Një kampion që jetën ia ka dedikuar ringut dhe ka arritur të lërë gjurmë në histori. Gjithë rrugëtimi i tij dhe aspiratat për të nesërmen vijnë në një intervistë ekskluzive për “Intervista.al”. Një gjeneratë e re që pret të frymëzohet nga modele, që e kanë arritur suksesin me mund si Gjetani, kanë çelësin e dyerve që mbartin dritë dhe premtojnë të nesërme. Një ndeshje kthimi e fituar që në raundin e parë në Tetovë dhe një ndeshje e ardhshme që pritet të tundë themele në 2 nëntor në Londër…
-Gjetan, në Tetovë përcolle emocione të forta. Si ndihesh pas fitores në ndeshjen e kthimit me Torres, vetëm pak ditë më parë?
-Është e vërtetë që ishte një ndeshje kthimi, pas 6 vjetësh u riktheva në ring, me Torres, në Tetovë. Ndeshja ishte e shkurtër, përfundoi me fitore që në raundin e parë me knock out.
Ndihem i kenaqur me punën që kam bërë, i motivuar, më i fortë për ndeshjen tjetër dhe i lumtur që nuk i zhgënjeva dashamirësit e mi ndër vite.
-Si boksier, çfarë të kalon në mendje kur futesh në ring, në luftë për fitore?
-Motivoj veten duke kujtuar ndjekësit dhe dashamirësit e mi që më mbështesin gjithmonë, familjen time, fëmijëve të mi, bashkëshortes sime, heroit kombëtar dhe mbi të gjitha besimin në Zot dhe tek vetja.
-Si e balancon karrierën si boksier me të qenit baba për vajzën dhe djalin tënd?
-Mundohem që të gjej një balancë për të dyja. Është sakrificë por pa sakrificë nuk arrihet lumturia.
-Sa e rëndësishme është për ty që të përfaqësosh Shqipërinë në skenën botërore dhe të jesh burim krenarie për dashamirësit e sportit tënd?
-Unë ndihem njeriu më i vlerësuar në fushën time sepse kam mbështeshtjen e njerëzve. Në fund të fundit gjithçka bëhet për ta. Unë marr kënaqësi kur i jap kënaqësi atyre.
-Çfarë mesazhi ke për ta, si në Shqipëri ashtu edhe më gjerë, të cilët mesa kemi parë ju mbështesin me gjithë zemër?
-Ju ruajt Zoti te gjithëve. Faleminderit për mbështetjen, jeni të mrekullueshëm. Më shtoni përgjegjësinë që të stërvitem më tej dhe t’ju bëj krenar.
-Cilat ëndrra të tuat nuk kanë mbetur në sirtar por janë bërë realitet?
-Dëshira dhe ëndrra ime më e madhe që është bërë realitet ka qenë që unë të përfaqësoj Shqipërinë dhe të boksoj për të.
Deshirë tjetër e madhe e imja dhe që po bëhet realitet është të kthehem në vendin tim duke hapur një ambjent sportiv ku unë të gjithë përvojën dhe talentin tim t’ja përcjell rinisë dhe të kenë mundësinë të arrijnë edhe më shumë se unë.
-Ndeshja e radhës…
-Pas Fitores në Tetovë të Iliridës, më erdhi ftesa për të bërë ndeshje në Angli, nga Promotori Eduart Lleshi, në bashkëpunim me promotorë anglezë. Une këtë ftesë e pranova me kënaqësi dhe motivim, për t’i bërë shqipëtarët e Anglisë dhe mbarë botës krenarë.
Ju pres të më mbështesni me datë 02. 11. 2024 në Londër. 🦅🇦🇱🦅
Shihemi atje me fitore..!