Nga natyra jam njeri që e dua aktivitetin, e dua punën dhe socializimin. Punoj në këtë fushë, gazetarinë prej më shumë se dy dedakash dhe duke qenë se edhe adoleshencën e kam kaluar të mbrujtur në mendje që duhet të njihja sa më shumë njerëz që kishin botë, për të njohur edhe botën e fushës në të cilën isha pjesë.
Letërsinë dhe gazetarinë i kam dashur gjithmonë, i kam parë si një simbiozë jetike për njëra-tjetrën dhe për veten e për të lulëzuar kjo simbiozë, duhej vlerësuar edhe fryma e saj, njeriu.
Të jesh sociale është ndoshta një nga gjendjet me të cilat bekohesh për të jetuar një jetë të bukur, rrethuar me miq e të njohur. Për disa shtete, që nga dhjetori i vitit të kaluar jeta ka ndryshuar plotësisht, e për disa të tjera, që nga muaji mars i vitit 2020, kjo si pasojë e virusit ‘Covid-19’, i cili ka ndikuar që bota të ndalojë së funksionuari, në shumë aspekte.
Lidhur me ketë, në pranverën e këtij viti, Shqipërisë i ndodhi diçka e papritur, e pamenduar, e paplanifikuar dhe e kapi njerëzimin në befasi, gjithçka u bllokua, u katapultua mënyra e jetesës, u shemb kulti i lirisë. Nga përditshmëria, takimet, përqafimet, socializimi jeta jonë mori një kthesë të rrezikshme dhe të frikshme në të njejtën kohë, u ndaluan takimet, nuk mund të përqafonim askënd, madje as familjarët, duhet të ruanim distancën sociale sepse në mbarë botën jetë njerëzish po humbnin çdo ditë, me qindra e mijëra bijë nënash. Si mundet që një virus, të cilin as nuk e shohim të na ndryshojë jetën kaq shumë? Të vetmit që mund të punonin dhe të shkelnin në rrugët boshe ishin gazetarët, ku edhe bëj pjesë, policia e cila ndoshta është më e rraskapitura në këtë situatë dhe mjekët, heronjtë e vërtetë të Covid-19 pa të cilët sot nuk do isha as unë këtu për të treguar mënyrën si e përjetova izolimin por as ju për ta lexuar. Duke qenë se kisha mundësinë që të lëvizja lirshëm sepse puna ime kërkonte që të isha në detyrë, më lehtësoi përjetimin negative të kësaj situate. Rrugët ishin bosh, në çdo orë të ditës, përveç fashove të lejuara për të plotësuar nevojat bazike në markete apo farmaci. Vetrata e qepene të kyçura, fytyra të ngrysura njerëzish që vetëm shpresë nuk lexohej askund, maska, doreza, dezifektante nëpër duar, spote televizive që na mësonin si të lanim duart, rrjete sociale të mbushura me mllefe, njerëz që nuk mund të përballonin mbylljen totale, frikë, ankth nga e panjohura. Këto e shoqëruan Shqipërinë, e konkretisht Tiranën në javët e para të izolimit. Ajo që ndjeja tek personazhet që intervistoja nuk ishte vetëm frikë, por edhe një klithmë për ndihmë pa ditur se kujt t’i drejtoheshin. Mundoheshin të mbanin veten dhe të dilnin sa më mirë, në shkrimet që realizoja me ta dhe në të njëjtën kohë më transmetonin përjetimin e tyre e bashkë me ta “vuaja” edhe unë. Rutinë më të shëmtuar nuk kam përjetuar, ora 7:00 isha gati, badge (Karta e Identifikimit te Gazetarit), çanta e mbushur me shkresa pune, kafe turke dhe kompjuteri, skype mundësia e vetme ku komunikoja me personazhet , si për t’i dhënë forcë për ta kapërcyer errësirën që na kishte mbuluar. Unë isha e lirë të lëvizja, por kë të takoja, me kë të shkëmbeja një shaka?! 3 muaj jetuam me frikë, frikë e cila ende është mes nesh por besoj se ia dolëm, sepse dielli i shpresës duket po ndriçon përsëri. Kemi rinisur jetën, me frikë por jemi të fortë, dimë se të mos takohemi për disa kohë është në të mirën tonë dhe kur të përqafohemi do jetë gjëja më e bukur që kemi bërë ndonjëherë, që e kishim por nuk ditëm ta vlerësojmë. Ama, jemi bërë më të fortë, ia kemi dalë gjithmonë, nuk do na mundë një virus i cili do vdesë nga dashuria jonë…!