Skip to content Skip to footer

Si të sillemi me një fëmijë shumë të lëvizshëm?

Një fëmijë shumë i lëvizshëm është burim shqetësimesh jo vetëm për prindërit, por edhe për të afërmit.

Këta fëmijë shpesh nuk janë në gjendje të kontrollojnë veten dhe bëjnë veprime që nuk u pëlqejnë të rriturve.

Në raste të tilla nuk e ka fajin karakteri i fëmijës, madje as difektet e prindërve në edukimin e tij.

Fëmija shpesh “të shpëton nga duart” për arsye të disa çrregullimeve që ka në sistemin nervor qendror. Tani, një gjendje të tillë të fëmijës kanë filluar ta quajnë sindrom i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me superaktivitet. Kjo në fakt është një sëmundje nga e cila vuajnë afro një e treta e fëmijëve në botë, sidomos djemtë. Shkak i kësaj sëmundjeje mund të jetë trashëgimia, ndonjë ndërlikim gjatë barrës ose lindjes, ndonjë sëmundje tjetër e fëmijës, rrethanat jo të favorshme në familje ose kushtet e këqija ekologjike. Profesor Igor Pavlloviç Brjazgunov pranë Akademisë ruse të Shkencave shpjegon…

– Profesor! Ç’është sindromi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me superaktivitet?

– Emri i sëmundjes flet vetë. Fëmijët e prekur nga ky sindrom nuk janë në gjendje ta përqendrojnë vëmendjen për një kohë të gjatë në një drejtim të caktuar, ata e humbin shpejt interesin dhe nuk mund ta çojnë deri në fund ndonjë dëshirë të tyren apo vendim që e marrin vetë. Prindërit shpesh nervozohen me ta sepse fëmijët nuk i mirëpresin vërejtjet dhe këshillat e tyre, sidomos kur ata tregoohen shumë të lëvizshëm. Këta fëmijë zakonisht janë të organizuar keq, e kanë vëmendjen të shpërndarë, janë të hutuar, shpesh humbasin lodrat dhe sendet e tyre, ose në rrugë janë të pavëmendshëm ndaj mjeteve të transportit. Zakonisht ata janë llafazanë, nuk kanë durim t’i dëgjojnë të tjerët, e ndërpresin vazhdimisht bashkëbiseduesin, u imponojnë të tjerëve mendimin e tyre, u përgjigjen pyetjeve me nxitim pa pritur fundin e fjalës së atij që pyet dhe pa e dëgjuar atë deri në fund. Shenja të këtyre çrregullimeve mund të vihen re te këta fëmijë që në moshë të vogël. Eshtë shtrirë fëmija në krevat, për shembull dhe nuk pushon së lëvizuri këmbët e duart. Humori i tyre ndryshon shpesh. Tani shkulen së qeshuri, ndërsa pas dy minutash pëlcasin së qari për hiçmosgjë. Fëmija, që në këtë moshë nuk përqendrohet te lodrat e tij dhe kur të rriturit duan të merren me të, ai humbet shpejt interesin nga lodrat, librat ose pikturat. Disa fëmijë që vuajnë nga sindromi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes dhe superaktiviteti flenë keq dhe për një periudhë të gjatë urinojnë në mënyrë të pavullnetshme.

– A mund të zhduken shenjat e kësaj sëmundjeje?

