Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

FËMIJËT DHE DYGJUHËSIA (BILINGUALIZMI)

Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi dhe element i identitetit kombëtar, por mbi të gjitha është tregues i identitetit social, matës direkt i zhvillimit të fëmijës, tregues i kontekstit në të cilin ai jeton dhe një prej parametrave kryesorë të të menduarit dhe zhvillimit kognitiv dhe i socializimit të fëmijës.

Shumë prindër duan të kenë fëmijë që flasin dy gjuhë.

Gjërat mund të bëhen pak a shumë në mënyrë të natyrshme, sidomos nëse njëri nga prindërit është i huaj ose nëse familja ka emigruar jashtë. Psikologia Lorela Garuli jep këshilla dhe informacione praktike që mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të flasë rrjedhshëm dy gjuhë…

Advertisement

Fabjola Kuburi:- Cila është mosha ideale për t’i mësuar fëmijës një gjuhë tjetër?

Lorela Garuli:- Kjo pyetje nuk shtrohet për një fëmijë të lindur në një familje mikse (me prindër që flasin gjuhë të ndryshme). Atij i duhen folur të dyja gjuhët që nga lindja dhe nuk ka moshë ideale për këtë sepse të dyja gjuhët mësohen njësoj si gjuhë nëne. Për shembull, nëse është një fëmijë shqiptar që jeton në Greqi dhe prindërit e tij flasin vetëm shqip, ai mund të fillojë ta mësojë greqishten që në lindje me një dado ose në çerdhe dhe më vonë, në kopësht. Deri afër moshës 5 vjeçare, fëmija do ta mësojë këtë gjuhë të dytë në mënyrë intuitive dhe të natyrshme, pa e kuptuar as vetë, sikur të jetë gjuhë nëne. Sigurisht, kjo bëhet duke ndërvepruar me të, jo duke e vënë për shembull thjesht para televizorit. Pas moshës 5-6 vjeçare, mësimi i gjuhës bëhet ndryshe. Fëmija e ka mësuar sa duhet gjuhën e parë, për t’u shprehur mirë. Atëhere ai do ta mësojë gjuhën e re si gjuhë të huaj. Flitet atëhere për mësimin e kësaj gjuhe të dytë. Në fakt, në këtë rast, ai do të krahasojë atë që mëson, me gjuhën e parë. Mekanizmi i mësimit është i ndryshëm: Ai do të përpiqet të kuptojë fjalët, pastaj të bëjë fjali, etj. Nuk ka moshë kritike. Mund të mësosh në çdo moshë; ndryshon vetëm mënyra e të mësuarit.

– Duke filluar nga cili nivel kuptimi-komunikimi të një gjuhe, mund të flasim për dygjuhësi?

– Dallohet dygjuhësia aktive dhe pasive. Kjo e fundit i përket një fëmije që i kupton dy gjuhët në ambientin rrethues dhe i kupton shumë, por nuk ndjen nevojën për të folur në gjuhën e dytë, pra, nuk flet në të. Kjo mund të ndodhë në momentin kur, në mjedisin e tij rrethues, të gjithë e kuptojnë atë që thotë ai. Marrim për shembull Greqinë, kur gjuha dominuese është greqishtja dhe gjuha e dytë, ajo e familjes. Është konstatuar shumë shpesh se, kur fëmija gjendet në vendin e gjuhës së dytë (në këtë rast, në Shqipëri), me familje që flasin vetëm këtë gjuhë, ai do ta zhvillojë këtë aftësi për ta folur atë. Kujdes, nuk duhet pretenduar që fëmija të jetë dygjuhësh që ditën e parë. Ai duhet të zhytet në këtë mjedis të paktën për disa kohë. Kjo mund të zgjatë nga disa ditë, deri në disa javë. Sido që të jetë, e rëndësishme në një mjedis që dominohet nga greqishtja, është të ruhet niveli i të kuptuarit në shqip, duke krijuar një mjedis kur fëmijët të dëgjojnë gjuhën shqipe, qoftë duke ua folur, qoftë me libra, dvd, muzikë, etj.

