Media dhe lajme të shumta këto ditë janë pushtuar
nga informacionet dhe raportimet e lidhura me tërmetet dhe pasojat e tyre.
Fenomene të tilla natyrore janë në gjendje të shkaktojnë ankth dhe shqetësim, duke krijuar frikë nga tërmetet, edhe tek individë të cilët më parë mund të mos e kenë pasur këtë frikë.
Ajo që qëndron në thelb të kësaj frike, është frika nga fenomenet natyrore, një frikë e thellë, që lidhet me frikërat më të hershme dhe primitive të njerëzimit. Është një shqetësim ekzistencial, duke qenë se në periudha të tilla, individi bën “llogaritë” me jetën. Përballë forcës së natyrës dhe paaftësisë për të parashikuar apo parandaluar, qëndron ankthi nga e panjohura dhe pamundësia për të mbrojtur familjarët e fëmijët; ndjenja këto që shkaktojnë stres në nivel të lartë dhe zgjojnë pasiguri e deri në frikëra irracionale, atake paniku dhe ankthi.
Përvec rrezikut objektiv të lëvizjeve tektonike, kur këto tëfundit fatmirësisht përfundojnë, nuk duhet neglizhuar se një prej pasojave të mundshme, është që individit t’i mbetet një frikë e vazhdueshme mbi sigurinë dhe vazhdimësinë e jetës; duke u bërë shkak kështu për krijimin e një fobie apo ankthi të përgjithësuar.
Është e domosdoshme që në rastet e përjetimit të një ataku paniku apo të episodeve të ankthit gjatë kësaj periudhe, të kërkohet ndihma e psikologëve, për të mos lejuar që të kthehet në një ngjarje traumatike me efekte afatgjata të qëndrueshme. Në këto situata, nuk këshillohet të izolohemi në frikën që përjetojmë, që ta mbajmë atë të brendësuar. Është e rëndësishme ta shprehim e ta flasim, sigurisht duke mos lejuar që të jetë e vetmja gjë për të cilën diskutojmë. Nga ana tjetër, është thelbësore të vlerësojmë objektivisht rrezikun, për aq sa është, duke mos e amplifikuar dhe ekzagjeruar në lajme apo frikëra të panevojshme.