Është fjala për Erich Rathfelder, gazetar në të përditëshmet qëndrore gjermane Tageszeitung dhe Press të Vjenës. Libri i tij “Kosova – Historia e një konflikti” është sa i plotë për informacionin që sjell nga fronti NATO-UÇK i luftës kundër ushtrisë serbe, aq edhe tronditës për nga përshkrimi i krimeve të regjimit të Millosheviçit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. NATO dhe ndërkombëtarët – vlerëson autori, edhe pse shumë vonë, më në fund e kuptuan rrezikun e genocidit masiv serb, jo vetëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës, por edhe ndaj Ballkanit, Europës e më gjerë. UÇK-ja e autorit, merr vendin dhe rolin e vet në vijën e parë të luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Çfarë e lidhte kaq fort autorin e librit me Kosovën? E gjejmë natyrshëm, në çdo faqe të librit, në çdo analizë dhe raportim nga fronti i luftës. E ka një lidhje të fortë, natyrisht jo lidhje gjaku, krushqie, apo simpatie sentimentale apo romantike. Erich me Kosovën dhe Kosovën me Erich i lidhte virtuti i nderit dhe i dinjitetit. Erich është nga ata gazetarë që nuk bënë kompromis me padrejtësitë. Duhej që e vërteta e poshtërimit dhe e dhunës së përdorur ndaj popullit të Kosovës nga shteti serb të denoncohej e të thuhej me zë të lartë, pa frikë, në të gjitha kanceleritë e botës. Erich ishte një nga ata gazetarë që, edhe pse i shpallur “non grata” nga regjimi i Misholleviçit, e ndërkombëtarizoi dhimbjen e Kosovës. E vërteta i lidhi jo vetëm dje në luftë, por edhe sot në paqe, duke mbetur miq për 36 vjet që nga viti 1987 kur Erich si gazetar shkeli për herë të parë në Kosovë.
Të 383 faqet e librit, mbi 120 artikujt, reportazhet dhe analizat e përfshira në të, mbajnë erë baruti teksa denoncojnë krimet monstruoze të shovinistëve serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Të rrënqeth zëri i protestës së gazetarit edhe ndaj botës demokratike që ende ishte symbyllur ndaj masakrave të ndodhura në Kosovë, pikërisht në qëndër të Europës. Autori, në disa raste mban qëndrime kritike edhe ndaj faktorit politik dhe ushtarak shqiptar për mungesën e kohezionit ku jo të gjitha alternativat i shërbenin lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ashtu siç nuk pajtohet edhe me përdorimin e dhunës apo përzënien e popullsisë nga vëndbanimet e tyre, pavarëisht se kush i aplikonte. Thirrja e autorit për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë është se ata duhet të mësohen të respektojnë parimet e bashkëjetesës paqësore si kulturë demokratike e bashkëkohore.
Si gazetar, Erich kishte dëshmuar nga afër procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, shkëputjen e Sllovenisë, Kroacisë e Bosnjë -Hercegovinës. Njohës i mirë i rolit të gazetarit në luftë, në përzgjedhjen e informacionit, zbulimin e të vërtetave të luftës dhe në denoncimin e tyre. Nëse shtetet e mësipërme u shkëputën nga Republika Federale e Jugosllavisë paqësisht apo me luftë, duke patur edhe mbështetjen e faktori ndërkombëtarë, përkundrazi, për Kosovën, fillimisht mungoi një përkrahje e tillë.
Autori e çmon përzgjedhjen politike të popullit shqiptar të Kosovës, i cili, shkëputjen nga Federata Jugosllave, fillimisht e kërkoi ta realizonte në mënyrë demokratike e paqësore, pa kosto gjaku. Gjithsesi, pacifizmi ekstrem, që frymëzonte disi klasën politike të Kosovës së asaj kohe, nuk është i njëjti koncept filozofik me atë të rrugës paqësore. Teoritë e Ibrahim Rugovës mëtonin se pacifizmi ekstrem do të zbuste egërsinë nacionaliste serbe, se demokratizimi i Federatës Jugosllave do të sillte, njëherazi, edhe pavarësinë e Kosovës dhe se kështu do të sensibilizohej më mirë faktori ndërkombëtar për një shkëputje paqësore të Kosovës nga Federata Jugosllave. Por, autori evidenton se asnjë prej tyre nuk “ngjiti” në favor të Kosovës. Vetë opozita politike në Serbi ishte po aq anti-kosovare sa edhe vetë qeveria e Serbisë. Ndërsa faktori ndërkombëtar, jo vetëm që nuk u sensibilizua në favor të pavarësisë së Kosovës, por në mjegullën tradicionale të saj ndaj çështjeve shqiptare, bëri të kundërtën, e dorëzoi atë edhe njëherë, ashtu si shekuj më parë, te vrasësi dhe përdhunuesi i saj. Këtë përfundim, autori e mbështet me faktet se në vitin 1995, Kosova nuk u ftua në negociatat në Dayton për formulimin e rregullave të paqes mes komunitetit ndërkombëtar dhe Jugosllavisë. Aty Kosova u trajtua si “kokë turku”, me mendimin se po të merrte pjesë ”Ajo do të kishte penguar zgjidhjen e pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës”. Në vitin 1996, BE-ja shkoi edhe më tej, kur e njehu diplomatikisht Jugosllavinë e mbetur me emërtimin ”Republika Federale Jugosllave” e përbërë nga Sërbia, Mali i Zi dhe dy krahina, Vojvodina dhe Kosova. “BE-së dhe botës i pëlqente pacifizmi dhe heshtja e shqiptarëve të Kosovës, edhe pse liria dhe ekzistenca e tyre rrezikoheshin nga politikat neo-naziste të Millosheviçit” – shkruan Erich.
