Në javët e para kur filloi izolimi
prej Covid-it
dhe forma e re e të punuarit dhe mësuarit hyri në fuqi,
u bë virale një video e një profesori të ftuar në BBC, të cilit iu futën fëmijët në dhomën e punës nga ku ai po komunikonte me gazetarin. Nëna e tyre i tërhoqi me shpejtësi t’i nxirrte jashtë dhomës, ndërkohë që eksperti u shpërqëndrua për ca çaste.
Ky rast është për të ilustruar sesi të punuarit nga shtëpia gjatë kësaj periudhe mund të jetë një sfidë më vete, gjithmonë nëse keni fëmijë të vegjël.
Çfarë të bëjmë? Puna duhet mbajtur por edhe fëmijët duhen sajdisur. Gjëja më e mirë është të kesh dikë që të kujdeset për fëmijët ndërkohë që ti punon. Por sërish në varësi të moshës, një fëmijë çamarrok gjithmonë do dojë të shkojë te prindi kur e di që është në shtëpi. Sado që të jesh në dhomën e punës, veçuar nga dhoma e ndenjes tek dera do dëgjohen trokitje nevoje. Mami, dua qumësht, mami u fik televizori, mama, hape derën, ça po bën?
Fëmijët nuk janë mësuar ende me këtë model pune. Ata mendojnë se kur prindërit janë në shtëpi, do të thotë se atyre mund t’u flasësh dhe t’u kërkosh gjëra e vëmendje në çdo kohë.
Atëherë a duhen përgatitur dhe trajnuar fëmijët? Hmm edhe kjo është vështirë me 3-vjeçarët për shembull. Mendoni pak, ju jeni në mes të një mbledhjeje online dhe papritmas të vjen djali i vogël e të kërkon t’i rregullosh çorapen. Kolegët nga ana tjetër do tregojnë mirësjellje, do buzëqeshin e do të të japin leje të vazhdosh, por sërish ti vihesh në siklet.
Ty ndoshta të shkon mendja me dredhi që me shpejtësi t’i heqësh zërin mikrofonit tënd në zoom dhe ta fikësh kamerën. Por prapë se prapë nuk do të ishte etike dhe s’mund ta përdorësh shpesh si marifet.
Fatmirësisht në disa vende, të paktën publikisht u jepet përparësi fëmijëve. Dhe punëdhënësit përpiqen të shfaqin empati në rastet kur punëmarrësve të tyre u dalin gjërat nga kontrolli prej forcave fëminore.
Se kur të zë rrota bishtin, duhet aktivizuar fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit për të përballuar sfidat që nuk i kishe në axhendë më parë. Kjo s’do të thotë se s’do e bësh punën. Do e bësh se s’bën, por duke e mbledhur mendjen që nuk je në zyrë dhe se fëmijët do t’i kesh vërdallë ndërkohë që ti punon. Shkurt, duhet me i dhënë kohën e vet gjërave të reja sa të zënë vend. J.D.