Jam më së shumti e lënduar me ty,
me ty që më fale aq ditë të bukura edhe që dite të më tregosh se ç’do të thotë të dashurosh.
Ditët e para të njohjes sonë ti ishe aq i dashur e aq i ëmbël me mua,
ashtu si unë nuk e kisha provuar më parë, ndërsa në fund, u shndërrove në tjetër njeri. Një herë fillova të të urrej, fillova të të mallkoj me zemër për largimin, ndërsa tani që kam lexuar letrën tënde, kam kuptuar çdo gjë. Për këtë, të kërkoj njëqind herë të falur! Kam kuptuar se sa shumë më kishe dashur e sa shumë të kisha lënduar me fjalët e thëna…
Më falni lexues, sepse me këta rreshta dedikim, harrova të prezantohem… Unë jam Gena dhe jam një nënë e re që jetoj në një qytet të vogël të Shqipërisë. Vajza ime tani është 9 vjeçe dhe ajo është fryti i dashurisë sime të ndaluar. Kur unë isha në kohën e shkollës së mesme, një djalë nga periferia më vinte shumë vërdallë dhe ishte shumë këmbëngulës. Ai ishte shumë i bukur edhe shumë i shkathët. Në fakt, familja dhe fisi i tij nuk njiheshin si njerëz të mirë, pasi merreshin me punë të jashtëligjshme. Edhe vetë ky merrej. Të gjitha vajzat e qytetit i ruheshin njohjes me të dhe nuk e shikonin drejt në sy kur ai kalonte. Pasurinë që ai kishte atë kohë, shumë nga moshataret e mia e ëndërronin. Edhe unë në fakt vija nga një familje e varfër, kështu që edhe mua më bënte përshtypje. Të gjithë më ngacmonin sepse jo për të thënë, por në atë kohë isha shumë e mirë për t’u parë. Pas shumë mundimesh ai arriti të më tërheqë vëmendjen dhe të më bëjë për vete. Atë kohë, kur unë dilja e pija kafe me të në qytet, njerëzit filluan të më urrenin dhe të gjitha vajzat më shihnin me xhelozi. Fjalët edhe kujdesi i atij për mua më ngulën në zemër një dashuri që vështirë ta heq nga mendja edhe pas shumë vitesh. Ai do të shkonte në Itali me punë dhe më shpjegoi ekzaktësisht me çfarë merrej e çfarë bënte. U tregua shumë i hapur dhe unë u preka nga fjalët e tij. Familja ime më kundërshtoi për këtë lidhje dhe një pjesë e fisit tim madje nuk më përshëndesnin më në rrugë, mirëpo unë e doja dhe kjo ndjenjë ishte e pakontrollueshme e nuk njihte kufij. Isha një fëmijë i llastuar e nuk po dija se në ç`mesele po futesha. Mbaj mend një shprehje të tij, një shprehje që e kam gdhendur në zemër: “Sikur të mund të të merrja në dorë dhe të të mbroja nga gjithë ligësitë e botës do ta bëja, por ti je një flutur dhe shpresoj të fluturosh vetë larg ligësivë!”.
Unë, herë-herë qaja sepse më mungonte dhe e doja afër çdo moment, por lidhja jonë nuk ishte shkruar të shkonte si gjithë të tjerat. Pas një viti lidhje, mora një lajm të keq nga i cili u lëndova pa masë. Një komshie e imja më tha një ditë se ai kishte ardhur në fshat dhe kishte bërë fejesën me një vajzë tjetër. Nuk i besova sepse e dija që mami kishte qejf të më largonte dhe mendova mos e kishte futur mami, por nuk kishte qenë ashtu. Bëra çmos me shoqet dhe i gjeta numrin e telefonit. E mora në telefon edhe i kërkova shpjegim. Ai nuk pranoi të më takonte për disa ditë duke më nxjerrë justifikime të kota. Ajo ishte periudhë shumë e keqe për mua dhe mbështetje gjeta vetëm te cigarja. Vazhdova të pi pa pushim edhe nga tre paketa në ditë. Ato kohë vetëm qaja dhe u shndërrova në një 18 vjeçare që e shikonte tradhtinë në çdo gjë. Vendosa të hidhja dokumentet për ta vazhduar shkollën në Itali dhe të ikja nga qyteti im; kështu do të lija larg një pjesë të dhimbjes sime. Ika në Itali dhe u regjistrova në fakultet, mirëpo edhe pse nuk kisha persona pranë, kisha shumë kujtime. Ditët e mia ishin të zymta dhe nuk kisha më atë buzëqeshjen e dikurshme, por të paktën mami ishte e lumtur se isha larguar nga ajo vorbull thashethemesh. Mendoja si të ndryshoja të ardhmen time dhe të bëhesha një vajzë për t’u admiruar. Ai ndërkohë më kishte kërkuar, por shoqet e mia i kishin thënë që kisha vazhduar