Në këtë intervistë, Azgan, autori i njohur dhe anëtar i Organizatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, ndan me ne rrugëtimin e tij letrar dhe pasionin që e ka udhëhequr gjatë gjithë karrierës së tij. Pas publikimit ë librit të tij të fundit, “Tektonika e Shpirtit”, Azgani flet për ndikimin e thellë që ka pasur jeta e tij në krijimtarinë poetike, për lidhjen e natyrës me proceset e tij krijuese dhe për ndikimin e studimeve të tij në fushën e inxhinierisë agromjedisore dhe ekologjisë. Ai gjithashtu ndan përvojat e tij nga përfshirja në letërsinë ndërkombëtare dhe ndjeshmërinë ndaj shoqërisë civile, duke theksuar gjithashtu përvojat e tij të vlerësuara jashtë vendit. Në këtë bisedë, Azgani ofron një pasqyrë të thellë të përvojës së tij si autor dhe si individ, duke nënvizuar se letërsia është një forcë e fuqishme për të ndryshuar shoqërinë, si dhe rëndësinë e arsimit në krijimin e një kulture të shëndetshme letrare.
-Azgan, përshëndetje dhe urime për promovimin e librit tënd të ri! Për të gjithë lexuesit, çfarë mund të na thuash më shumë rreth titullit, por edhe rreth librit “Tektonika E Shpirtit”, pse kjo zgjedhje dhe çfarë ka brendia e këtij libri?
-Përshëndetje dhe faleminderit për urimet! Poezitë që e ndërtojnë këtë libër janë shkruar pesë vitet e fundit; vite, të cilat kanë patur ndikim të fortë në jetën time komplekse. Sigurisht, ky lloj ndikimi reflektohet edhe në poezitë që kam shkruar, duke qenë se ato janë, gjithashtu pjesë e jetës sime. Ka qenë një periudhë, herë kaotike, herë e mërzitshme, deprimuese, dhe pak herë e qetë, favorizuese për të bukurën, prandaj sfilitëse. Në këtë pikëpamje, pavarësisht se realiteti, rrethanat janë egërsisht të pashpirta dhe dehumanizuese, jam munduar të rezistoj, madje ta superoj këtë lloj realizmi. Dhe për t’ia dalë, më është dashur shpirti. Këtë e kam kuptuar, sapo ai është gjendur në “fushëbetejë” me krejt faktorët-armiq të shpirtit, si i tillë. Ndonëse, kurrë nuk e mora vesh plotësisht, pse sulmohen shpirtrat, liria e tyre. Megjithatë, kjo zgjedhje (ky titull) vjen për shkak të tronditjes që ndodh në thellësinë e unit njerëzor (këtu edhe tronditjeve të bukura), dhe sikurse në lëvizjen relative të pllakave tektonike të tokës, përcaktohen llojet e kufirit të saj: konvergjent, divergjent, transformues…përgjatë këtyre kufijve ndodh edhe tërmeti, vullkani, formimi i kanaleve oqeanike, ndërtimi i maleve, etj, pra aty ndodh gjithçka. Njësoj, edhe tek shpirti njerëzor, ose konkretisht në poezitë e përfshira në këtë libër ka procese të ngjashme; ka, pra momente që ndjen tërmet në shpirt dhe gjithçka thërrmohet e të duhet ta rikrijosh jetën, ka momente përvëluese që i ngjajnë vullkanit, ka transformime për shkak të reflektimit, ka oqeane, male, që i duhen paqes, më në fund dashurisë. Dhe krejt këto janë poezi brenda këtij libri. Në fakt, të gjitha poezitë që mund të shkruhen në jetë (në çdo kohë) janë “Tektonikë Shpirti”, sepse ato prodhohen vetëm nga lëkundje shpirtërore.
-Si ndikojnë studimet e tua në fushën e Inxhinierisë Agromjedisore dhe Ekologjisë në lëmin artistik të të shkruarit, veçanërisht në poezi? Cili është boshti lidhës mes këtyre dy fushave?
-Pasioni për të shkruarit ka lindur në mua para profesionit. Që kur kam shkruar për herë të parë dhe deri sot, natyra ka qenë prezente, edhe kur s’ka qenë, jam detyruar ta shpik atë në shkrimet e mia. Prandaj, profesioni dhe pasioni im, bosht lidhës kanë natyrën. Kjo simbiozë i ka ndihmuar të dyja të zhvillohen drejt së bukurës, nga ana tjetër, unë jam ndjerë gjithnjë më i qetë për këtë raport, edhe si përgjegjës i tij.
-Si do e përshkruaje procesin e krijimit të një poezie? Cilat janë burimet kryesore të frymëzimit për ty?