Ndërkohë, në skenën politike të Kosovës dolën forca të reja, të cilat, të bindura se pacifizmi forconte aparteidin, vlerësuan se strategjia e luftës për liri duhet të ishte alternativa e vetme e Kosovës dhe prandaj përzgjodhën kryengritjen e armatosur. Për më tepër, që siç argumenton autori, Millosheviçit i “erdhën për mbarë” rezolutat që e njihnin edhe më tej Jugosllavinë me emërtimin ”Republika Federale Jugosllave”: ai i përdori ato si ”autorizime” për të drejtën e tij për të ushtruar dhunë, terror dhe spastrime etnike ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, si për fillim, për t’i patur duart të lira, i hoqi Kosovës statusin e autonomisë dhe nisi menjëherë fushata barbare spastrimi etnik. Edhe Rezoluta e Këshilli i Sigurimit, 1199, e cila dënonte dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kërkonte nga Sërbia t’i ofronte asaj alternativa paqe dhe sigurie, u shpërfill. Millosheviçi kreu genocid barbar që synonte shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike.
Vetëm në vitin 1996, sipas raportit të OSBE-së, në Kosovë ishin arrestuar 10.000 shqiptarë, nga të cilët 16 kishin vdekur në burgjet e sërbisë. Më 1 mars 1998, në fshatin Qirezi, forcat speciale serbe vranë 29 vetë në familjen shqiptare Ahmeti. Më 9 mars 1998, në Drenicë, forcat e policisë dhe ushtrisë serbe vranë 56 pjestarë të familjes Jashari. Vetëm në tre javët kur u shty Konferenca e Rambujesë dhe kur, sipas marrveshjes Hollbruk-Millosheviç të 13 tetorit 1998, ishte vendosur tërheqja e ushtrisë dhe policisë sërbe nga Kosova, forcat ushtarake dhe policore serbe, në mënyrë tinzare dhe larg syve të opinionit botëror, kryen një fushatë të egër spastrimi. Armata ushtarake sërbe, me një plan të mirëmenduar, kreu masakra në të gjithë territorin e Kosovës, në Reçak, Deçan, Rahovec, Malishevë e deri në Tetovë, kryesisht në qëndrat e banuara që ndodheshin në afërsi të rrugëve kryesore, me qëllim që ushtria serbe të mbante nën kontroll akset rrugore nga ku do ta kishte më lehtë të kryente edhe spastrimin etnik të Kosovës, edhe asgjësimin e UÇK-së. Vetëm në Rahovec dhe Malishevë vrau 567 shqiptarë, nga të cilët 430 fëmijë. Në masakrën e Reçakut në 15 janar 1999 vrau 45 shqiptarë. Madje, edhe kur filluan bombardimet e NATO-s më 24 mars 1999, terrori serb nuk i ndali masakrat në Kosovë. Pikërisht në ato ditë, në fshatin Kotlinë, në kufi me Maqedoninë, pushkatuan 22 burra, ndërsa 200 gra e fëmijë u mbajtën peng në kampin e Kaçanikut.
Denoncimi i paanshëm i krimeve masive të Serbisë, si dhe i mënyrës se si janë kryer ato, me pushkatime e varrime kolektive, djegien e kufomave në furrat e fabrikave, e të tjera, me një statistikë fanatikisht të përpiktë, mund të jetë e udhës t’u dërgohet kancelerive të botës, për të reflektuar ndaj Holokaustit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Krime dhe masakra të tilla do t’i kishin zili çdo antinjeri, antishtet, kasap, diktator apo grup terrorist, vetëm me një ndryshim, se në këtë rast, kemi të bëjmë me krime shtetërore. Një obelisk në nderim të viktimave të shqiptarëve të Kosovës nga makina përbindëshe sërbe, do t’i bënte nder më shumë botës demokratike, sesa Kosovës martire, sepse do të çlironte shpirtërat e trazuar të saj.
