Në këtë jallane ka të papritura sa të duash. Punoj në një zyre vet i dytë, lidhur me kërkesat dhe ankesat e popullit. Dikush ankohet, tjetri kërkon, i treti proteston. E kështu me radhë. Njeri ankohej se, një evgjit po ngrinte kovaçhanën bri lokalit të tij, që shiste ëmbëlsira. Ai thoshte se evgjiti bën aq tepër zhurnmë me bare e çekiç, saqë askush nga çiliminjtë nuk do futej më aty për të blerë pasta.

Një tjetër ankohej për kolegun e tij biznesmen. Ai shkruante se, kolegu po ngrinte një pishinë sportive bri hotelit të tij. “Mirë është pishina, -thoshte ai, -po sikur aty, larg qoftë të mbytet ndonjë nga klientët e tij, ku të futej ai, kallamkusuri me biznesin e vet? Apo të hidhej edhe ai në pishinë e të jepte shpirt aty njëherë e mirë!

-Ka shumë hajvanllëqe në këtë botë! – i thashë unë.

-Hajvanllëqe! Bah, e ke gabim. Këto janë gomarllëqe të vërteta. – ia ktheva.

-Po, por ja shumë gomarllëqe. Kjo don të thotë, se jemi shumë gomerë. Aq tepër, saqë duhet menduar siriozishte për ta.

– E çfarë mund të bësh për gomerët në këtë situatë? – e pyeta.

– Nuk e di, por një miku im i shkruajti ministrit të Bujqësisë e të Strehimit dhe të hapte me ta një fermë moderne në Karavasta. Po nga ministria i erdhi një përgjigje e dyshimtë e dashakeqe. Aty, midis të tjerash, i shkuanin se….”ministri nuk ka ç’u bën gomerëve që ka aty, brenda dikasterit e jo më të grumbullonte veshgjatët e udhëve. Mesa dukej, edhe ministrit, dikush donte t`ia fuste ujët nën rrogoz!

Një ditë më erdhi një tip vramuz. U ul, pa marrë leje dhe la mbi tryezë një pako.

Më tha se, shefi im i kishte mundësuar një leje ndërtimi dhe se ai erdhi për ta falenderuar.

-Po pse nuk shkoni te ai vetë? – e pyeta.

-Se ai më tha që te vija tek ti. Edhe kjo pako për atë është! më tha dhe doli pa përshëndetur. Prita sa erdhi shefi në zyrë dhe vajta i dorëzova pakon. Ai e hapi me ngathtësi dhe filloi të numurinte kartmonedhat. Më hodhi një shikim të zymtë dhe më tha.

– Këtu janë vetëm pesëmilionë.

– Unë nuk i numërova! – ia ktheva i hutuar.

– Po lipsej t’i numëroje, se ja si plekset lëmshi. Edhe kur paret i gjen në rrugë, duhet t’i numërosh. Se këtu duhej të ishin dhjetë milionë . Ndryshe të zë belaja.

– Njerëzit janë bërë të pacipë me këto ryshfete! – thashë unë, ashtu kot, më kot.

– Për këtë nuk të pyeta. Tani ik se i zgjidh vetë këto ngatërresa.

Unë do nga zyra i trullosur. Po në mbrëmje u trullosa ca më shumë. Në celularin më erdhi ky mesazh: “Jini i pezulluar nga detyra. Vendimi zyrtar ndjek postën”.

Kaq ishte e gjithë meseleja. Po deshe, ngrihu e fol kundër ryshfetit…. – përgjigja të vjen me postë elektronike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here