Ky ishte viti i sakrificës artistike…

Ajo është nga Kërçova, jeton në Zvicër, është simpatike, e dashur, e qeshur por ajo që ka rëndësi më shumë është talenti dhe përkushtimi ndaj muzikës. Syarta, ashtu siç ka edhe emrin duket se sytë e artë po i shkëlqejnë në muzikë. E nisi karrierën e saj në Kosovë me një këngë “Intentions” por duket se tanimë ambicia e ka udhëhequr drejt internacionalitetit. Syarta na tregon se ka në duar disa projekte shumë të bukura që do t’i hapin dyert ndërkombëtar dhe do jenë në shqip e në anglisht por nuk do të tregojë më shumë por do të zbulohet gjithçka në momentin e duhur. Situata në cilën e gjithë bota po jeton ka pezulluar punën e shumë artistëve mes tyre edhe të Syartës, e cila këtë herë duket se projektet e reja do ti organizojë dhe finalizojë në Gjermani. Në këtë intervistë kemi folur me Syartën për gjithçka, për jetën profesionale, personale, dëshirat, pasionet, si e shikon jetën dhe artin….

-Syarta, është hera e disatë që vjen në “Intervista.al” por këtë herë vjen si personazhi kryesor madje i pari për platformën e re. Si ndihesh?

-Ndihem me fat që jam e para këtu dhe sigurisht ndihem edhe mirë me ju. Jeni të parët që më keni mbështetur në rrugën time dhe kjo nuk do ndryshojë asnjëherë për asnjë arsye.

-Të kemi pyetur herë pas herë për të rejat dhe po presim vërtet të rejat

– (Buzëqesh) Edhe unë i pres faktikisht duhet të kisha sjell prej kohësh por ndodhën shumë gjëra dhe kjo përiudha e pandemisë ishte pengesë e madhe në karrierën e çdo artisti besoj, duke më përfshirë mua. Shpresoj shumë shpejt të përfundoj ajo çka ka ngelur pezull dhe të përcjell tek publiku këngët e reja. Ky ishte viti i sakrificës artistike…

– Ti këndon shumë mirë baladat, por a mendon se do të vijë një ditë që do të të duhet apo do të duash të ndryshosh stil në muzikë?

– Unë jam gjithnjë në kërkim të risive dhe nëse do të më përshtatet një stil tjetër, pse jo?! 

– Është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo sot s’mund të kuptohet një këngëtare pa provokimet skenike? 

– Provokimi mund të jetë element i një kënge që e mban provokimin. Është pa kuptim provokimi skenik, për shembull, në një baladë.

– E shikon karrierën si një mundësi të mirë për të qenë e lumtur, apo mendon se karriera ndonjëherë të bën të ndihesh e vetmuar?

– Unë mendoj se karriera e ndonjë shkencëtari mund të ndikojë që ai të ndihet i vetmuar, sepse vetë puna e detyron të rrijë në vetmi, kurse artisti është i lidhur me publikun. Karriera artistike është mundësia ideale për të qenë mes njerëzve, për të qenë e kënaqur me veten, pra, për të qenë e lumtur. Gjithçka është zinxhir.

– Nëpër takime, zakonisht, të lënë të presësh apo i lë të të presin?

– Nuk kam qejf t’i lë të presin, se të pres as nuk diskutohet. (Buzëqesh)

– Më shumë pendohesh që e the apo që nuk e the diçka?

– Zakonisht, jam e drejtpërdrejtë, kështu që pendohem nëse nuk e them diçka.

– Je në formë të shkëlqyer. Sepse je në gjendje shpirtërore të mirë?

– Përderisa jam e kënaqur, kjo krijon kushte të mira shpirtërore. Edhe forma fizike varet nga kjo.

– Të ka lindur ndonjëherë dëshira t’i ikësh realitetit? 

– Edhe momentet e vështira jam përpjekur t’i konsideroj si pjesë të realitetit, nga të cilat askush s’mund të stakohet. Mirë do të ishte të ekzistonte një realitet pa problemet e ditës, por kush e ka parë atë? Kështu që… 

– Beson te dashuria me fund të lumtur? Po te fundi i një dashurie?

– Besoj te dashuria, besoj te lumturia, besoj edhe te fundi. 

– Po te shndërrimi i një dashurie në miqësi? 

– Personalisht, nuk besoj. Mendoj se, që një dashuri të kthehet në miqësi duhet të kalojë një reaksion kimik shumë të ndërlikuar, rrethana, kohë, uh, sa gjëra!

– Syartë, sikur të të pyes pak për numrat, besoj se nuk do të kishe kundërshtim…

– Absolutisht jo, madje po më duket interesante… Fillojmë!

0

– Imazhi i parë që të krijon numri 0, parë vizualisht?

– Imazhi i parë që më krijon është thjesht një zero! Nuk shkoj përtej kësaj…

– Zero për ty, janë të gjithë ata që…

– Hëm! Zero për mua janë të gjithë ata që u bëjnë keq të tjerëve dhe mundohen të ecin me djallëzira në jetë.

– Do ta shumëzoje me zero njeriun tënd të zemrës nëse…

– Oh, pa dyshim që do ta shumëzoja me zero, nëse ai do të bënte sjellje idiote!

