Në një event festiv të organizuar nga minibashkia e Walthamstow, Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla patën mundësinë të takojnë përfaqësues të komuniteteve të huaja që jetojnë në Londër. Aktiviteti kishte në fokus diversitetin kulturor, dhe ndër përfaqësimet që spikatën ishte ai i komunitetit shqiptar, i kuruar në mënyrë të përkryer nga Juliana Shalla, një shqiptare që prej nëntë vitesh jeton në kryeqytetin britanik.
“U ndjeva shumë krenare që do të kisha mundësinë të tregoja kulturën dhe traditat shqiptare përballë Mbretit dhe Mbretëreshës. Për një moment nuk ju besova syve kur pashë ftesën. Ky event ka një rëndësi të madhe për mua, por gjithashtu edhe për komunitetin shqiptar në Angli dhe për Shqipërinë,” tha Juliana Shalla në një intervistë të sajën.
Angazhimi i saj dhe përfshirja në promovimin e kulturës shqiptare janë të dukshme ndër vite. Juliana ka marrë pjesë në shumë aktivitete ku është fokusuar në krijimin e urave lidhëse mes komuniteteve dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në Britani. “Kjo pjesëmarrje është rezultat i mbështetjes që kemi marrë nga kryetarja e minibashkisë, e cila, pas pjesëmarrjes në festën e Pavarësisë së Shqipërisë, shprehu dëshirën për të qenë gjithmonë e pranishme në festimet tona dhe për të bashkëpunuar me komunitetin shqiptar,” shtoi ajo.
Julianës iu caktua nga komuna të merrte dy anëtare nga komuniteti shqiptar dhe ajo përzgjodhi të kishte Entelën dhe Kamelën të cilat përfaqësuan me veshjet e tyre Çermenikën dhe Shqipërinë e mesme!
Anëtarët e komunitetit shqiptar, të veshur me kostume tradicionale kombëtare, paraqitën një imazh dinjitoz të kulturës shqiptare. Veshjet e tyre, të lidhura simbolikisht me festën e Pavarësisë më 28 nëntor, tërhoqën vëmendjen dhe lanë mbresa pozitive te zyrtarët lokalë, përfshirë Mbretin Charles III. Gjatë ndalesës së tij te stenda shqiptare, Mbreti tregoi interes për trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe traditave në diasporë.
Pjesëmarrja në këtë event ishte një tjetër hap përpara për komunitetin shqiptar në Londër, i cili u ftua sërish për të marrë pjesë në një tjetër event multikulturor ndërkombëtar. Aktiviteti shërbeu si një shembull i shkëlqyer i integrimit dhe prezantimit të identitetit kombëtar në një shoqëri multikulturore.
Juliana Shalla, si përfaqësuese e komunitetit shqiptar, shpreh emocionet e saj për këtë eksperiencë dhe thekson përkushtimin e vazhdueshëm për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqiptare si një urë lidhëse mes brezave të rinj dhe origjinës së tyre. “Ne jemi tashmë kudo të pranishëm dhe kemi shumë për të ofruar. Kultura jonë është një pasuri që duhet ta ndajmë me botën.”
Ky event shënon një tjetër moment të rëndësishëm për shqiptarët në diasporë, duke nxjerrë në pah vlerat e tyre kulturore dhe potencialin për të krijuar lidhje të forta me komunitete dhe institucione ndërkombëtare.