– Në moshën trevjeçare, kur fillojnë të flasin, problemet me këta fëmijë shtohen. Në rast se dërgohen në kopësht, psikika e tyre u nënshtrohet provave të reja. Ata kanë vështirësi për t’u ambientuar në kopështe dhe në të gjitha ambientet e reja e mezi komunikojnë me njerëzit e rinj që njohin. Ata mezi i durojnë rregullat, mezi mësohen të bashkëjetojnë më një numër të madh fëmijësh. Sëmundja merr përpjesëtime më të gjera sidomos kur fëmija shkon në shkollë. Në mësim kërkohet prej tij vetëkontroll, disiplinë, gjë që këta fëmijë e kanë të vështirë ta arrijnë. Megjithëse janë shumë të aftë, ata mësojnë keq sepse i pengon mungesa e përqendrimit të vëmendjes dhe dëshira e papërballueshme për të lëvizur. Këta lloj fëmijësh nuk qëndrojnë dot në një vend. Shenjat e kësaj sëmundjeje mund të zhduken me kohë, por nganjëherë ato mbeten deri në përfundimin e shkollës, madje vazhdojnë edhe më vonë… Për pasojë ata shpesh mbyllen në vetvete, jepen pas veseve, pas alkoolit, narkotikëve. Prandaj sa më parë ta konstatojnë prindërit këtë sindrom te fëmijët e tyre, aq më mirë është.

– Dhe si mund të shërohen ata?

– Në shërimin e tyre, që fillon vetëm pas një kontrolli të fortë mjekësor, marrin pjesë zakonisht disa specialistë pediatër, psikologë, psikoneurologë, por në gjendjen e këtyre fëmijëve ndikon mjaft atmosfera që mbretëron në familje. Këta fëmijë kanë nevojë për qetësi dhe qëndrim dashamirës ndaj tyre. Çdo masë ekstreme në edukimin e tyre, çdo ndalim e dënim, janë shumë të dëmshme. Atyre nuk duhet t’u imponohen në asnjë mënyrë rregulla të rrepta. I vetmi rast kur mund të sillesh ashpër me ta është kur bëhet fjalë për ruajtjen e shëndetit dhe të jetës se tyre. Të gjitha kërkesat e tjera duhen bërë urtë e butë, në përputhje me aftësitë dhe mundësitë e fëmijës. Këta fëmijë nuk duhen ndëshkuar kurrë fizikisht, madje as duhen kërcënuar me pëllëmbë. Prindërit duhet të mësohen që në çdo rast të nisen nga anët e tyre pozitive dhe t’i inkurajojnë e lavdërojnë për çdo veprim që bëjnë, madje, edhe kur ky duket i parëndësishëm. Këtyre fëmijëve duhet t’u caktohen patjetër nga prindërit detyra të përditshme shtëpiake në përputhje me moshën. Prindërit është mirë të mbajnë ditare të posaçme dhe të ndjekin me kujdes përparimin e fëmijëve të tyre. U pëlqejnë shumë lavdërimet, prandaj për çdo veprim të mirë ata duhen shpërblyer me fletë lavdërimi, yje dhe shenja të tjera që u pëlqejnë shumë. Duhet të kenë këndin e tyre të lojërave dhe të “mësimit”. Në dhomën e tyre nuk duhen mbajtur pasqyra dhe sende të ndritshme, që mund t’u tërheqin vëmendjen. Inkurajoni çdo interesim që tregojnë ata për veprimtari të pavarur. Duhet bërë çmos që të zhvillohet tek ata ky interes sepse është e rëndësishme për këta fëmijë që ta ndjejnë veten të aftë, të zgjuar, të zotët për të kryer veprime të rëndësishme në fushat që atyre u pëlqejnë më shumë. Rëndësi të madhe për ta ka orari i veprimeve, sidomos orari i gjumit. Mosplotësimi i orëve të duhura të gjumit mund të ndikojë për keq te këta fëmijë dhe ta thellojë sëmundjen e tyre. Këta fëmijë kërkojnë një vëmendje të posaçme dhe prindërit duhet të kalojnë shumë kohë me ta. Për ata janë të vlefshme ngarkesat fizike, sepse kështu çlirojnë energjinë e tepërt. Bëni shëtitje të gjata në ajër të pastër, mësojini të merren me sport dhe gjimnastikë, por fryma e garës në lojë i dëmton, sepse i ekzalton, prandaj duhet evituar.

Leave a comment

0.0/5