jetë të re. Pas tre muajsh, rastësisht takova një shokun e vet në Verona. Ai më përshëndeti dhe folëm pak. Kur më pyeti për atë, m’u mbushën sytë me lot. Edhe ai sapo kishte komunikuar me të, kishte shkuar e i kishte thënë gjithë situatën. Kështu, ish-i dashuri im nuk kishte lënë gurë pa lëvizur dhe një natë kur unë kisha dalë me ca shoqe italiane në muzikë live, u gjend aty. E pashë nga larg dhe për një moment, harrova atë që më kishte bërë. Zemra më rrahu si dikur kur isha në shkollë të mesme. Mora vrull dhe iu hodha në qafë duke qarë unë edhe ai. Ishim të dy si një vit më parë. Ishte fantastike dhe të gjithë aty u kthyen duke na parë. Të gjithë na duartrokitën dhe pasi u puthëm, unë mora çantën e ika me të. Atë natë fola pafund dhe qava para syve të tij duke iu përgjëruar të bënte hapa pas e të prishte fejesën. Sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndodhte, sepse ai kishte marrë një nuse për prindërit se vetë nuk do të jetonte në Shqipëri. Atë natë në krahët e tij ndihesha si e vdekur, nuk kisha as fuqi ta kundërshtoja, nuk kisha as fuqi të ikja. E kuptova se ai njeri më përkiste, edhe pse e dija se isha shumë gabim në këtë lidhje. Ai më kërkoi që të jetonte me mua, të merrte shtëpi dhe unë, pas disa ditësh që dola me të, u binda të ndiqja rrugën e zemrës. Gjetëm një shtëpi së bashku dhe unë u transferova atje. Familja ime nuk e dinte që unë jetoja me atë, por e dinte se jetoja me shoqe. Ai, ndërkohë, kishte ndarë ditën e dasmës dhe e mbaj mend si sot kur e përcolla në aeroport për Shqipëri.
– Kjo ditë duhet të ishte dita ime! – i thashë në lot.
Ai heshti dhe më përqafoi fort. Iku pa e kthyer kokën mbrapa, a thua se mua më kishte vetëm si një strehë ku ndihej i sigurtë. Sa e sa herë e kam menduar me vete se isha thjesht një e dashuruar e pashpresë. Herë-herë më dukej vetja shumë mjerane. Ai qëndroi një muaj në Shqipëri dhe unë çdo sekondë imagjinoja atë duke bërë dasmën dhe qaja pa fund. Nuk kisha guxim ta merrja as në telefon. Pas një muaji ai erdhi tek unë dhe më kërkoi të falur për gjithë vuajtjet që më kishte bërë të kaloja. Më kishte bërë 1000 trëndafila të kuq edhe një unazë floriri dhuratë. Isha shumë e bindur që më donte sepse e ndjeja në trupin e tij, në frymëmarrjen e tij dhe nga mënyra se si më përqafonte natën. Më betohej se ajo ishte një zgjidhje thjesht familjare, të cilën kurrsesi nuk e kishte bërë vetë. Unë, që isha mahnitur mbas tij, i besoja verbërisht. Gjatë kësaj kohe që jetuam bashkë, unë isha në shkollë dhe fillova edhe punë, ndërsa ai merrej me punët e tij, si përherë. Ikte në Milano e rreth e përqark Italisë dhe kishte raste që rrinte nga tre apo katër ditë pa më parë. Gjatë kësaj kohe, unë zbulova disa tradhti të tijat, mirëpo më thoshte se ishin vetëm gjëra kalimtare dhe unë nuk kisha guxim ta ndaja. Realisht, isha verbuar nga ai njeri. Po kaloja një periudhë të keqe dhe mendoja të merrja disa kursime e të ikja për Zvicër. Gjatë kësaj kohe, pata si dobësi në trup dhe fajin ua lashë trazirave dhe shqetësimeve shpirtërore që kalova. Ai më betohej se ato tradhti i kishte bërë për momentin dhe realisht, vajzat i shkonin nga pas sepse ishte edhe shumë i pashëm. Ika në spital për të matur tensionin dhe mjeku im më dha lajmin se isha shtatzënë. M’u bë shumë qejfi, edhe pse nuk dija se si t’ia shpjegoja familjes sime. Ika në shtëpi dhe ia dhashë lajmin e bukur. Ai më mori në krahë edhe më përqafoi me mall. Më puthi këmbët e barkun dhe nga gëzimi filloi të këndonte nëpër shtëpi. Atë natë m’u duk vetja femra më e lumtur në botë sepse në krah kisha mashkullin që doja dhe në bark kisha një dashuri të re. Pak nga pak, i thashë edhe mamit dhe ajo u lumturua edhe pse e dinte gjendjen time. Ajo më qëndroi shumë afër me këshillat që më dha. Mbështetjen e saj nuk e prisja. Ma bëri zemrën mal.
