Greta Shaho, këngëtarja e talentuar që ka prekur zemrat e publikut me zërin e saj të veçantë dhe emocionet që sjell në çdo këngë, vjen këtë herë me një projekt të ri që tregon një histori dashurie të ndjerë. Përveç karrierës së saj muzikore, ajo ndan me ne edhe eksperiencat e saj të paharrueshme me Ansamblin Teuta, i cili ka fituar çmime të rëndësishme në skenën ndërkombëtare.
-Na trego pak për këngën tënde të re “Falma at dashni”. Cila është historia pas saj?
-Kënga ime e re titullohet “Falma at dashni” dhe është një dedikim për një histori dashurie të ndjerë e delikate, ku dy të dashuruar flasin vetëm me sy. Vajza bën thirrje: “Falma atë dashni, se po digjet shpirti im, falma atë dashni, se nga kjo zemër nuk del ti.” Është një rrëfim i thjeshtë, por i mbushur me emocione që prek çdo zemër. Tekstin e ka shkruar Donika Lela, muzika është e Fatmir Lelës, orkestrimi nga Klodi i Alidemit dhe ton masteri nga Endri Muçaj. Gjithë ekipi ka punuar me shumë dashuri për këtë projekt. Kënga e re do të finalizohet në Angli!-Si lindi ideja për këtë këngë dhe çfarë do të doje që publiku të ndjejë kur e dëgjon?
-Ideja lindi nga dëshira për të krijuar një këngë që tregon një histori të thjeshtë dashurie, por që përmban ndjenja të thella. Dua që publiku të ndjejë emocionet e asaj dashurie të ndaluar, të mbushur me mall dhe pasion. Nëpërmjet melodisë dhe fjalëve, shpresoj të prek shpirtin e tyre dhe t’i bëj të ndihen pjesë e kësaj historie.–Përveç projekteve individuale, ke pasur një eksperiencë të suksesshme me Ansamblin Teuta të Durrësit. Na trego më shumë për këtë bashkëpunim.
-Po, prej 6 vitesh jam pjesë e Ansamblit Teuta të Durrësit, një grup që kombinon talentin dhe përkushtimin për të promovuar kulturën tonë tradicionale. Deri tani kemi fituar 12 çmime dhe jemi bërë krenaria e artit folklorik shqiptar. Së fundmi, morëm pjesë në Festivalin e Artit Ballkanik në Karbonat, Bullgari, ku fituam një çmim special. Performova një potpuri dasmash nga Shqipëria e Mesme dhe ishte një emocion i veçantë të përfaqësoja traditat tona.-Cili është momenti më i paharrueshëm që ke përjetuar gjatë performancave me Ansamblin Teuta?
-Një nga momentet më të paharrueshme ka qenë pikërisht në Bullgari, kur publiku i huaj na duartrokiti pa ndalim pas përfundimit të potpurisë. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të shihje se si kultura jonë prek zemrat edhe përtej kufijve. Koreografi ynë, Agim Domi, dhe drejtori artistik, Miltiadh Driza, kanë luajtur një rol të madh në këto arritje, ndërsa përgjegjësi artistik, Gëzim Tola, na ka motivuar gjithmonë për të dhënë maksimumin.-Çfarë do të na zbuloje për planet e tua në të ardhmen? A do të kemi projekte të tjera muzikore apo performanca në ansambël?
-Sigurisht! Përveç promovimit të këngës “Falma at dashni,” jam duke punuar për disa projekte të reja muzikore që do të jenë surprizë për publikun. Ndërkohë, me Ansamblin Teuta, kemi disa evente të planifikuara brenda dhe jashtë vendit. Gjithmonë përpiqem të kombinoj traditën me modernen dhe të sjell diçka unike për dëgjuesit e mi.-Si do ta përshkruaje marrëdhënien tënde me muzikën dhe artin në përgjithësi?
-Muzika dhe arti për mua janë mënyra më e bukur për të shprehur ndjenjat dhe për të lidhur njerëzit me njëri-tjetrin. Është si një dialog i heshtur që prek shpirtin e çdo individi. Çdo këngë, çdo performancë është një pasqyrim i pjesës më të thellë të vetes sime dhe ndjej një përgjegjësi të madhe për të dhënë gjithmonë më të mirën.-Një mesazh për lexuesit:
-Faleminderit të gjithë atyre që më ndjekin dhe më mbështesin në çdo hap të rrugëtimit tim artistik. Ju ftoj të dëgjoni këngën time të re “Falma at dashni” dhe të shijoni emocionet që sjell. Dashuria, arti dhe tradita janë frymëzimi im i përhershëm, dhe shpresoj që t’i ndaj gjithmonë me ju! Gëzuar 2025 të gjithëve
Advertisement