Poezi nga Jakup Gjoçaj
Rrëmoj në sirtarët e kujtesës
fotografitë e tua që më dërgove
ato të atëhershmet
studente dhe më thoshe:
– Ishin për Ty…
Kërkova dhe gjeta
letrën e fundit që nuk munda të ta dërgoja
Fjalë të zverdhura në letër
Që kurrë nuk munda të t’i thosha
Që kurrë as Ti nuk i lexove….
Memorie e mbarsur me udhëtime
Në vendet tona
Ku u takuam për herë të parë
Ku të përqafova për herë të parë
Ku ti e para më puthe për herë të parë
Ku unë të putha për herë të fundit
vende, ku bashkë
Nuk do të shkojmë më kurrë…
Në cilat udhëtime
Unë do të të takoj?
Te cilat dallgë furtunash
Ti do thërrasësh emrin Tim?
Ledhatime, pa duar janë tashmë mendimet e mia për Ty
Ndjej buzët e tua të më prekin…
Në cilat nga vendet që jetuam bashkë do të të takoj?
në cilat rrebeshe shiu do shkruash emrin Tim?
E padukshme,
e paformë, pangjyrë prania e syve të Tu
që më shikojnë pa mëshirë
I trembur fsheh mendimet, porse Ti i shikon.
A i lexon vallë?
Në kë kohë do të të gjej
Në kë errësirë Ti do dëftosh emrin Tim?
Monologje pa shpresë janë katandisur fjalët e mia…
Veçse asnjë sekondë nuk kanë ndalur duke thërritur dashurinë për Ty…
Në cilat udhëtime dhe vende do takohemi
Në cilat Yje Ti do psherrëtish emrin Tim?…