Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Pensionistë, zgjohuni! Zgjedhjet po afrojnë! Nga Agron Berdaj


Edhe pse ende nuk është shpallur zyrtarisht fushata e zgjedhjeve, ajo realisht ka nisur. Propaganda partiake ditët e fundit duket se po shpalos programe, premtime dhe prioritete me synime elektorale. Me një guxim prej donkishoti, politika, edhe në këtë fushatë vazhdon t’iu premtojë pensionistëve jetë përrallore. Harrojnë se në të gjitha qeverisjet e çdo ngjyre politike deri më sot, pensionistët janë konsideruar si barrë e rëndë e ekonomisë. Ata mbeten hallka më e keqtrajtuar e shoqërisë, grupi social ku, politikanët vazhdimisht shkarkonin krizat ekonomike.
Opozita e drejtuar nga Berisha, i shpallur nga ndërkombëtarët minues i demokracisë në vend, nga zgafella e shtëpisë burg ku ndodhet, nisi vajtimin për keqtrajtimin e pensionistëve. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka shtatë muaj që u reciton vjersha pensionistave se gjoja, në muajin tetor do të ndodhi mrekullia, se do të zbresë vetë Mesia në tokë për të zgjidhur hallin e tyre.
Berisha vajton kur vetë ai , në qeverisjen e tij, u bë varrmihësi dhe dhunuesi më i madh i tyre. Ai kërcënonte kategori të ndryshme pensionistësh që kërkonin të drejtat e tyre, se do t’iu priste kotheren e bukës, nëse ata vazhdonin luftën me qeverinë. Thuhej se në sirtarët e drejtuesve të financave ndodhej një urdhër sekret që ndalonte dëmshpërblimin e kujtdo pensionisti, edhe pse mund të kishte fituar gjyqin, nëse Berisha e cilësonte kundërshtar politik.
Në qeverisjen e tij, ashtu si u shkatërrua shteti dhe u grabitën pronat, u hodh në erë edhe sistemi i sigurimeve shoqërore, u dogjën arkivat e këtij institucioni. Në vend mbizotëroi puna në të zezë.
Niveli i ulët i pensioneve, në kufijtë e varfërisë ekstreme në Shqipëri, është treguesi real i opozitarizmit fallco, i një loje, a kompromisi të pandershëm mes forcave politike. Më tepër se zgjidhja e problemit, forcave politike u interesonte demagogjia politike. Në qendër të kësaj lufte ka qënë gjeli i vitit të ri, si bonus për pensionistët. Njera parti premtonte se do ta jepnin gjelin të rjepur, tjetra thoshte se do ta dhuronte të gjallë, me pendë! Njera premtonte se do të hapte një kumbara të madhe, si ajo e Nastradinit në ndihmë të pensionistëve, tjetra zotohej se do te krijonte fondin sovran, për t’i larë me pará pensionistët e lodhur. Asnjera nga këto “mrekulli” nuk ndodhi.
Fallciteti i luftës politike mes pozitës dhe opozitës duket, më së pari, te masa e pensioneve. Ende pas 34 vitesh shoqëri pluraliste, ekziston në një masë të madhe pensioni me vlerë 100 mijë lekë në muaj. Janë zhvilluar mbi 18 fushata zgjedhore, ku është premtuar rregullimi i pensioneve dhe, po kaq herë, pensionistët kanë mbetur të zhgënjyer.
Qeverisjet e të gjitha ngjyrave nuk kanë treguar interes në vlerësimin e minimumit jetik në vend, ku mbi bazën e së cilës të orientoheshin edhe koefiçentët në llogaritjen e pensioneve. Ende nuk ka sanksione ligjore që rregullon të drejtat dhe detyrimet e bizneseve në shërbim të komunitetit. Vetëm në Shqipëri transporti publik për pensionistët nuk është falas. Edhe disa përpjekje të ndërmarra në këtë drejtim, dështuan përpara agresivitetit të kompanive të transportit. Në botë, shërbimet e thjeshta ndaj pensionistave, siç janë: matja rutinë e tensionit, një analizë e sheqerit, një konsultë operative, etj., shërbehen falas nëpër farmaci. Shërbime të tilla vlerësohen si një detyrim moral, si humanizëm ndaj komunitetit të pensionistave, si respekt ndaj moshës së thyer. Ndërsa pensionisti në Shqipëri nëse kërkon shërbime të tilla duhet të paguajë. Për qëndra të argëtimit, të kulturës dhe programe shtetërore në shërbim të pensionistëve, as që nuk bëhet fjalë.