Gazetari Erich Rathfelder, koherent në paraqitjen e gjithë rrjedhës historike të konfliktit, më 22 shkurti 1998 mori intervistën e parë me udhëheqjen e UCK-së, për ta shoqëruar atë deri kur u bë faktor i rëndësishëm në luftë. E konsideruar më parë, me paragjykim, si organizatë terroriste, UCK-ja u shndërrua forcë kryesore goditëse në luftën për çlirimin e Kosovës. Nga një subjekt i sanksionuar nga ndërkombëtarët, ajo bëhet një faktor i pranueshëm për negociata politike. Nga një forcë ushtarake e distancuar nga NATO, ajo pranohet si aleate edhe si strukturë luftarake për bashkërendim dhe bashkëveprim me NATO-n, e integruar në sistemin e saj të komandimit. Në mesin e majit 1999, UÇK-ja përcaktohet të shërbejë si trupë tokësore e NATO-s. Kjo kthesë e madhe në vlerësimin e UCK-së nisi pas vizitës së të dërguarit amerikan Riçard Holbruk, në Junik të Kosovës, më 24 qershor 1998, i cili vendosi kontakte me UÇK-në fillimisht në interes të një zgjidhjeje paqësore dhe, më pas, si aleate ushtarake e NATO-s. Autori na jep një pamje të qartë të organizimit dhe veprimtarisë luftarake të vetë UCK-së, e cila u shtri në shtatë qarqe të vendit. Në luftë e sipër, UÇK-ja krijoi Komandën dhe Shtabin e Përgjithshëm dhe përpunoi strategjinë, artin operativ e taktikat. Në popull, nga emigracioni dhe te miqtë e saj, ajo siguroi burimet materiale e financiare.
Është një fakt historik që UÇK-ja ishte forca ushtarake që zotëronte fuqi dhe besueshmëri më tepër nga cilado forcë tjetër politike apo ushtarake në vend. Është nihilizëm që disa gazetarë apo politikanë shqiptarë, sot pas 36 vjetësh e nënvleftësojnë këtë fakt, duke shkuar deri në përçmim “se Kosova nuk mund të çlirohej me pushkë druri, apo me tanket e ndryshkura nga Shqipëria, se asaj i mungonte furrnizimi dhe teknika moderne e luftës”. Ashtu siç është grandomani kur disa të tjerë i hiperbolizojnë deri në skaj fuqinë dhe kapacitetet e UÇK-së, duke pretenduar me mburrje se “Kosovën e çliroi UÇK-ja, se faktori i brendëshm kurdoherë është përcaktues, se edhe pa NATO-n, Kosova do ta fitonte lirinë, pavarësisht se me kosto të madhe, etj”.
Me analizë gjithëpërfshirëse faktorësh dhe aktorësh, të dyja opinionet nuk janë të sakta. Pa mohuar dimensionin moral, lufta është fuqi numërash, kapacitetesh, raporti forcash, zotërim hapësirash dhe objektesh strategjike e taktiko-operative, ekonomi, çështje aleancash dhe njohjeje ndërkombëtare. Në pikëpamje të kësaj fuqie, krahasimi NATO-UÇK duhet të jetë real, jo imagjinar. Përfshirja e NATO-s në Luftën e Kosovës është një fat dhe investim vendmitar, nga ato mrekulli që vështirë se ndodhin në shekuj. Me Luftën e Kosovës, edhe vetë NATO u dëshmua si një organizëm me integritet moral ndërkombëtar. Në fund të shekullit më të përgjakshëm të historisë së njerëzimit, ajo dha një mesazh të ndritshëm duke kryer një luftë për qëllime tej e tej morale. Ajo thjesht ndëshkoi me forcën e armëve genocidin më masiv që ishte bërë ndonjë herë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në libër të tërheq vëmëndjen analiza e kujdesëshme e teorive dhe koncepteve të luftës moderne, marrja dhe zbatimi i vendimeve politike e ushtarake nga NATO. Ndërtimi dhe funksionimi i pushtetit politiko-ushtarak që u vendos në Kosovë pas luftës, i mbikëqyrur nga ndërkombëtarët, zë një vend të veçantë në libër. U fitua lufta ushtarakisht, shkruan autori i librit, por ende edhe sot nuk është fituar beteja diplomatike, sepse nuk është fituar paqja. Pse? “Si ka mundësi”- shkruan autori, “që Kosova ka numurin më të madh të drejtuesve të administratës shtetërore, të dërguar nga BE-ja dhe sot, pas 16 vjetësh, ajo është shumë larg Europës. Si mund të kuptohet që siguria dhe mbrojtja e Kosovës mbikëqyret nga OKB-ja, reformat ekonomike ndiqen nga BE-ja, kurse të drejtat e njeriu nga OSBE-ja, dhe rezultatet ende nuk janë shumë optimiste! Njohja diplomatike e Kosovës ka ecur me ritme të ngadalta. Kufiri dhe sovraniteti i Kosovës janë tentuar disa herë të shkelen nga falangat e shtetit serb. Reformat në fushën ekonomike nuk kanë qënë të plota dhe efektive. Bashkëjetesa mes etnive, hera herës ka qënë me probleme dhe se Kosovës ende nuk i janë hequr vizat për lëvizjen e lirë në BE. Me çfarë e masin organizmat ndërkombëtare efektivitetin e punës së tyre në Kosovë? Pse ato parapëlqejnë të qëndrojnë pafundësisht në Kosovë dhe nuk kanë vullnet ta transferojnë gradualisht pushtetin te organet vendore? Përdorimi i dy standarteve nga BE-ja në trajtimin e Kosovës si rebele dhe të Serbisë si një qëngj i urtë, nuk është i drejtë”.