-Procesi i krijimit të një poezie është gjendja e jashtëzakonshme e autorit. Krejt gjendjet pas saj janë relativisht normale, dhe prej në rastin e dytë nuk mund të përshkruhet kurrë absolutja e të parit; megjithatë, sigurisht, diçka mund të thuhet. Madje, në një mënyrë paksa moderne, mund të thuhet se poezia është një “screenshot” që i ndodh shpirtit dhe se mendja është thjesht “printeri” që fotokopjon atë çast të dehur. Atë çast, në të cilin, ti, si autor nuk ke shumë në dorë, në kuptimin e kontrollit, për shkak se gjithçka zhvillohet në një zonë më të madhe se vet njeriu, në një dimension të pakufi, prandaj të përjetshëm, në shpirt, në ekstazën e tij. Ti thjesht duhet të bindesh, dhe të bësh çfarë lipset. Por, që të mbërrihet kjo gjendje, duhet para së gjithash, shpirti të jetë “goditur” nga elementë që e detyrojnë të shprehet. Pra, në shpirt duhet të jetë ngjizur frymëzimi, i cili nuk mund të durojë shumë gjatë, dhe nuk mund të durojë shumë gjëra, pra kërkon kushte të veçanta për t’u materializuar. Për mua nevojitet vetmi, qetësi, natë, pastaj më duhet edhe pak ditë, ndonjë rreze dielli, pak hënë në natën e shkuar dhe ndonjë rrebesh shiu nëpër pemë, nëpër stinët që iu marr (shpesh pa leje) gjëra për t’i zbukuruar poezitë e mia; pas gjithë këtyre, me një grimë fat duhet edhe një e dashur, për të mos i lënë gjërat përherë në një gjendje, as kohët në vetëm një stinë. Kjo, edhe si nevojë për t’i vazhduar shpresat, jetën.
-Në vitin 2017, je vlerësuar me çmimin e parë për “Poezinë më të mirë” në konkursin e Klubit Letrar Pena e Re- Tiranë. Si e përjetove atë moment dhe si ka ndikuar ky çmim në punën tënde si autor?
-Ishte ndër momentet më të veçanta dhe emocionuese. Gati u befasova. Pakkush e dinte që shkruaja poezi, ani pse e bëja prej vitesh, por brenda një hermetizmi të pajustifikueshëm. Ky çmim më ndihmoi, ekzaktësisht të dilja nga hermetizmi ku ndodhesha, më prezantoi me lexues, më publikoi në gazetat, revistat e antologjitë më të mira. Ishte si një lupë, që më kërkonte vazhdimisht, më shumë se herën e parë. Gjithçka, pastaj ishte inkurajim i natyrshëm, por po kaq natyrshëm, edhe kujdes për të mos rënë, së paku nën atë vlerësim (çmim). Pra, ka patur ndikim shumë të madh, sepse rrethanat nuk më krijonin klimën e favorshme për të dalë nga ai lloj hermetizmi, ose ndoshta, ato rrethana, gabimisht isha unë, i paguximshëm, asokohe.
-Nisur nga libri yt i parë, “Britma E Heshtjes”, e deri tek më i riu “Tektonika E Shpirtit”, si ka evoluar tematika që shoqëron brumin e poezive të tua?
-Libri i parë, për çdo autor, duhet të gëzojë mirënjohjen e krejt librave pasues. Kjo për shkak se mbi të krijohen stadet e reja të autorit. Por, tematikat që shoqërojnë brumin poetik ndryshojnë varësisht nga koha, mosha, edhe realiteti në të cilin gjendesh, megjithatë karakteri mbetet pak a shumë i njëjtë. Pra, psh: libri i parë ka edhe elementë të naivitetit, përfytyrimet vijnë më të brishta, ndërsa me kalimin e kohës, si në krejt proceset e rritjeve, gjendesh i tillë, më i konsoliduar, më i pjekur, me përfytyrime më të thella, me vizione më të qarta, por njësoj i ndjeshëm ndaj realitetit, sidoqoftë.
-Si e sheh marrëdhënien mes letërsisë dhe shoqërisë civile? Ndërkohë, a ka një lidhje të fortë mes angazhimit tënd shoqëror dhe krijimtarisë letrare?
-Letërsia është “makineria”, në të cilën prodhohen mjetet e luftës kundër së keqes në shoqëri. Kështu funksionon ajo. Megjithëse, letërsia i ka humbur “ushtarët” e saj, jo për faj të vetin, përkundazi. Pra, është holluar, deri afër këputjes, filli i lidhjes mes letërsisë dhe shoqërisë civile, por edhe shoqërisë në përgjithësi. Për mua ky fill ende qarkullon gjëra nga njëra tek tjetra, por e përgjithshmja është ndryshe. Angazhimi im shoqëror ka lidhje të fortë me krijimtarinë time letrare, sepse jo rrallë gjenden poezi në shërbim të së parës, poezi nevrike, atëherë kur revolta ulërin me zjarr për ta bërë më mirë hapësirën tonë sociale. Por, angazhimi im në shoqërinë civile nga ana tjetër, ka patur përpjekje për ta promovuar, së paku, dashurinë ndaj letërsisë. Pra, është një gjë reciproke, ku në të dyja skajet gjendem unë, në forma të ndryshme, por me qëllim të njëjtë. Lidhje shumë e fortë.
