Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Amaneti që nuk e mbajta dot

Nuk e di çfarë më shtyu të shkruaja edhe unë historinë time

e cila po më mundon prej një kohe shumë të gjatë.

Ndihem shumë i penduar, nuk ndjehem mirë me veten time.

Advertisement

E di që kam gabuar me të vërtetë shumë. Unë që po ju shkruaj jam një burrë rreth të 50-ave, i arsimuar për inxhinier dhe mjaft i realizuar në jetën time profesionale. Historia që do t’ju tregoj ka të bëjë me familjen time, e cila përbëhet nga 2 motra dhe 1 vëlla që ka gati 10 vjet që është ndarë nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Vëllai im i ndjerë ka dy vajza të mrekullueshme. Aktualisht, njëra vazhdon studimet e larta për gjuhë të huaj Anglisht dhe e vogla është në shkollë të mesme. Ato të dyja janë si vajzat e mia dhe unë gjithmonë i kam konsideruar të tilla sepse unë akoma nuk kam krijuar familjen time dhe tani, ato janë mbështetja ime më e madhe sepse mosha bën gjithashtu të vetën.

Familja jonë, përpara se im vëlla të ikte nga kjo jetë, ka kaluar mjaft momente të vështira. Jo se më dukej mua, por e gjithë vëmendja për t’i mbështetur apo ngushëlluar ishte nga unë, pasi edhe të dy prindërit tanë ishin në një moshë kur humbja e fëmijës është mjaft e rëndë. Kur mësuam se vëllai im ishte sëmurë dhe doktorët na thanë se edhe pak kohë i kishte mbetur për të jetuar, u bashkuam për të qenë të përgatitur për atë çka do të ndodhte. Ai ishte mjaft i ri… Në atë moshë që ai u largua nga kjo jetë, ndoshta shokët e tij akoma nuk e kishin nisur jetën, kurse ai po linte pas dy fëmijë të mrekullueshëm, të cilëve, kur ishte në ditët e fundit të jetës së tij, u thoshte sapo ktheheshin nga shkolla: “Hajde qëndroni pak me babin dhe pastaj vazhdoni e mësoni”. Edhe pse ai nuk dinte gjë për sëmundjen e rëndë që kishte, sikur ia ndjente shpirti që do të largohej nga kjo jetë dhe pika e tij e dobët e amaneti që më la ishin dy vajzat e tij. Sëmundja e pashërueshme u egërsua dhe nuk e zgjati shumë e ai u largua nga kjo jetë. Nuk i harroj fjalët e tij të fundit, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë: “Arben, amanet vajzat!”.

Dy vjet pas humbjes së vëllait, u ndanë nga jeta të dy prindërit e mi, të cilët nuk e duronin humbjen e djalit të tyre mjaft të ri dhe i shkuan pranë. Fatkeqësitë në familjen tonë ndodhën njëra pas tjetrës. Nuk e kuptonim as vetë se çfarë po na ndodhte. Familja e tim vëllai nga ana tjetër kishte nevojë për mbështetje, vajzat ishin gjatë rritjes dhe në një moshë kur fëmija ka nevojë sidomos për prezencën e babait në shtëpi. Vajza e madhe u rrit dhe ishte në vit të parë gjimnaz. Nusja e vëllait tim ishte pothuajse gjithë ditën në punë që të plotësonte nevojat e familjes dhe kërkesat e vazhdueshme të dy vajzave. Unë dhe dy motrat e mia, sa herë kemi pasur mundësi, i kemi ndihmuar. Unë, çdo të shtunë ose të dielë i merrja të dyja vajzat dhe i nxirrja jo sepse vëllai im m’i kishte lënë amanet, por sepse ato të dyja më konsideronin në vend të babait të tyre. Dilnim të tre bashkë, argëtoheshim e flisnim për gjëra të bukura dhe unë mundohesha sadopak t’i përshtatesha moshës së tyre, që të kishim një komunikim sa më të mirë. Në një moment, fillova të shqetësohesha si pa kuptim për vajzën e madhe të tim vëllai, Elën. Harrova t’ju them se atë, aq shumë e dua, sa i kam vënë dhe emrin kur lindi. Ishte fëmija i parë në familjen tonë dhe të gjithë ndiheshim të lumtur kur ajo erdhi në jetë. Shpeshherë bënim shaka dhe më thoshte se nuk i pëlqente emri që i kam vendosur.

