Më fal o Zot, pasi kam mëkatuar dhe pikërisht ditën që duhet të kisha dhënë më shumë dashuri, ditën e Shën Valentinit.
Këtë që ka ndodhur nuk ia kam thënë akoma të dashurit tim dhe nuk besoj se do t’ia them,
por ky faj më rëndon aq shumë sa ndjej nevojën të flas me dikë dhe këtë dua ta bëj me ju.
Ditën e të dashuruarve kisha vendosur ta kaloja me të, shoqen time të ngushtë dhe të dashurin e saj. Kishim vendosur të hanim një drekë të katërt së bashku dhe kishim lënë edhe takimin. Unë dhe shoqja ime u nisëm të parat dhe u thamë djemve që po i prisnim atje.
Kur shkuam atje, duke qenë se nuk kishte shumë vende të lira u ulëm në një tavolinë e cila po zihej nga dy djem. Unë vrapova dhe u thashë:
“Çuna, na e lini neve këtë!”.
Ata qeshën. Njëri prej tyre, një tip i gjatë e i mbushur nisi të më shihte.
“Si quhesh?”, më pyeti.
“Ç’rëndësi ka!”, i thashë, “ju vetëm na lini tavolinën!”.
Ata u larguan, u ulën në tavolinën përballë dhe nisën të na shihnin. Sidomos djali që më foli më shihte ngultas. Në fillim mundohesha që të mos i ngrija sytë, por ishte e pamundur pasi e kisha përballë.
Më pas, kur u ngrita për të blerë diçka jashtë, ai më kapi nga krahu:
“Nuk ma the emrin!”, më tha.
“Zana!”, i thashë unë. “U kënaqe tani?”
“Pse nuk vini të uleni këtu me ne?”
“Sepse po presim të dashurit tanë!”, i thashë dhe u ktheva sërish në vendin tim.
Edhe më vinte inat, por edhe kisha një kuriozitet të madh për ta parë.
Ndërkohë, erdhi i dashuri i shoqes sime. Ai u ul përballë saj dhe nisën të bisedonin. Unë shihja djalin që kisha përballë, i cili kishte nisur të më fliste nga larg me shenja dhe sinjale. Më vinte për të qeshur, por mundohesha të mos i bija në sy të dashurit të shoqes, pasi mund t’i tregonte të dashurit tim që kisha një orë që e prisja. E merrja në telefon, por ai nuk e ngrinte. Nisën të më ngriheshin nervat. E mora me dhjetëra herë dhe ai vazhdonte të mos e ngrinte telefonin. Shihja herë shoqen time, e cila po bënte muhabet e qetë me të dashurin e saj, herë djalin që kisha përballë e që mundohej të më bënte për të qeshur dhe inatosesha akoma më shumë. Si kishte mundësi që Landi ta dreqoste edhe këtë ditë, ditën e festës, ditën e Shën Valentinit?! Kaloi edhe një orë tjetër dhe ai nuk po vinte. Ndërkohë, djali përballë vazhdonte të më shihte, madje po më tregonte me shenja numrin e tij të celularit. Më vinte edhe për të qeshur edhe për të qarë! Unë duhet të isha me të dashurin tim në ato momente! Pikërisht ndërsa mendoja kështu, ai më nisi një mesazh ku më thoshte se i kishte dalë një punë e papritur dhe nuk mund të vinte. Më kërkonte ndjesë dhe më thonte se më donte shumë. Aty u nervozova akoma edhe më keq. Ngrita kokën dhe pashë që edhe djali përballë e kishte kuptuar nervozizmin tim. Nisi sërish të më vizatonte në ajër numrin e tij të telefonit. E shkrova dhe i bëra zile. Ai qeshi dhe më shkroi një mesazh: “Mos u mërzit lepurushe! Shihemi më vonë!”.
Fjalët e tij sikur më ngrohën. Vetëm për aq kisha nevojë atë ditë, për një fjalë të ëmbël dhe për pak kujdes. I thashë shoqes sime që Landi nuk do të vinte dhe i kërkova që të largohesha. Ajo në fillim u habit.
“Landit i kanë dalë disa punë të papritura”, i thashë, “ndaj dhe unë dua të iki në shtëpi, se mbase dalim në darkë, ok? Ju bëni qejf!”.
U vesha dhe dola jashtë. Eca vetëm pesë hapa kur dëgjova derën e një makine që u hap. E dija që ishte ai. Qesha dhe ktheva kokën. Nuk isha gabuar.
“Hajde”, më tha.
Për një moment hezitova. Në fakt nuk e dija nëse doja të hipja te makina e tij apo jo. Solla ndërmend sërish të dashurin tim dhe mungesa e tij bëri efekt tek unë. M’u kujtua edhe një herë se si më kishte lënë vetëm.
“Shkojmë!”, i thashë djalit që kisha në krah.
Pasdite u ktheva në shtëpi. Ndihesha si në faj. Celularin e kisha mbyllur, por kisha frikë se mos Landi merrte në telefonin e shtëpisë. Gjatë gjithë kohës isha me gjak të ngrirë. Ashtu më zuri gjumi, pasi isha e lodhur.
Kur u ngrita, mamaja më tha se një shoku im kishte marrë me qindra herë në telefon. Hapa celularin dhe pashë që Landi kishte dërguar shumë mesazhe. Më vonë mblodha forcat dhe i telefonova.
Ai më tha që i vinte shumë keq që nuk kishte mundur të vinte, por mamaja e tij kishte pasur një problem me shëndetin dhe i ishte dashur ta dërgonte në spital. Ishte akoma atje me të. Nuk harroi të më thoshte edhe që më donte shumë. Në ato momente m’u neverit vetja ime! Ai kishte pasur mamanë sëmurë, ndërsa unë kisha shëtitur poshtë e lart me një të panjohur. Nisa të qaja, por e dija që ishte e kotë. Asgjë nuk e fshinte dot atë që kisha bërë. Vendosa që Landit të mos i thosha gjë. Pas dy ditësh, kur mamaja e tij u bë më mirë organizuam të dy një darkë romantike, vetëm ne. U kënaqa shumë! Ndjeva që e doja me gjithë shpirt. Herë pas here më dilte përballë fytyra e djalit të asaj dite. Shqetësohesha dhe bëhesha gati që t’i rrëfeja gjithçka Landit, por kisha frikë se mos më linte.
Akoma nuk ia kam thënë dhe nuk besoj se do ta bëj ama e di që ajo ngjarje më rëndon shumë. Sado që unë e quaj diçka të mbyllur dhe i them vetes që nuk do ta bëj më, nuk mund t’i shpëtoj kujtimit të asaj dite. Nuk di se sa do të vazhdoj ta ndjej këtë dhimbje, por një gjë është e sigurtë: Unë e dua Landin dhe do të bëj gjithçka për ta pasur pranë vetes sime përgjithnjë.