Institucionet shtetërore, jo vetëm nuk kanë vullnetin t’i zgjidhin problemet e mësipërme, por vetë ato shkojnë edhe më tej në masat diskriminuese ndaj pensionistave. Ato vetë kanë përjashtuar pensionistët mbi 70-vjeç nga check-up falas, pasi, sipas tyre, rrisin koston financiare. Kjo tregon se kapitali është bërë më i egër, shteti një shërbëtor i zellshëm i oligarkisë dhe se humanizmi përjeton një krizë të thellë. Pensionistët janë të kapitulluar nga agresiviteti i tregut. E ashtuquajtura “shporta e pensionistëve” është kthyer në thes për pasurimin e tregtarëve. Në 34-vjet demokraci, më tepër se në gjysmën e viteve nuk është indeksuar inflacioni. Ca më keq kur qeveritë vazhdojnë ta quajnë indeksimin si rritje pensioni.
A i kanë dorëzuar pensionistët me vullnet të drejtat e tyre te qeveritë, apo qeveritë, duke shfrytëzuar dobësitë fizike të tyre, ua kanë grabitur me dinakëri ato? Vërtet i ka lënë fuqia pensionistët për t’u paraqitur si faktor në luftën politike, apo ata i mundon diçka tjetër, më e keqe se rëndesa fizike: dashuria e verbër e tyre për qeveritë?
Duke dashur t’iu jepja përgjigje pyetjeve të tilla m’u kujtua një anekdotë: qeveria e një vendi u vu në alarm se pensionistët i kishte zënë sëmundja e tmerrshme e pagjumësisë. Asnjë llojë ilaçi nuk u bënte efekt pasi nuk dihej shkaku i pagjumësisë. Grupi i ekspertëve, duke ndjekur problemin në terren, verejti se pensionistët, në çdo orë të ditës dhe të natës mereshin vetëm me politikë; se diskutonin arritjet e qeverisë; flisnin për luftërat në rruzullin tokësor; kërcënimet dhe rreziqet që mund t’u ndodhnin vendit të tyre, etj.
Grupi i ekspertëve, për ta vërtetuar se sëmundja e pagjumësisë së pensionistave mund të vinte nga tejngopja dhe dehja politike, i mblodhi ata në një sallë dhe nisi t’iu bënte leksione, veç asnjë fjalë për politikën. Ata u folën për galaktikat, ndërzimin artificial, rendimentet e larta në bujqësi, sportin, kafshët e pyllit, etj. U pa se trajtesa të tilla, pensionistëve nuk u bënë anjë përshtypje. Akoma më indiferentë ata u treguan kur u trajtuan një cikël temash që flisnin për pensionet e ulëta në vend, qëndrimin mospërfillës të qeverisë ndaj kësaj kategorie shoqërore, se pensionistët përballë tregut ishin të kërcënuar, etj. Edhe pse flitej për interesat e pensionistëve, përgjigja e tyre në këtë rast ishte se qeveria nuk ka ku t’i gjejë lekët për të na rritur pensionet. Edhe në kushtet e mjerimit ekonomik, ata ishin gati të vetëflijoheshin, vetëm qeverisë të mos i krijonin probleme. Kur ekspertët i shkëputën pensionistët nga politika, ata, jo vetëm se i zuri gjumi, por filluan edhe të gërhisnin!
Zbulimi i shkakut të pagjumësisë së pensionistave ishte një sukses i madh për qeverinë. Ajo tani, sa herë donte t’i vinte në gjumë pensionistët, iu ulte dozën e ngarkesave politike dhe kur donte t’i zgjuante, ua rriste atë. Në të vërtetë, qeverive u interesonte përgjumja e tyre. Ndërsa pagjumësia e pensionistave u duhej vetëm në fushata zgjedhore, mundësisht ditën e zgjedhjeve. Dhe këtë, politika nuk e ka keq, pasi janë 737 mijë votues – një hambar i tërë votash.
Por, është koha kur pensionistët duhet të zgjohen për veten e tyre. Më tepër se simpatitë dhe antipatitë që kanë për njerën, apo tjetrën parti politike, më parë ata duhet të simpatizojnë veten dhe djersën e derdhur prej tyre. Nëqoftëse pensionistët nuk i mbajnë dot shportat me vezë dhe domate të prishura kur duhet të dalin në protesta (nëse do të organizohet ndonjë e tillë!) në mbrojtje të të drejtave të tyre, të paktën të dinë të ndëshkojnë pushtetin me vota. Vota e tyre vret më shumë se çdo armë tjetër në luftën politike. Pensionistët janë në opozitë me qeverinë, jo në simbiozë dashurie.

This is the heading

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. Ut elit tellus, luctus nec ullamcorper mattis, pulvinar dapibus leo.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shqiptarët në botë; Sara Muka: Psikologjia përmbush synimet e mia

Next Post

Mimoza Marjanaku, një yll në skenën e teatrit shqiptar

Advertisement