Një ditë, teksa po kthehesha nga puna, rastësisht, takova Elën. Ishte e shoqëruar me një djalë, të cilin ma prezantoi si shok klase. E pyeta ku po shkonim dhe më tha se kishin një detyrë kursi dhe ishin një grup i organizuar që do të takoheshin. E besova dhe ika atë ditë për në shtëpi. Në fundjavë, u takuam dhe, gjithmonë kur dalim, unë shkoj e i marr në shtëpi. Atë ditë takova edhe nusen e vëllait tim dhe i tregova që para disa ditësh kisha takuar Elën, që ishte bashkë me një shok sepse kishin një detyrë kursi për të përfunduar. Ajo u habit sepse Ela nuk i kishte thënë atë ditë që do të dilte sepse kishte një detyrë kursi. E ëma e dinte se Ela kishte qëndruar si zakonisht, në shtëpi. Nuk e diskutuam në shtëpi këtë gjë dhe, kur dolëm, fillova të flisja me Elën si dy shokë, që të arrija të kuptoja se ndoshta mes tyre mund të kishte diçka më shumë, por atë ditë, ajo, shumë e mërzitur, më tha vetëm kaq: “Jemi thjesht shokë klase, asgjë më shumë!”. Nuk e zgjata shumë, por më shqetësonte gjatë gjithë kohës fakti që atë ditë ajo kishte dalë pa lajmëruar mamanë e saj. Pasi kaluan disa ditë, vendosa ta ruaja gjatë kohës që ajo doli nga shkolla dhe gjatë gjithë rrugës që bënte për të shkuar në shtëpi. Kur doli nga shkolla, doli përsëri e shoqëruar me djalin që e kisha takuar atë ditë. I ndoqa derisa ata të dy u ndanë. Ai e përcolli deri te dera e shtëpisë, u puthën dhe ai u largua, kurse Ela u fut në shtëpi. Isha shumë i zhgënjyer, shumë i irrituar dhe në atë moment, shkova direkt drejt shtëpisë. I rashë derës, u futa brenda dhe i kërkoja Elës shpjegim se përse na kishte gënjyer, ndërkohë që vazhdonte të dilte me atë djalë. Në bisedë e sipër, ajo më tha: “Është jeta ime dhe unë bëj çfarë të dua!”. Aty, nuk e di se si e bëra atë gjë, por e qëllova me një shuplakë në fytyrë. Nuk e harroj dot atë moment! Nuk e di se si ndodhi, nuk e prisja që ajo të shprehej në atë mënyrë.

U largova shumë i shqetësuar dhe shumë i nevrikosur. E lashë disa ditë të qetë dhe prapë bëra të njëjtën gjë, e ndoqa dhe atë ditë e pashë të shoqëruar me një djalë tjetër, i cili erdhi dhe e mori me një makinë luksoze, sapo doli nga shkolla. Nuk e kuptoja se çfarë po bënte kjo vajzë, se në çfarë rruge ishte futur, sepse nuk jepte asnjë shpjegim, e vetmja gjë që dinte të thonte qe se ishte jeta e saj dhe se nuk kishte ç’na duhej neve. Nuk e kuptonte se si po vepronte dhe se çfarë gjërash po bënte. Zënkat midis meje dhe Elës filluan të përkeqësoheshin edhe më shumë, aq sa unë arrita të vija përsëri dorë mbi të. Nuk e kuptoja se si, po nuk kishte mënyrë tjetër se si të sillesha me të. Dita-ditës, në shtëpi kishte nga një problem të cilin e shkaktonte ajo. Nuk e kuptoja dhe vetë se si kishte arritur deri në atë gjendje, të binte nga mësimet dhe madje të rrezikonte edhe vitin shkollor nga mungesat e shumta që bënte. Po më sosej durimi. Nga njëra anë më vinte keq edhe për nusen e tim vëllai e cila robëtohej gjithë ditën në punë dhe kishte edhe këto probleme në shtëpi. Mundohesha të flisja me Elën, ta mbaja afër që të më tregonte çdo gjë për jetën e saj, por tashmë ishte e kotë, Ela ishte futur në një rrugë pa kthim.

Në një moment, hoqa dorë nga përpjekjet e mia. Ela arriti një moshë ku ishte e përgjegjshme për veprimet e saj dhe unë nuk e pengova në asgjë. Tashmë, ndihem fajtor me veten time se si nuk arrita të çoja deri në fund amanetin e tim vëllai që të kisha një marrëdhënie të mirë me dy vajzat e tij dhe jo ne të përfundonim kështu, që Ela edhe sot e kësaj dite nuk më flet sepse unë kam vënë dorë mbi të. Ajo ndoshta ka të drejtë, por unë nuk dija si të sillesha ndryshe dhe, për këtë gjë, ndjehem shumë keq. Shpresoj që një ditë të arrijmë të flasim bashkë si dy njerëz të rritur dhe, mbi të gjitha, ta kuptojmë njëri-tjetrin.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Striptistet e 4Elements super surprizë në festën e datëlindjes së Xhani Demikës..!

Next Post

Është më e vështirë të rrisësh djem apo vajza?

Advertisement