Dëshmia e ish-drejtorit të “Albtrans”, Lorenc Nenshati
KONTRABANDA E ENVERIT ME ‘MARLBORO’ AMERIKANE
Kujtimet e ish-drejtorit të ndërmarrjes “hije”. Për herë të parë zbardhet enigma 25-vjeçare e kontrabandës shtetërore me cigaret amerikane në Shqipërinë komuniste të viteve 1967-1991
***
“…Biznesmeni hebre, duke argumentuar se shqiptarëve u detyrohej për jetën, pasi ata e kishin strehuar dhe mbrojtur gjatë viteve të vështira të Luftës së Dytë Botërore, propozon një biznes fitimprurës për të dyja palët: Shqipëria komuniste të bëhej pjesë e një linje të kontrabandës së cigareve të markave nga më prestigjiozet si, “Marlboro” apo “Winston”, që të gjitha të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte oferta: një propozim që do ta përfshinte shtetin komunist shqiptar në ndarjen e një fitimi që, në vitet më të arta, do të arrinte të kapte miliona dollarë në vit.
Për çudi, Enver Hoxha, kontrolluesi absolut i pushtetit të komunistëve shqiptarë, një personazh që gjithë jetën do t’u paraqitej bashkështetasve dhe të interesuarve të tjerë si njeriu më parimor në botë, e miratoi që Shqipëria të përfshihej në vorbullën rrezikshme të tranzitimit të cigareve amerikane në mënyrë të paligjshme. Sa duket, joshja nga valuta e fortë ishte më e pa rezistueshme sesa refuzimi që diktohej nga parimet e shtetit komunist, të stilit “Gjithçka me forcat tona !”
Ferdinand Dervishi, gazetar
***
AUTORI LORENC NENSHATI:
…Jo shumë kohë përpara se të arrestohej ish- ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, isha për vizitën e datëlindjes të tij bashkë me gruan. Isha i vonuar sepse kur e pati ditën isha në Romë me një shërbim të shkurtër. Sidoqoftë e ndjeja si detyrë sepse të gjithë shokët e kishin kaluar këtë qokë. Ishte pasdreke vonë, pothuajse natë. Na pritën shumë mirë, pas rreth 30 minutash erdhi edhe Kadriu vetë.
Që kur hyri dukej nervoz, e morëm vesh se kishte dalë nga një mbledhje e Byrosë Politike. Na përshëndeti me fjalët e zakonshme duke hequr pallton dhe sapo erdhi në drejtimin tonë u shpejtua të thoshte: “Si ka mundësi të zhvillohemi me “forcat tona”, ky parim kërkon kushte që ne nuk i kemi” …!
Kur dolëm nga vizita një grup sigurimsash po përshkonte rrugën para shtëpisë të tij, të rreshtuar si rosat në fluturim. I pari, drejtori i Drejtorisë së Dytë, dhe anash tij, një gjysmë hapi më prapa, vinin njëri pas tjetrit edhe 4 vetë të tjerë sipas rangut.
Të kishte qenë një shëtitje e zakonshme?!…
(Pjesë nga libri “Albtrans ‘Top Sekret’”)
ALBTRANS ‘TOP SEKRET’
Autor: Lorenc Nenshati
Botues: BOTART
Numri i faqeve: 190
Çmimi: 800 lekë