Pandemia globale e Covid- 19 është padyshim një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballen bizneset e vogla në Shqipëri dhe kudo në botë. Pasiguria për të ardhmen dhe vështirësitë për të mbijetuar shihen pothuajse tek çdo biznes qoftë shërbimesh apo tregtar.Lajmet e fundit për gjetjen e vaksinës anti-covid duken po sjellin një dritë në fund të tunelit të errët brenda të cilit bizneset kanë muaj që vërtiten me shpresën që më në fund do të dalin. Ajo ditë ndoshta nuk është më aq e largët, por bizneset e dinë që edhe pas vaksinës, klima ekonomike dhe situata financiare do të dojë edhe disa muaj të tjerë për t’iu rikthyer normalitetit. Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë bizneseve të vogla do t’iu duhen minimalisht 10 muaj për të amortizuar goditjen financiare që pësuan gjatë vitit 2020. E teksa edhe viti 2021 mbetet ende i paqartë, më poshtë po sjell 5 mënyra sesi bizneset e vogla (ato që akoma s’e kanë bërë), t’i mbijetojnë financiarisht Covid-19:
1.Krijo prezencën tënde online. Muajt e fundit u vu re një tendencë në rritje e shitjeve online dhe kjo zbuti deri diku shokun e mbylljes apo kufizimeve të një sërë bizneseve kryesisht tregtare. Ndërkohë që një pjesë e mirë e këtyre bizneseve ishin familjare ose të vetëpunësuar dhe jo të gjithë kishin një website, platformat popullore si instagrami apo facebook-u ju erdhën në ndihmë. Të dyja këto platforma, përveçse janë falas, kanë opsione fantastike për të reklamuar produktet apo shërbimet. Mjafton një boost post në instagram që kushton 5-10$ dhe faqa jote të vizitohet nga qindra klientë potencial. Të dhënat flasin se njerëzit po shpenzojnë rreth 2 ore e 24 minuta në ditë, në rrjete sociale sidomos gjatë periudhës së pandemisë. është pikërisht ky angazhim i njerëzve në rrjete sociale që duhet shfrytëzuar nga bizneset online. Postimi i produkteve nuk është i mjaftueshëm, duhet një ndërveprim më i madh me klientët me komente, likes dhe duke i ndjekur në rrjete sociale. Kështu, biznesi do të jetë në gjendje të ruaj klientët e tij dhe të thithë klientë të tjerë potencial.
2.Optimizimi i kostove. Sigurisht kjo nuk është koha e investimeve të medha. Strategjia që duhet ndjekur gjatë këtyre muajve është të minimizojnë kostot sa më shumë ose t’i kanalizoj ato në drejtimin e duhur. Një mikesha ime, e cila pati fatin ose disfatën të hapte një biznes të vogël pak para se të fillonte pandemia Covid-19, u gjend pothuajse e papergatitur kur plani i saj i biznesit nisi të mos funksiononte. Asaj ju desh të bisedonte me furnitorët për të siguruar çmime më të mira. Gjithashtu, kuptoj që përdorimi i menu- ve të printuara, përveçse nuk këshillohej nga autoritetet shëndetsore, përbënte një kosto të panevojshme për restorantin e saj të vogël. Kështu, vendosi të përdorte menu- të dixhitale, të cilat jo vetëm që ishin një gjetje moderne, por një menyrë e mirë për të kursyer.
3.Behu origjinal. Shumë biznese gjatë pandemisë, na suprizuan me menyrën origjinale dhe adaptimin e shpejtë me situatën që Covid- 19 shkaktoi. Gjatë kohës kur për një pjesë të mirë të bizneseve nuk ju lejua zhvillimi normal i aktivitetit, ata zbuluan mënyra inovative për të mbijetuar. Baret nisën të shërbenin kafe në gota prej letre 1- përdorimshe me shërbimin take-away që bie ndesh me mënyrën tradicionale shqiptare të konsumimit të ngadaltë të kafes ulur në një bar me miq. Por, mesa duket edhe shqiptarët mund të adaptohen lehtë! Rita, një kolege finlandeze që punon prej disa kohësh në Shqipëri, më ftoi një të shtunë për të ndjekur një klasë joga në parkun e liqenit, në ajër të pastër. Instruktorja e saj e jogës, në kushtet që nuk mund të zhvillonte aktivitetin në ambjentet e studios së saj, i kishte zhvendosur klasat e saj në natyrë. Kështu, ajo i kishte shpëtuar rrezikut të falimentimit të biznesit të saj dhe kishte sjellë një ide inovatore për klientët.
4.Kërko ndihmë nga shteti. Pavarësisht gjykimit që ka gjithësecili për mënyrën sesi shteti shqiptar iu përgjigj nevojës së biznesit në fillimin e pandemisë, nuk është asnjëherë ide e keqe të kërkosh ndihmë. Por, ndihma nuk duhet kërkuar individualisht nga bizneset e vogla. Janë shoqatat e biznesit ato që duhet t’ i japin zë kërkesave dhe nevojave që ky grup ka. Bizneset e vogla dhe të mesme zënë më shumë se 95% të numrit total të bizneseve në Shqipëri dhe goditjen më të madhe nga pandemia, e mori pikërisht kjo kategori. Prandaj është e rëndësishme të komunikohet për nevojat më urgjente që secila industri ka. Shtyrja në kohë e kësteve të tatim fitimit, rimbursimi i pagave minimale të punonjësve, shtyrja në kohë e taksave vendore, rimburismi i kostove të sigurimeve shoqërore e shëndetsore janë vetëm disa nga mënyrat sesi shteti mund të ndihmoj bizneset e vogla për të kapërcyer këtë sfidë.
5.Qetësia mendore. Periudha e pandemisë ka sjellë sfida jo vetëm në kontekstin financiar. Pronarët e bizneseve janë ndjerë të pasigurt për të ardhmen e aktivitetit të tyre tregtar. Shëndeti i tyre mendor, pavarësisht se mbetet ende një tabu, ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e biznesit. Frika, stresi, shqetësimi janë të gjithë faktorë që duhen marrë në konsideratë. Nuk është turp të flasësh me të tjerët, nuk është turp të ndash shqetësimin me kolegët apo punonjësit e tu. Të githë jemi në të njëjtën varkë. Në këto kushte të vështira, është e rëndësishme të mendosh pozitivisht dhe pse jo të kërkosh edhe ndihmë nga profesionistë për të kapërcyer pasiguritë. Klasa e jogës për të cilën më foli mikesha ime Rita, nuk është ide e keqe, apo jo?