Pija cigare
– Para dy netësh kam parë ëndërr sikur po pija duhan dhe e pija shpejt.
Në realitet, unë e urrej duhanin.
– Pirja e duhanit ka lidhje me një shqetësimin tuaj dhe kryesisht, me shëndetin. Ju po përpiqeni ta mbroni veten dhe të tjerët nga ajo që ju shqetëson. Gjithsesi, ndoshta keni krijuar edhe varësi ndaj diçkaje ose ndonjë personi në veçanti dhe kjo po merr përmasa serioze, ndaj jeni shumë e shqetësuar. Pra, ëndrra tregon një shqetësim. Nëse është kështu siç ju themi, atëherë jepini kurajo vetes dhe luftoni ndaj varësisë që të ndiheni më mirë dhe të mos shikoni ëndrra të tilla.
Dielli i fortë
– Kam parë në ëndërr sikur isha në një vend ku ofrohet fizioterapi dhe futej një diell i fortë nga dritarja. Rrezja binte më së shumti në shtratin ku do të shtrihesha, prandaj mundohesha ta mbyllja perden. Një shok aty më thoshte të mos e mbyllja se ishte mirë dhe se kjo do ta inatoste pronaren. Mundohej të ma mbushte mendjen dhe më afrohej duke më parë në sy, shumë pranë meje. Ç’do të thotë kjo ëndërr, ju lutem?
– Kjo është një ëndërr shumë e mirë, që parashikon gjëra pozitive në jetën tuaj. Nëse keni ndonjë problem shëndetësor, një ëndërr e tillë tregon që është kalimtare dhe ju do ta merrni veten. Nëse ka diçka që çalon në jetën personale në punë, në shkollë varet çfarë statusi keni ju, gjithçka do të përmirësohet tani e tutje. Dielli i fortë, rrezja që ju prek juve është një parashikim shumë i mirë dhe tregon që do ta merrni veten. Shoku janë këshillat që ju janë dhënë kohët e fundit dhe që duhet t’i zbatoni, pasi janë në të mirën tuaj.
Retë e zeza dhe kali
– Përshëndetje. Kam parë në ëndërr sikur ndodhesha në oborr dhe po shikoja nga qielli që ishte i mbushur plot me re të zeza. Në një moment u shfaq një kalë larosh që ecte lart në qiell, pastaj shkëputej e vinte në tokë, duke ecur përsëri dhe më pas ngrihej lart në qiell. Me mua ishte edhe gjyshja. Ju lutem, më tregoni, çfarë kuptimi ka?
– Shfaqja e qiellit në ëndërr ka shumë kuptime. Në rastin konkret, duhet të keni kujdes nëse keni bërë plane për një projekt, udhëtim apo diçka tjetër. Gjithsesi, mos u nxitoni të merrni vendime për ta realizuar planin për momentin. Retë e zeza nuk janë një paralajmërim i mirë, ndaj mos u nxitoni. Kali jeni ju që përfaqëson një person të fortë, guximtar, fisnik, që është gati të marrë përsipër çdo rrezik, vetëm për të arritur atë që dëshiron. Ama, ëndrra ju paralajmëron që për momentin, nuk duhet të merrni asnjë vendim. Gjyshja përfaqëson pjekurinë, këshillën, që ka lidhje me çfarë ju thamë gjer tani.
Shtatzënë
– Jam shtatzënë në muajin e fundit dhe kam parë në ëndërr sikur shkova te mjeku gjinekolog e u ankova. Unë isha e veshur me një mantel të zi të banjos. Ai mjeku në ëndërr nuk më kushtonte kujdes, sikur nuk jam fare shtatzënë dhe unë i thoja: “Sikur të jem duke vdekur, ty nuk ta ndjeka fare”. Pastaj erdhën edhe dy gra për kontroll. Ai u mor me ato dhe mua më la pas dore. Ç’do të thotë kjo ëndërr?