-Azgan, je anëtar i Organizatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikan dhe ke marrë pjesë në Panairin e Librit në Stamford, SHBA. Si e vlerëson marrëdhënien mes letërsisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare? Çfarë mund të na thuash për përvojën tënde jashtë vendit?
-Mendoj që letërsia shqiptare është integruar mjaft mirë edhe në rrafshin ndërkombëtar. Marrëdhënia e letërsisë sonë me atë të huaj, në disa raste gjendet edhe e përbashkuar. Ka mjaft antologji dhe revista letrare, brenda të cilave gjenden autor shqiptar dhe autor nga çdo vend i botës. Dhe kjo ndodh edhe nga botues shqiptar në Shqipëri, por edhe nga botues të huaj në botë. Sepse, thjesht e bukura është e bukur, si në Amerikë, si në Francë, si në Shqipëri. Pra, është një marrëdhënie brenda së cilës ndërvepron vazhdimisht e bukura, shkrihet në një, pa marrë parasysh. Përvoja ime jashtë vendit evidentoi një dimension të ri për vlerësimin që i bëhet letërsisë atje, autorit. Vlerësim, të cilin fatkeqësisht autori shqiptar nuk e njeh në atdheun e tij, dhe prapë ai e do dhéun e vet. Qëmtova nga afër pushtetin që ka letërsia mbi popull, rrjedhimisht, forcën që populli ka, pastaj. Si autor fillova të ndihesha ndryshe, si në ëndërr. (Një poet në Amerikë respektohet më shumë se një president.) Pastaj, më mori malli për atdheun tim, brenda të cilit të dashuron gjithkush e gjithçka, përveç pushtetarit, i cili ka frikën e një mbipushtimi, siç është ai që mund të vijë nga letërsia.
-Në disa intervista, ke theksuar se “bukuria e një kombi fillon tek arsimi i tij”. Si e sheh situatën aktuale të arsimit në Shqipëri dhe ndikimin që ka kjo në zhvillimin e letërsisë dhe kulturës?
-Çështja e arsimit më revolton, për shkak se jam një nga dëshmitarët e rrënimit të tij. Jam një i plagosur i asaj lufte. Kam parë shumë gjëra që s’e shohin njëra-tjetrën, dhe shumë tjera që e shohin, por s’kanë asnjë pikë kurajoje, force për të vepruar mbi të keqën. E kam parë politikën të depërtojë në arsim, e kam parë profesorin e nënshtruar, të dorëzuar, pa personalitet. Kam parë rrugaçin (rektorin) në krye, të emëruar nga politika, i cili iu shan nënën atyre që përfaqëson. E kam parë, pastaj profesorin e pasur, me grada shkencore që s’di të shkruajë shqip (kjo s’është shaka!), dhe nga ana tjetër i kam parë qindra studentë në auditor, para këtij profesori, para këtij profesorati, brenda këtij sistemi. Qartësisht, arsimi shqiptar ka dështuar, pothuajse plotësisht, dhe për të kuptuar ndikimin drejt letërsisë, kulturës iu dhashë shembullin e njeriut “Prof. Dr” që nuk di ta shkruajë gjuhën amtare. S’dua të tregohem radikal, pesimist, etj, por, gjithashtu s’dua të tregohem i pavërtetë.Për ta vërtetuar lidhjen e arsimit me letërsinë, iu garantoj që 70-75% e profesoratit shqiptar do të dështonte paturpësisht në një diktim sporadik të gjuhës shqipe, klasa e katërt fillore. Më vjen keq dhe ndiej dhimbje të papërshkruar, në këtë aspekt. Shqipëria e dikurshme, si ide, si vizion u krijua nga forca e mendimit intelektual, nga forca e letërsisë, nga Rilindasit; mbi të gjitha nga dashuria. Arsimi, prandaj duhet të jetë hapësira brenda së cilës projektohet pjesa më e veçantë e shoqërisë, rafineria e mendimit. Sepse, po: Bukuria e kombeve lind në arsim.
-Çfarë duhet të presim në të ardhmen në aspektin letrar? A ka projekte të tjera poetike ose krijimtari në proces?
-Unë funksionoj pa plan në aspektin letrar. Në këtë pikëpamje nuk mund të them asgjë, sepse kam një huq, i cili mund të më nxjerrë nga premtimi. As vetë nuk e di kur dhe çfarë do të botoj. Kjo, për shkak se brenda meje veprojnë dy forca, të cilat kërkojnë ekuilibër duke përplasur njëra-tjetrën. Forca e parë është krijimtaria, që kërkon të jetë para syve të të gjithëve, ndërsa forca e dytë është kundërshtia objektive. Kjo përplasje vazhdon, deri kur të dyja shkrihen në një të vetme. Sidoqoftë, të shkruarit është proces në vazhdim, dhe me ndihmën e Zotit, sigurisht që të reja-të bukura do të ketë nëpër ditët e ardhmërisë.
Advertisement