– A ka mundësi që fëmijët e dy prindërve njëgjuhësh të bëhen dygjuhësh?

– Po, është e mundur, sidomos nëse kanë një dado që u flet në gjuhë tjetër ose nëse shkojnë në një shkollë dygjuhëshe, por të paktën nga klasa e parë, deri në mbarim të nëntëvjeçares. Në fakt, gjithçka varet nga përkufizimi i dygjuhësisë. Nuk ekziston dygjuhësia e përkryer. Pra, një fëmijë që do të “zhytet” në një mjedis me një gjuhë të dytë, edhe me prindër njëgjuhësh, do të jetë gjithmonë më shumë dygjuhësh se ai që e mëson gjuhën e dytë në gjimnaz. Duhet të keni parasysh se kjo nuk bëhet në 2 ose 4 vjet; duhet shkuar të paktën deri në gjimnaz.

– Si e mëson fëmija një gjuhë të caktuar?

– Ndërsa prindërit kënaqen kur dëgjojnë beben e tyre 6 muajshe të thotë fjalët e para, “ba”, apo “ma”, në fakt, bëhet fjalë për riprodhim tingujsh. Këto gjysma fjalësh të shkëmbyera në familje, dalëngadalë transformohen në fjalë, në moshën 11-13 muajshe (mosha e fjalës së parë). Nga mosha 2 vjeçare, fëmija fillon të formojë fjali dhe në moshën 3 vjeçare, shkëmbimi me mjedisin rrethues bëhet më kompleks.

– Kur mund ta quajmë dygjuhësh një njeri?

– Të jesh dygjuhësh do të thotë të kuptosh dhe shprehesh në minimum në dy gjuhë ose më shumë. Në lindje, bebeja ka aftësi të jashtëzakonshme mësimi; ai është i aftë të dallojë dhe regjistrojë tingujt e ndryshëm të gjuhës së nënës. Megjithatë, rrallë ndodh të zhvillohet një dygjuhësi e ashtuquajtur “e ekuilibruar”, me të cilën nënkuptohet një nivel i njëjtë në të dyja gjuhët. Në përgjithësi, është njëra gjuhë që dominon tjetrën. Te fëmijët, vetëm në raste të rralla, dygjuhësia është e ekuilibruar.

– Si është truri i një fëmije dygjuhësh?

– Truri njerëzor ka një zonë ku trajtohet gjuha, që quhet “zona e Brokas”. E parë me skaner, kjo zonë “ndriçohet” kur ju flisni. Për një person dygjuhësh që në fëmijërinë e hershme, kjo zonë ndizet në secilën prej dy gjuhëve t’i flisni. Për personat që e mësojnë një gjuhë të dytë më vonë, zona e gjuhës së parë dhe të dytë janë veç e veç dhe gjuha e dytë nuk mësohet më si gjuhë e nënës, por si një gjuhë e huaj.

– Të gjithë njerëzit kanë të njëjtat aftësi për të qenë poliglotë?

– Në bazë, të gjitha bebet kanë të njëjtat aftësi të të mësuarit të shumë gjuhëve, jo tamam se kanë talent për gjuhët, por sepse nuk e bëjnë dallimin mes gjuhëve të folura. Në fëmijëri, plasticiteti i natyrshëm i trurit të të porsalindurit i lejon të mësojë lehtë shumë gjuhë, njësoj sikur të bënte mësimin e një gjuhe të vetme. Në fillim, fëmija familjarizohet me tingujt që janë specifike në çdo gjuhë. Pastaj, ai i praktikon ato. Sa më shpejt të fillojë mësimi, aq më mirë është. Në fakt, duke filluar nga mosha 3 vjeçare, fëmijët e humbasin këtë aftësi për t’i riprodhuar besnikërisht.

– A mund të bëhesh dygjuhësh më vonë?