– Nëse ti e do dhe je shtatzënë, do të thotë që ai ndjen për ty edhe kështu, nesër pasnesër, edhe po të mos e kesh pranë, do ta kesh kujtimin e tij përgjithnjë! – më tha ajo.
Gjatë kësaj kohe dolëm nëpër qytet dhe bleva për vajzën tonë gjërat e para. Ishim shumë të lumtur për një periudhë, vetëm se ai e bënte rrugë për në shtëpi te prindërit shumë më shpesh. Gjatë kësaj kohe, edhe gruaja e tij ngelishtatzënë. Këto gjëra m’i tregonte mami im sa herë e merrja në telefon sepse i kisha kërkuar të më informonte mbi çdo gjë. Sa herë flisja unë në telefon me atë, vetëm më fliste ëmbël e me dashuri për mua dhe për vajzën që kisha në bark, ndërsa për familjen e tij nuk më hapte fare muhabet. Mua në mars më lindi vajza dhe ai erdhi tek unë, më qëndroi pranë. Mora edhe mamin tim e cila më jepte çdo sekondë përkrahje. Jetuam si një familje, si familja që unë gjithmonë kisha ëndërruar. Vuajtjet për mua ishin vetëm kur bënim debat për ndonjë gjë të vogël dhe direkt ai më kërkonte falje, kështu që me plot gojën pranë tij isha e lumtur. Duke qenë se kishte ca kohë probleme me shtetin dhe qëndroi disa kohë në burg, unë qëndrova shumë vetëm. Ikja e takoja sa e sa herë në takime, derisa dikur, bashkë me shokët e vet, gjetëm mënyrën për ta nxjerrë që aty. Mendoja me veten time se pse duhet t’i kaloja unë të gjitha këto, kur gruaja e vet hante, pinte, rrinte mbi shpatullat e tij dhe asnjë letër nuk ia kishte shkruar. Pasi doli nga burgu, ai vendosi të kthehej në Shqipëri se problemet ende nuk i kishte mbyllur. Unë nuk isha aspak dakord, por ky vendim u mor pa mendimin tim. Vajza ndërkohë rritej dhe kërkonte babain të cilin dukej sikur e kishte ende në burg. Një ditë duke folur me mamin, ajo më tha: “Merr vajzën dhe kthehu në shtëpi”. Kishin kaluar tre vjet dhe më kishte mbetur vetëm një vit fakultet, pasi në mësime kisha dhënë maksimumin.
U ktheva në qytetin tim pas shumë peripecish dhe pata jo pak vështirësi pasi të gjithë më pyesnin për vajzën dhe donin të dinin për jetën time shumë më shumë se ç`u takonte. Dihet si janë shqiptarët, vetëm muhabet duan. Aty u përballa me realitetin. Kërkoja mbështetje tek ai. E takoja nëpër kafenetë e qytetit, por më dukej shumë i ftohtë. Më puthte, më përqafonte, por kur i kërkoja të iknim në hotel, nuk pranonte. Mendoja me vete se mos ndoshta nuk i pëlqeja më apo mos ndoshta i ishte betuar dikujt që nuk do ta tradhtonte më, mirëpo kjo nuk kishte qenë arsyeja e vërtetë. Atë kohë vuajta shumë dhe qaja në sy të vajzës. E mallkoja dashurinë dhe besnikërinë time ndaj atij njeriu. Kudo ku dilja e këdo që takoja, më dukej sikur të gjithë më gjykonin. Vajza ime e gjorë ishte jetime me baba gjallë. I lutesha Zotit të ma falte këtë mëkat. Ndërkohë, gruaja e tij kishte lindur dhe flinte përnatë me dashurinë time në krahë, ndërkohë që unë flija vetëm. Takoja shumë shokë të tij dhe u qaja në tavolinë sepse nuk e kuptoja çfarë e kishte larguar aq shumë nga unë, por as ata nuk më dhanë një shpjegim për sjelljen e tij. Një ditë takova një mikun tonë të përbashkët të cilit i kisha besuar shumë gjëra dhe në Itali na kishte ndihmuar shumë. Ia tregova atij gjithë historinë që më kishte ndodhur dhe ai më premtoi se për disa ditë se do më tregonte të vërtetën. Këto fjalë më qetësuan disi, pasi doja të dija diçka; të paktën të qetësoja shpirtin. Ai më dërgonte lekë për vajzën nëpërmjet çunave të lagjes sepse unë nuk punoja, por kishte dy muaj pa më takuar. Disa herë mendoja me veten se mos kishte ikur jashtë, por nuk kishte ikur sepse më thanë ca kushërira të tij. Më thanë që kishte qenë ca kohë i shtruar në spital në Tiranë dhe desha të shkoja ta takoja sepse u bëra merak për të. I telefonova atij mikut tonë i cili do të më thoshte të vërtetën mbi ne dhe më tha: “Do të të dërgoj unë te spitali, ty dhe vajzën”. U vesha dhe bëra vajzën gati. Mezi po e prisja të vinte sepse doja ta takoja një minutë e më parë. Kisha dy muaj pa e takuar fare, vetëm kisha folur në telefon. Nëna ime më kundërshtoi, por nuk më pengonte dot të shkoja ta takoja. Doja ta shtrëngoja me dashuri e t’i thoja se më kishte munguar pa masë. Rrugës duke ikur, miku ynë, m’u duk shumë i mërzitur. E pyeta disa herë çfarë kishte, por më tha se çdo gjë do të bëhej më mirë. Vajzës sikur t`ia ndjente zemra, sa hymë në spital filloi të qante për të atin. U lëshova mbi të dhe u habita sa ishte dobësuar. Aty në kokë kishte të atin dhe të ëmën të cilët nuk i gëzoi vizita ime. U dhashë dorën atyre dhe e putha me shumë mall dashurinë time.
