23 Shkurti 1999
Gjatë natës ra borë bukur shumë.
Nuk e di nëse moti donte të na i vështirësonte punët ne apo armikut?!
Moti sikur donte të na tregonte se furtuna po afrohej, por vendosmëria jonë nuk po thyhej edhe përkundër motit të vështirë dhe deklaratave të udhëheqësve politikë të armikut dhe të kolaboracionistëve qyqarë dhe frikacakë.
Pas disfatës që kishin pësuar një ditë më herët, forcat armike ishin përgatitur gjatë tërë natës dhe para mëngjesit kishin mësyer pozicionet e UÇK-së në Liqej. Pasi morëm njoftimin, alarmuam Njësinë dhe u përgatitëm për të lëvizur drejt pozicioneve. -Disa shtylla elektrike ishin rrëzuar gati përtokë dhe si me qëllim donin të na humbnin kohë. Shpejt i larguam pengesat dhe sa hapë e mbyllë sytë arritëm në fushëbetejë. Edhe armiqtë, sapo kishin arritur dhe po pozicionoheshin.
Ne, shkuam me vrap në pozicione dhe ua grabitëm kodrinën. Si zakonisht, armiqtë filluan të gjuajnë kuturu dhe të lëvizin ngadalë, për të marrë kodrinën por përgjigja jonë ishte e ashpër dhe me vendosmëri. Kur e kuptuan se iu kishte hasë sharra në gozhdë; u kthyen prapa për t’u riorganizuar.
-Luftimet po zhvilloheshin në distancë shumë të afërt dhe beteja po bëhej për kontrollimin e pozicionit të kodrinës ku ishim vendosur ne.
-Pas pak forcat armike u riorganizuan dhe filluan të lëvizin me mjete të rënda. Përgjigja nga ana jonë ishte e njejtë dhe sërish minjtë e Serbisë Fashiste, u kthyen për t’u strukur në vrimat e tyre.
Binte borë me intensitet të vogël ende dhe një mjegull e lehtë, po e mbulonte vendin duke ua mundësuar forcave armike një tërheqje, “të ndershme, për shkak të motit”.
Pasi u siguruam se, forcat armike u tërhoqën dhe nuk kishte ndonjë rrezik edhe ne u kthyem triumfues në shtëpitë kazerma dhe si përherë duke kënduar e duke u mahitur.
….
……