– Si do ta përshkruaje rrugën që ke bërë në muzikë, që nga hapi zero e deri më tani?

– Do të mundohem ta përshkruaj shumë shkurt, duke iupërmbajtur logjikës së numrave. (Buzëqesh) Ka qenë vërtet e vështirë dhe delikate.

– Sa zero numëron llogaria jote bankare?

– E ka ndonjë 0 e ka!(Qesh)

1

– Kush është numri 1 në jetën tënde?

– Familja ime.

– Po ndonjë lidhje interesante tjeter më numrin 1 ke?

-Kam vetëm një klip në treg, një klip që e kam realizuar para dyvitesh dhe pas gjtihë këtyre problemeve të shkaktuara në botë e që ndikuan edhe tek unë, doja ta thyeja pak këtë numër e të vazhdoja më tej me klipe.Isha e qartë apo? (qesh)

– Po numri 1, në muzikën e të gjitha kohërave?

– Nuk mund të bëj një përcaktim me numër në këtë pikë. Janë disa ata që kanë bërë revolucion në muzikën e të gjitha kohërave dhe, secili prej tyre, do të mund ta meritonte plotësisht numrin 1.

– Ti ke kënduar si balada, rryma njësh, cila është për ty?

– Njësh, për mua, pa asnjë diskutim, janë baladat! Ato vërtet i dua.

– Po rryma që qëndron në vend të parë në përzgjedhjen tënde, nëse të duhet të vendosësh për të kënduar një këngë? 

– Nuk do të mendohesha shumë për këtë. Nëse do të më duhej të përzgjidhja mes disa rrymave, do të kisha zgjedhur patjetër një baladë pop.

– E ke përdorur ndonjëherë shprehjen: “Ti je njësh”? Do të doje që dikush ta përdorte për ty?

– Po, e përdor shumë shpesh! (Qesh) Është një shprehje shumë gallatë. Kur ma thonë mua, gjithmonë qesh.

– Nëse ora është 11.11, çfarë mendon? Po të mendon?

– Ora 11.11? Nuk mendoj asgjë! S’u jap rëndësi këtyre gjërave…

– Ti vetë, Syarta, je një apo dy (e lidhur apo singëll)? 

– Unë jam një ish-dy! (Qesh) S’di si të ta shpjegoj, kështu që po i bie shkurt; jam singëll, domethënë…

2

– Kur je “dy” (në çift), qëndron në vend të parë ti, lidhja, apo muzika?

– Unë mundohem t’i mbaj të gjitha konstante, po është normale që gjithmonë vendos veten në pikë të parë. E di që do të mendosh: “Ja, përgjigjja tipike e femrave!”… (Qesh)

– Kur je “dy”, çfarë do të të bënte të kaloje një natë pa gjumë?

– Aaaa, sa rehat që isha vetëm, po tani ç’desha?

– Kur je “dy”, çfarë do të të bënte të kujtoje me nostalgji kohën kur ishe “një”?

– Kujtimet e bukura, mendoj.

– Kur një çift nuk mund të quhet çift?

– Normalisht, kur janë të ndarë ose kur nuk ndjejnë më për njëri-tjetrin. Sigurisht, arsyet do të ishin të shumta…

– Kur janë dy vetë, i treti është i tepërt, thonë, por ne mund të vazhdojmë edhe me numrin 3, si thua?

– Pse jo? 

3

– Thonë se: “Çdo njeri mund të jetoje tri ditë pa bukë, por askush nuk mund të jetojë as edhe një ditë pa poezi e muzikë”. Ti, pa çfarë nuk do të mund të jetoje dot?

– Nuk e di kush e ka thënë këtë shprehje, por në këtë periudhë pandemie u vërtetua se mund të jetojmë pa shumë gjëra! Unë jam e prirur të tentoj gjithmonë për të arritur diçka që i vë synim vetes. Të gjithë e dinë që njeriu nuk duhet të dorëzohet kurrë, por e gjitha kjo varet se sa guxim ke!

– Nëse sot do të takoheshe me xhindin e llampës, cilat janë tre dëshirat që do t’i kërkoje të t’i realizonte?

– Të më sjellë më shumë fat vitin që vjen, të zhduket ky virusi, ;të jem më e pranishme në muzikë dhe në fund, mbi të gjitha, të kem shëndetin! 

Si është Syarta…

– …në një studio regjistrimi?

– Për qejfin e qejfit tim, këndoj me gjithë pasionin e mundshëm.

– …në dush?

– Duke kënduar.

– …në një studio fotografike?

– Një yll. (Qesh) 

– …para pasqyrës?

– Unë dhe Syarta.

– …në fletët e një ditari?

– Uh, më kujtove adoleshencën, naivitetin…

Çfarë do të ishe, nëse do të ishe…

– …një ngjyrë?

– E bardhë.

– …një vend?

– Shtëpi

– …një pjesë e shtëpisë?

– Këndi ku pushoj.

– …një ndjenjë?

– Emocion

– …një veshje?

– Syarta’s style.

– …një stinë?

– Vera.

– …një element i natyrës?

– Uji

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here