Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Mesazhi Mattarella! Nga Agron Berdaj dhe Zeno Jahaj

Presidenti italian, Sergio Mattarella ka zhvilluar sot më 8 Shtator homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar. Pikërisht si sot, 86 vjet më parë Italia fashiste shpallte kapitullimin dhe një ditë më vonë, më 9 Shtator, vendin e saj në Ballkan dhe Shqipëri do ta zinte Gjermania naziste.

Advertisement

Presidenti Italian na përforcoi se interesat kombëtare shqiptare janë në të njëjtin vektor me aleancën natyrale gjeopolitike me Italinë dhe Gjermaninë dhe në vektor të kundërt me aleancën me fashizmin italian dhe nazizmin gjerman.

Ndërkohë, po sot mësojmë se njëri nga grupimet politike me emrin “Partia Demokratike” paska paraqitur një projektligj, me anë të të cilit, kërkon shembjen lapidarëve që evokojnë epopenë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ose transformimin e tyre në diçka që nuk i përgjigjet motivit mbi të cilët janë ngritur.

Ka një inkursion të orkestruar që shfaqet deri edhe në orientime të caktuara politike, të cilat tentojnë, deri edhe zyrtarisht, shtrembërimin e të vërtetave dhe vlerave të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar.    

Nuk gjejmë dot asnjë traditë, asnjë normë, asnjë popull, asnjë komb, asnjë ndërgjegje nderi, që pushtuesin, atë që dhunon vendin, ta mikpresë, të luftojë në krah të tij apo atë ta quajë si “kalimtar”, pak a shumë si turist.  

Nëse nuk është padije historike, është e papranueshme moralisht që të mos pranosh të vërtetën e pastër se, pas humbjes së inisiativës strategjike në Stalingrad dhe Kursk, Komanda e Lartë Gjermane lëshoi Direktivën (Urdhër Operacional) Nr.48, që Gjermania të rigruponte forcat për të kaluar në mbrojtje strategjike të hapësirave të pushtuara deri në atë kohë. Në këtë kuadër, me të njëjtën direktivë, u krijua Teatri Operativ i Ballkanit, ku u urdhërua dhjetëfishimi i forcave për mbrojtjen e tij. Në këtë kuadër, në Shqipëri u futën dhe u dislokuan në mbrojtje, forcat e pothuajse dy korpuseve të specializuara për luftë kundërpartizane, si dhe për veprime në terrene malore.

Në dallim nga Italia fashiste që shpalli kapitullim përgjatë rrjedhës së Luftës së Dytë Botërore , Gjermania naziste nuk shpalli kurrë kapitullim, por vetëm kur u detyrua në fund të saj, në Maj 1945. Në këto kushte, me fare pak kulturë ushtarake dhe me po aq pak moral kombëtar, nuk mund të imagjinohet që një komandë gjermane në mesvitin 1943, dy vjet përpara se të kapitullonte Hitleri, të kryente tërheqje, çka me siguri matematike do ta paguante me kokë.    

Për rrjedhim, ndërsa komandat italiane kaluan në tërheqje strategjike menjëherë pas shpalljes së kapitullimit, prkundrazi, komandat gjermane nuk kryen kurrë tërheqje strategjike. Ishte kjo arsyeja që edhe Aleatët Antinazifashistë e vijuan luftën më me ashpërsi edhe pas hapjes së Frontit të Dytë. Madje Konferenca e Jaltës, e mbajtur në Shkurt 1945, u shpreh me përparësi për vijimin e operacioneve, deri në dorëzimin pa kushte të Gjermanisë Naziste dhe kërkoi bashkërendimin e ofensivave në frontet Lindore e Perëndimore të Europës, për të parandaluar transferimin e trupave gjermane nga një front në tjetrin. Çfarëdo lehtësimi apo lëshimi ndaj, apo mosangazhimi kundër forcave gjermane në Shqipëri, do të çlironte, në të njëjtën masë, përforcime për forcat gjermane në fronte dhe teatro të tjera lufte, çka do të thotë, po në atë masë, më shumë humbje njerëzore e materiale për popujt e vendet që luftonin me pushtuesin gjerman në frontet dhe teatrot e tjera të luftës. Prandaj miti i tërheqjes së forcave gjermane, rrëzohet ushtarakisht dhe moralisht.

