Prej 8 vitesh “Mjeshtër i Madh”,
autori i qindra teksteve muzikore dhe jo vetëm,
Jorgo Papingji ende nuk e ka marrë pensionin që i takon.
I ftuar në një intervistë ekskluzive në Vizioni I Pasdites, Papingji e renditi këtë moment të jetës së tij si një peng dhe se ende askush nuk i ka shpjeguar se ku shkon pensioni i veçantë që i takon atij prej 8 vitesh që nga marrja e titullit. Mes emocionesh dhe përulësisë të një artisti të madh ai u shpreh :
“Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë pse më ka ngelur peng. Ka lidhje me vlerësimin e punës sime, jo me vlerësimin formal se i kam marrë të gjitha, çmime, vlerësime, letra , fleta nderi, fleta lavdërimi. Nuk e kam kuptuar asnjëherë, kam tetë vite që kam marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dhe gjatë këtyre tetë viteve nuk ka dal ende vendimi që unë të marr pensionin e veçantë. Unë nuk e di dhe nuk besoj që jepet pas vdekjes. Në një moshë që jam unë do ta kisha marrë atë pensionin. Nuk e di arsyen, cila është mënyra e vlerësimit, kush e pengon këtë gjë ! Dua të them që më jepet apo nuk më jepet pensioni i veçantë unë pensionin e marrë në çdo takim me njerëzit, në cdo tavolinë që rri me njerëzit , në cdo rrugë që kaloj, me mijëra përshëndetje nga njerëzit e thjeshtë dhe të natyrshëm edhe nganjëherë ku bie rasti ju them që nuk e kam marrë pensionin, më thonë: “ Ti se ke marrë pensioni! Si ka mundësi..”- përfundoi Papingji. Duket e pabesueshme që një artist, një mjeshtër i muzikës si Jorgo Papingji të jetë lënë në harresë në shkresat e institucioneve, megjithatë ai nuk ka hezituar ti drejtojë një lutje gjithë atyre që mund të jenë në dijeni të kësaj procedure. “ I lutem atij që e ka në dorë këtë punë, të më thotë ccfarë duhet të bëj unë tjetër akoma, për të arritur të marr pensionin”, është shprehur mes emocioneve Mjeshtri i Madh i muzikës.