Kundërshtimi që nisin të shfaqin fëmijët
ndaj prindërve është një çështje e pranishme
dhe e njohur për familjet që kanë fëmijët në moshën 2-3 vjecare dhe paraqet jo vetëm një problematikë, por shpesh lë vend dhe për keqkuptime.
Keqkuptime, pasi fakti që fëmija fillon të kundërshtojë e të thotë jo, prindërve mund t’u duket si akt rebelimi apo sikur nuk po menaxhojnë dot edukimin e fëmijëve të tyre e që nuk po kryejnë rolin e tyre si prindër. Në fakt, asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Është mëse normale që fëmija rreth moshës 2-vjecarë të fillojë të thotë “jo”. Nuk është fjala se po kundërshton; por në këtë moshë është e natyrshme që fëmija të fillojë të shfaqë pavarësinë e tij, autonominë në atë që dëshiron dhe mendon. Në këtë pikëpamje, është një tregues i një zhvillimi të shëndetshëm k që fëmija të dijë të mbajë qëndrim mbi gjërat dhe ngjarjet që ndodhin rreth tij. Kjo, për sa kohë që kundërshtimi nuk kthehet në negativizëm dhe bëhet e vetmja mënyrë komunikimi.
Megjithatë, duke pasur parasysh që fëmija tashmë po rritet dhe fillon të paraqesë uni-n e tij, ka disa mënyra sesi prindi mund ta zbusë dhe kanalizojë pozitivisht kundështimin dhe refuzimin nga ana e fëmijës. Është shumë e rëndësishme që fëmija të ketë alternativa dhe mundësi zgjedhjeje; nëse i paraqiten disa të tilla ai sigurisht do të zgjedhë njërën prej tyre dhe nuk ka pse të thotë jo apo të kundërshtojë atë që prindi i thotë, sepse sigurisht po i lihet atij në dorë vendimmarrja dhe zgjedhja.
Fëmija duhet nxitur të mendojë individualisht dhe në mënyrë të pavarur. Kjo do të thotë se dhe në rastet që ai ju thotë jo, ta vlerësoni pozitivisht të menduarit e tij kritik.
Ju si prindër, përpiquni ta vendosni veten në vendin e tij. Fëmijët kanë shumë energji dhe dëshirë për të eksploruar cdo gjë që i rrethon. Duke qenë shumë kureshtarë, shpeshherë frustrohen e ndihen keq kur pengohen dhe nuk u lejohet të bëjnë atë që duan.
Ju mund të përpiqeni ta shpërqendroni përpara një situate në të cilën e dini që do të thotë jo; nisni një lojë, një rrëfim, një ngjarje, një tregim.
Natyrisht që fëmijës tuaj do t’i vendosni dhe limite, sepse i shërbejnë pozitivisht për t’u organizuar e për t’u ndjerë të pasigurt pa ankth. Por në cdo rrethanë, limitet duhen argumentuar, shpjeguar, komunikuar me qetësi dhe më përpara në kohë.
Burimi: Humanum.al