– E nderuar zonjë, është normale të shikoni ëndrra të tilla, aq më tepër që qenkeni në muajin e fundit afër lindjes. Jeni në ankth, nuk e dini si do të shkojë, keni frikë nëse do t’ju kushtojnë vëmendjen e duhur mjekët etj. kështu që mos u shqetësoni. Ëndrra ka lidhje me frikën tuaj, por asgjë e keqe nuk do t’ju ndodhë. Gjithçka do të shkojë shumë mirë, ëndrra tregon të kundërtën. Do të thotë që mjafton të rrini e qetë dhe lindja do të shkojë shumë mirë. Ju uroj lindje të lehtë dhe jetë shëndetshme e të gjatë fëmijës suaj.
Flokët dhe trëndafilat
– Kam parë në ëndërr sikur prisja në dy vende flokët dhe i shndërroja në trëndafila të kuq. Arrita të krijoja vetëm dy trëndafila të cilët ishin natyralë. A ka ndonjë shpjegim kjo ëndërr? Faleminderit.
– Ëndrrat me flokë kanë shumë kuptime. Në rastin konkret, ëndrra tregon që ju do të keni ndryshime me rezultate pozitive. I keni prerë dhe i keni shndërruar në trëndafila dhe ky është një parashikim i bukur, ndaj besoni që ngjarje të bukura do t’ju ndodhin në vazhdim.
Në shkollë
– Kam parë në ëndërr sikur të shtunën isha në shkollë dhe nuk kisha bërë detyrat. Papritur, mësuesja e matematikës më ngriti dhe, pa i thënë unë që kisha bërë detyrat, ajo më vuri 4. Sapo u bëra gati t’i thoja: “Pse ma vute këtë notë?”, u zgjova nga gjumi.
– Nëse nuk e keni kaluar, do të kaloni një periudhë të vështirë. Përgjithësisht, ëndrrat me detyra të vështira apo provime, sidomos kur merrni nota jo të pëlqyeshme, përfaqësojnë vështirësitë në jetën e përditshme. Duket sikur çdo gjë ju ecën me vështirësi në këtë periudhë, por mos u mërzisni sepse është kalimtare. Ëndrra nuk ka lidhje me shkollën, por me jetën që bëni ju çdo ditë.
Fitoi llotarinë
– Një shoqja ime ka parë në ëndërr sikur po luante në Telebingo dhe kishte fituar. Numri fitues ishte X. Unë u habita dhe e pyeta se ç’ishte ky numër. Ajo më tha e entuziazmuar: “Çfarë rëndësie ka? Unë kam fituar!”. Çfarë kuptimi ka?
– Një ëndërr e tillë tregon dëshirën e shoqes suaj për të jetuar një jetë pa patur shumë shqetësime financiare dhe materiale. Duket që ka ca probleme financiare, ndaj ëndërron që një ditë të arrijë të jetojë e qetë, pa e patur mendjen te vështirësitë ekonomike. Shenja X paraqet diçka të ndaluar, por shumë shpejt do të shpërblehet për këtë gjë. Tani duket se është në vështirësi, por shumë shpejt do t’i hapet një dritë jeshile dhe do të jetë e kënaqur në këtë pikë.
Krimbat në trup
– Ju lutem, më thoni, ç’do të thotë të shikosh krimba në ëndërr? Unë sikur kisha nëpër rroba. Ishte një ëndërr e shpifur, por nuk e mbaj mend me detaje. Po mundohesha t’i hiqja, por nuk ia arrija dot.
– Ëndrra juaj parashikon një lloj dobësie në përgjithësi në shëndet, por edhe psikologjikisht dhe shpirtërisht. Duhet të keni kujdes nga personat e shtirur që ju rrethojnë kohët e fundit. Këshilla në këtë rast është që të kujdeseni në radhë të parë për shëndetin dhe të mos i lini pas dore ca probleme që keni, edhe nëse duken të vogla.