Presidenti Mattarella, një kristiandemokrat, zor se mund ta imagjinojë që, ndërsa ai vendos kurorë në lapidarin e të rënëve kundër fashizmit, partitë demokratike shqiptare të proklamojnë vëllazërimin me fashizmin.

Ndoshta inkursionistët do duan të thonë se dëshmorët janë vrarë në luftë civile. Nëse nuk është padije historike, është makabre moralisht të përgjithësosh që shqiptarët janë vrarë me njeri tjetrin, jo nga pushtuesi.  

Ka dallime thelbsore një luftë e zakonshme nga lufta civile. Nuk është çështje etiketimesh, të cilat mund të vihen e të hiqen sipas orekseve apo syzeve. Lufta civile është një kategori lufte, e cila duhet të përmbushë një kuadër kriteresh të pranuara nga shkencat historike e ushtarake, për t’u quajtur si e tillë.

Partitë / organizatat politike shqiptare të asaj kohe, pavarësisht ashpërsimit të skajshëm të gjuhës politike, praktikisht iu ruajtën përplasjes që do mund të shkonte deri në luftë civile. Nga ana tjetër, edhe aktorët aleatë të cilët mbanin në vëmendje e në mbështetje Shqipërinë, në shumë deklarata të tyre të lëshuara gjatë gjithë luftës e deri në fund të saj, janë shprehur se nuk do të mbështesnin asnjë forcë politike që do mund ta çonte vendin në luftë civile, çka do të thotë se vendi nuk e përjetoi një luftë të tillë.

Rastet kur formacione të ndonjë partie / organizate politike shqiptare, bashkëpunuan e bashkërenduan në krah dhe në mbështetje të forcave gjermane për të luftuar kundër formacioneve të partisë / organizatës tjetër politike shqiptare, nuk mund të quhen “luftë civile”. Rreshtimi i një individi apo force ushtarake në mbështetje të pushtuesit, cilatdo të jenë motivet, e bën atë individ apo atë forcë, palë me pushtuesin, domethënë njësh me uniformën ushtarake të pushtuesit.

Ndërkohë, ndonjë akt masakrimi, i ideuar dhe i kryer në mënyrë individuale, domethënë jo për arsye përfaqësimi të njerës apo të tjetrës palë politike kundër palës tjetër politike, nuk mund të njësohet e cilësohet si “luftë civile”, por thjesht, ashtu siç kanë qenë në fakt, akte masakrimi. Fakti që këto akte janë dënuar nga të gjitha forcat e interesuara politike, në atë kohë e më vonë, publikisht e jo publikisht, e përjashton që këto akte të cilësohen “luftë civile”.

Presidenti Mattarella, me nderimin që iu bëri dëshmorëve të kombit shqiptar, tregoi se marrëdhënia midis dy kombeve ruan pikërisht balancat gjeopolitike me interes të ndërsjelltë, ndërsa diktati, siç ishte pushtimi italian, i përmbys këto marrëdhënie. Marrëdhënia respekton vlerat dhe prestigjin reciprok, ndërsa diktati dhe pushtimi poshtërojnë vlerat dhe prestigjin e palës që pushtohet. Kësisoj fashizmi nuk mund të ishte aleat natyral i Shqipërisë, por armiku natyral i saj, siç ishte, njëherësh, edhe armiku natyral i vetë popullit italian. Prandaj qëndresa dhe lufta kundër pushtimit italian, për aq sa Italia përfaqësohej nga fashizmi dhe vepronte sipas vlerave fashiste ndaj shqiptarëve dhe po ashtu edhe ndaj popujve të tjerë, ishte vlera e duhur morale dhe interes kombëtar shqiptar.

Agron Berdaj

Zeno Jahaj

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ori: My day has come

Next Post

Turi zbulon aktorin e dashur për publikun që do e shihni këtë sezon çdo javë në Klanifornia

Advertisement