– Ndërkohë që fëmija rritet, ai integron rregulla shoqërore dhe krijon një bllokim të diktuar nga këto rregulla, që rrezikojnë të bezdisin spontanitetin e tij. Në fakt, përveç vështirësive të mësimit të një gjuhe të dytë, duhet edhe të mos kesh turp kur të flasësh, nga frika se bën gabime. Por, duket filluar nga një moshë e caktuar, fëmijët/adoleshentët evitojnë situatat që mund t’i bëjnë të ndjehen në gabim. Përveç kësaj, të folurit e një gjuhe tjetër kërkon të praktikosh një tip mimetizmi, qoftë edhe për të pasur një theks që i afrohet në maksimum atij të gjuhës që flet. Sa më shumë të presësh, aq më e vështirë është t’i mësosh tingujt. Kjo ka të bëjë edhe me strukturën anatomike. Artikulacionet e nofullës fiksohen në gjuhën e vetme të folur dhe e kanë më pak elasticitetin që duhet për të mësuar tinguj dhe shqiptime të tjera.

– Të jesh dygjuhësh…po pastaj?

– Nëse flet shumë gjuhë që në fëmijëri, i jep mundësi trurit të ushtrohet dhe të ruajë një elasticitet që do ta ndihmojë më vonë në mësimin e gjuhëve të tjera. Kjo predispozitë i lejon fëmijës të mësojë një gjuhë të tretë (ose të katërt e më shumë) më shpejt dhe në mënyrë më intuitive.Kjo mbase ndikohet nga fakti se jetohet në një familje kur respektohen kulturat e ndryshme dhe kështu, pranohet një gjuhë tjetër, përveç asaj të nënës. Kjo të pasuron me kultura të ndryshme dhe të integrohesh në mënyrë të natyrshme në mënyrën e tyre të jetesës së përditshme.

Fëmijët kanë aftësi të madhe përshtatjeje, megjithatë duhen evituar disa gjëra nëse doni që fëmija juaj të flasë shumë gjuhë. Ja disa këshilla për ta ndihmuar fëmijën tuaj të bëhet dygjuhësh:

– Nëse jeni një çift miks, silluni natyrshëm me fëmijën tuaj, folini atij në gjuhën në të cilën mund t’i transmetoni emocionet. Rregulli “një prind-një gjuhë” nuk është realist e  as i realizueshëm. Në jetën e përdirshme ndodh shpesh që ju ta ndërroni gjuhën me fëmijën tuaj. Mos u shqetësoni, nuk ekziston asnjë studim shkencor që provon se metoda “një prind-një gjuhë” është e mirë.

– Ju flisni të njëjtën gjuhë, por jetoni në një vend të huaj. Folini fëmijës gjuhën tuaj; ai do ta mësojë vetë dhe pa ndihmën tuaj gjuhën e vendit në të cilin ndodhet.

– Nëse jeni një çift miks dhe jetoni në një vend të ndryshëm nga gjuhët tuaja respektive, mos kini frikë nga konfuzioni, folini fëmijës secili në gjuhën tuaj. Ai do ta mësojë gjuhën e tretë me të njëjtën lehtësi si dy gjuhët që ju i flisni.

– Megjithëse nuk e flisni gjuhën tuaj të nënës në mënyrë të përkryer, por dini të bëni një bisedë, folini në këtë gjuhë. Mësimi i tingujve dhe fjalëve nuk kalon vetëm nëpërmjet një fjalori të pasur. Ndër këshillat e rëndësishme që duhen ditur: Të folurit e një gjuhe duhet të jetë e lidhur me një dashuri të madhe dhe ky është rasti nëse i pëshpërisni fëmijës këngë ose fjalë të ëmbla që në fëmijërinë e hershme.

– Nuk ekziston një gjuhë fisnike dhe një gjuhë e kotë. Nëse mund ta fusni fëmijën në një mjedis ku i flitet një gjuhë e huaj dhe nëse doni që fëmija juaj të jetë dygjuhësh, bëjeni. Në përgjithësi, kopshtet/shkollat ku mësohen gjuhët e huaja, kushtojnë shtrenjtë, por ka mënyra të tjera për të mësuar një gjuhë tjetër, përveç asaj të nënës.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A është i dëmshëm zbardhuesi i dhëmbëve?

Next Post

Më ngacmoi një grua!

Advertisement