– Çfarë ke zemër? Ma thuaj! – pyesja me lot në sy, por nga ai nuk mora përgjigje, vetëm lot. Më zgjati një letër të shkruar me shkrim dore dhe më kërkoi ta lexoja kur të isha në shtëpi. Më kërkoi që t’i ngrija vajzën për ta puthur. Isha shumë e shokuar dhe realisht, më ishte mpirë truri. Dolëm nga spitali me një ndjenjë të keqe në stomak dhe ndërkohë që hipja në makinë, mendoja për letrën. Sa e sa ditë e kisha mallkuar për këtë largësi, sa e sa ditë e kisha mallkuar momentin e njohjes sonë. Tani që kisha filluar ta urreja sadopak ai më riktheu dashurinë vetëm me disa fjalë. Në letër shkruante: “E dashura ime, të kërkoj të falur për gjithë vuajtjet që të kam shkaktuar. Më beso këto ditë të fundit që po kaloj, ti dhe vajza jeni qendra e mendimeve të mia. Sa e sa herë e kujtoj kur ishe fëmijë dhe unë të vija nga pas me makinë. Ndoshta do të kishte qenë më mirë mos të të kisha takuar kurrë. Ndoshta tani do të ishe në punë, e martuar me një familje normale dhe me një burrë që të rrinte pranë, jo si ti që po bën 100 sakrifica për të rritur vajzën tonë, e vetme dhe me një nënë që po punon për të paguar faturat e energjisë. Dije që gjithë këto ditë që s`të kam takuar, kam imagjinuar çdo natë sikur bëja dashuri me ty. Në analizat që më kanë bërë në burg unë kam dalë me SIDA dhe kjo ishte arsyeja pse nuk të afroja si dikur. Nuk kisha guxim të të dilja përpara për të të thënë se një ndër tradhtitë e mia më kishte kushtuar kaq rëndë, kështu që vendosa të të shkruaja. Të kërkoj një nder. Të ikësh në spitalin e parë e të bësh analizat e tua dhe të vajzës. Të paktën shpresoj të mos jua kem lënë këtë tragjedi edhe juve në familje”. Kjo ishte letra e dashurisë sime të cilën e laj me lot sa herë e lexoj. Ka pasur raste kur e kam lexuar e rilexuar për orë të tëra. Ai vdiq pas një viti në spital dhe bashkë me të mori edhe dëshirën time për të jetuar. Sa e sa kohë e kisha urryer, por tani ajo urrejtje m’u kthye në dashuri dhe dhimbje. Këtë nuk do t`ia fal kurrë. Pse iku?! Pse na la në ditët më të vështira?! Unë edhe vajza fatmirësisht jemi shëndoshë e mirë, por unë më mirë të kisha vdekur me të. Kjo dashuri më shkatërroi jetën e çdo ditë luftoj për engjëllin tim të vogël sepse nuk kam arsye tjetër pse të jetoj. Tani jemi vetëm unë, ajo dhe mami im. Nuk ndihem më keq sa kur ai ishte gjallë dhe nuk kërkonte të më takonte, pothuajse është e njëjta dhimbje. Tani e kam kuptuar asryen e tij dhe e kam falur. Tani e kam kuptuar pse më rrinte shumë ftohtë dhe nuk më afronte në intimitet. Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që duruat të ndanit me mua dhimbjen që kam përjetuar. Në njëfarë mënyre, më keni lehtësuar!