– Jam K. nga Saranda.
Para tre vjetësh doja një vajzë me inicialin L.
U njohëm kur ishim në shkollë, në vitin e katërt.
Ia kalonim shumë mirë, bënim shumë mbrëmje, kërcenim të dy, uleshim dhe bisedonim me orë të tëra, por një ditë dërgova prindërit t’i kërkonin dorën dhe ata nuk pranuan, gjë që mua më tronditi shumë. Të nesërmen, kur e takova në shkollë, më ndenji shumë e ftohtë, as “mirëmëngjes” nuk më tha dhe, që atë ditë, marrëdhëniet tona nuk po shkonin mirë. U mërzita shumë dhe kalova një gjendje shumë të vështirë. Pas disa ditësh, më kërkoi vetë që t’i flisja, u ulëm në një lokal, biseduam shumë gjatë dhe nxorëm si përfundim që të mos takoheshim më sepse mamaja e saj i kishte thënë: “Atë djalë që do të duash s’ke për ta marrë kurrë”. Që nga ajo ditë, ne s’jemi takuar më. Tani, kam një muaj që jam martuar, por s’mund ta harroj atë vajzë. Nusja ime e ka marrë vesh për këtë lidhje dhe, shpeshherë, për shkak të saj, grindemi shumë. Ju lutem, më jepni një përgjigje të saktë: Si ta harroj këtë vajzë? Grindjet e tepërta po më çojnë në ndarje. Unë nuk dua të ndahem nga nusja ime se edhe atë e dua shumë. Pres me padurim përgjigjen tuaj.
Redaksia: – Harresa është një proces i trurit të njeriut që ndodh për ta mbrojtur atë nga sasia e pafundme e informacionit, përjetimeve apo eksperiencave me të cilat mund të përballemi gjatë jetës. Ky proces është i shtrirë në kohë dhe, kryesisht, i pavetëdijshëm, por ngjarjet që njeriu i konsideron të rëndësishme për jetën e tij dhe/ose i ka përjetuar me emocione të forta (qoftë pozitive apo negative), është e vështirë që t’i nënshtrohen këtij procesi. Në rastin tuaj, një armë e fortë do të ishte vetëdija. Ju duhet të bëheni më i vetëdijshëm për momentet kur kujtimet e së shkuarës ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale. Në këto momente, në mënyrë të vetëdijshme duhet t’i spostoni këto kujtime nga mendimi duke u fokusuar te prioritetet e jetës tuaj aktuale: Familja që keni ndërtuar dhe dashuria për bashkëshorten. Me kalimin e kohës, do të ngelen thjesht kujtime, pa pasur ndikim emocional te ju. Jepini më shumë rëndësi familjes tuaj, sepse ajo është e juaja, është ajo që ju do dhe ju qëndron pranë.