Pra, kontraste të skajëshme. Bie fjala, jepet alarm nga BE-ja kur një snajper kosovar supozohet se shtiu ndaj minoritetit serb në Mitrovicë, por po kjo BE hesht kur skuadra të tëra snajperistësh të paramilitarëve serbë godasin vazhdimishtë mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, madje edhe në ceremoni mortore. Kritikohen me shqetësim nga BE-ja rastet e trafikut të paligjshëm të armëve në Kosovë, por ajo hesht kur njësi terroristësh serbë në Mitrovicë furnizohen me armatim të lehtë e të rëndë nga Serbia. Dhe ca më keq, kur dyshohet se me mjete të shikimit natën, paramilitarët serbë janë furrnizuar nga vetë forcat paqeruajtëse në këtë rajon. I vendosen kufizime policisë së Kosovës deri edhe sa postëblloqe e patrulla duhet të qarkullojnë në Veri të Mitrovicës, ndërsa sulmi tragjik nga paramilitarët serbë në Banjskë të Sveçanit, kalohet nga BE-ja me shprehjen mëshiruese se “Të veprojë drejtësia”. Kontrastet janë të dukëshme. Kush dhe pse lejohen ato – kjo është një faturë për vetë faktorët ndërkombëtarë.
Një gazetar serioz si Erich Rathfelder nuk mund dhe nuk duhet të linte jashtë vëmendjes “gjynahet” e klasës politike e ushtarake të Kosovës. Hera-herës, mënyrat e qeverisjes kosovare janë ndikuar nga një farë egocentrizmi, apo nga një mëndjemadhësi primitive e liderve të saj. Ndonjë alternativë qeverisëse, në vend të zgjidhjes së problemeve konfliktuale me Serbinë përmes dialogut, ka parapëlqyer ngrirjen dhe konservimin e konfliktit. Nuk duan të kuptojnë, ndoshta edhe për interesa okulte se, kur ngrijnë dialogun, ngrijnë edhe Kosovën, duke luajtur kështu, në “zonën” serbe të interesave që kërkon ngrirjen e bisedimeve dhe të vetë konfliktit. Në interes të Kosovës është shkrirja e akujve, zgjidhja e problemeve, integrimi në botën demokratike. Ngrirja e konflikteve dhe ftohja e Kosovës me aleatët strategjikë është pjesë e doktrinës sërbe. Për Kosovën, veç sovranitetit dhe kufijve që janë të pa negociueshëm, të tjerat duhet të përfshihen në lojën gjeopolitike, taktike e diplomatike, të sulmeve dhe tërheqjeve, të lëshimeve dhe shtrëngimeve, të cilat Kosova duhet t’i luajë me mjeshtëri dhe me bashkërendim me miqët e saj të vërtetë strategjikë.
Kush dëshiron ta njohë më mirë Kosovën dhe luftën e saj heroike për liri e pavarësi, duhet ta lexojë këtë libër të gazetarit gjerman Erich Rathfelder. Në të do të gjejë gjithçka: histori dh politikë, luftë dhe krime, vuajtje dhe optimizëm, disfata dhe fitore, prapaskena dhe kurthe politike. Por, do të gjejë edhe denoncime dhe politika largpamëse të frymëzuara nga standartet më të përparuara demokratike. Duket se autori u ka dhënë trajtesave në libër edhe ngjyrimet e shpirtit të tij fisnik, botën e pasur kulturore e profesionale, devotshmërinë dhe modelin se si mund të mbrohet një e drejtë ndërkombëtare. Është një libër ku shfaqet arti i një gazetari të vërtetë, ku fjala gjëmon më shumë se predhat e topave dhe të raketave në luftë.