thellë emocionet dhe për t’i përçuar ato përmes muzikës.
Çfarë vlerëson tek një burrë?
Sinqeritetin dhe ndershmërinë.
Çfarë vlerëson tek një grua?
Forcën dhe empatinë.
Cili është shkrimtari yt i preferuar?
Pablo Neruda. Poezitë e tij më prekin thellë.
Cilët janë heronjtë e tu në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi dhe njerëzit që guxojnë të ndjekin ëndrrat e tyre.
Cilin talent do të dëshiroje të kishe?
Të dija të pikturoja.
Cila është motoja jote?
“Gjithçka fillon me një ëndërr, por realizohet me punë dhe përkushtim.”