– Juliana, disa shkolla në vendin tonë janë bërë pjesë e projektit “Bëjmë detyrat e shtëpisë në shkollë”. Duam të pyesim në fillim, ju si psikologe a mendoni se janë të gatshme vetë institucionet shkollore për të marrë përsipër realizimin e projekteve të tilla?
-Projekti është një nismë për t’u marr në konideratë për arsye se nga ky projekt përfitojnë si prindërit po ashtu edhe fëmijët sepse bëjnë detyrat në prani të mësuesve dhe në rast paqartësie ata janë aty për t’i ndihmuar, ndërsa për prindërit që punojnë sidomos për nënat ky projekt është një lehtësim i madh. Por, një projekt i marrë shabllon nga një vend tjetër i perëndimit pa u parë me kujdes nëse i përshtatet vendit tonë në kuptimin që; A janë gati insitucionet tona? A zhvillohen orë praktike ne shkollat tona? A kanë menca këto shkolla ose në rast se ushqimi serviret katering a disponojnë salla ngrënie? Po orët e argëtimit gjatë dimrit ku do të kalohen?
1.Nëse një fëmijë do studiojë dhe bejë detyra për orë të tëra rresht, shkolla do të kthehet në një stres dhe vend i padëshiruar për të, prandaj duhet bërë një rishikim i orarit “bëjmë detyrat e shtëpisë në shkollë”.
2. Fëmijët do konsumojnë ushqimin e tyre të marrë nga shtëpia çdo ditë (sepse shkolla nuk e disponon ushqimin as në formën katering), gjithashtu edhe higjena nuk do jetë në nivelin e duhur për arsye të kushteve minimale që shkollat disponojnë. Problem tjetër në shkollat tona është edhe ngrohja e ambjentit e saj.
3. Trajnimi i mësuesve të cilët do të jenë pjesë e këtij projekti sepse është vënë re që pjesë e këtij projekti është bërë edhe zëvendësimi i mësuesve të paradites me mësues të tjerë. Edhe ndryshimin e mësuesit fëmija do kohë që ta pranojë.
– A nuk mendoni se do ndikojë keq në psikologjinë e fëmijeve kjo nismë imediate pa patur mundësinë e konsultimit por duke u vënë në punë në trajtë eksperimenti?
Sigurisht që kjo ndikon në psikologjinë e fëmijëve gjithashtu edhe në atë të prindërve sepse të dyja palët do të përballen me ndryshimin, por fëmijët janë ata që e ndjejnë më shumë. Si fillim prindërit vihen në dijeni dhe nëse pranojnë t’i bëjnë fëmijët pjesë të këtij projekti atyre duhet t’u lihet kohë që t’i përgatisin psikologjikisht fëmijët e tyre për të qenë të gatshëm në përballimin e këtij ndryshimi.
– Përse po ezaurohen fëmijët në emër të “projekteve”?
-Ndoshta dëshira e madhe për t’u ndjerë pjesë e Europës ose dhe më tej ka bërë që nisma të tilla të meren pa u parë me kujdes se çfarë duhet bërë dhe ndryshuar në këto shkolla, që projekti në fjalë të jetë jo thjesht i realizueshëm në formën ekzistuese por edhe i dobishëm pa u sforcuar asnjëra palë. Projekte pilot kaq të shpeshta në shkollat tona dhe të pa analizuara mirë të cilat më pas ngelen përgjysmë sepse dështojnë, fëmijët i ç’orintojnë, i sforcojnë , i bëjnë konfuz, të pasigurt etj.
– Në fund të fundit, çfarë benefitesh kanë fëmijët nga ky projekt kur të gjithë brezat paraardhes kanë bërë detyrat e shtëpisë në shtëpi. Mos ndoshta një kohë kaq e gjatë qëndrimi në shkollë ju ul atyre dëshirën për ta frekuentuar atë?
-Ide projektesh dhe ndryshimesh hidhen gjithandej edhe në vendet e tjera të botës me qëllim rregullimin e mirëqenies së individit. Dikur fëmijët mereshin nga shkolla nga gjyshërit apo nënat e tyre të cilat kujdeseshin vetë për ta sepse nuk punonin ose punonin pak orë, ndërsa tani nënat punojnë madje me kohë të plotë. Prandaj ide dhe projekte të tilla janë shumë frytdhënëse vetëm nëse ato analizohen me kujdes për përgatitjen e kushteve dhe kritereve me në qendër fëmijët. Pa plotësuar kushtet bazë si ngrohja e ambientit shkollor, menca, tualete, ambjente argetimi dhe rishikimi i orarit mësimor ku të reduktohen orët teorike me ato praktike (orët praktike dhe hapsirat e argëtimit ndihmojnë që fëmijët jo vetëm ta duan shkollën por i ndihmon edhe në zhvillimin e inteligjencës edhe ne mirëqenien e shëndetit mendor) nuk mund të meren nisma të tilla. Për këtë arsye projektet po dështojnë sa në një shkollë dhe më pas e nisin në tjetrën.