Historia ime filloi në fund të prillit, kur isha vetëm 18 vjeçe.
Ishte data 24 kur unë po qëndroja si zakonisht në Facebook dhe në atë moment hyri në linjë një shoku im, që e kam si vëlla.
I shkrova, por më tha se ishte i vëllai, të cilin unë, në fakt, nuk e njihja. U përshëndetëm dhe folëm pak bashkë.
Më pyeti nëse mund të më bënte ftesë me adresën e tij, i thashë që po dhe kështu, filluam të njiheshim edhe më mirë. Më pëlqente pak, ngaqë nga fotot ishte një djalë shumë i bukur, me tipare tepër tërheqëse dhe çdo gocë do ta bënte për vete. Kur ua tregoja këtë gjë shoqeve të mia, ato ishin shumë dyshuese, ndoshta edhe për faktin që u njohëm nëpërmjet kompjuterit, mirëpo sa më shumë kalonin ditët, aq më shumë flisnim dhe njiheshim më mirë.
Filluam të flisnim në Messenger dhe në Facebook me orë të tëra për tema nga më të ndryshmet dhe kjo më pëlqente shumë. Pas disa muajsh, ne shkëmbyem numrat dhe filluam të flisnim edhe në telefon sepse nuk kishim mundësi të takoheshim, ngaqë ai jetonte në Itali. Çdo ditë e më shumë shtohej simpatia dhe interesi për të pasur diçka më shumë me të, por ngaqë unë isha vajzë, e frenoja pak veten duke menduar edhe mentalitetin që kemi. Për fat të mirë, e mori ai guximin i pari të më thoshte që më donte më shumë sesa si shoqe. Në fakt, edhe pse më pëlqente shumë, nuk isha plotësisht e sigurtë sepse unë, pavarësisht të gjithave, nuk e njihja nga afër dhe nuk e kisha takuar asnjëherë. Ishte një ditë e zakonshme shtatori kur më ra telefoni me një numër Shqipërie. E hapa dhe e pyeta:
– Kush jeni?
– Jam unë, zemër! – m’u përgjigj ai, me një zë të lumtur.
Kishte ardhur në Shqipëri! Pas disa ditësh, ne e lamë të takoheshim. Isha shumë e tensionuar sepse kisha kohë që flisja me të, por nuk e kisha parë nga afër. Pimë kafe me të dhe me një kushërirën time sepse kisha siklet të dilja vetëm. Pastaj u largua duke më dhënë dorën, por duke më lënë imazhin e tij të ngulitur në mendje. Takimet tona filluan të bëheshin më të shpeshta. Dashuria shtohej çdo ditë e më shumë. E si të mos dashurohesha me një person si ai?! Ishte i gjatë, esmer, me sy jeshilë dhe me një trup, a thua se e kishte të pikturuar. Një ditë teksa po pinim kafe dhe bisedonim, ai m’u afrua krejt papritur dhe më puthi. U skuqa sepse ishte puthja e parë dhe vërtet nuk e prisja. Pas disa ditësh, ai u largua përsëri në Itali. U mërzita aq shumë saqë fillova të qaja nga inati sepse e doja gjithmonë pranë. Nuk ishte e lehtë për ne, të jetonim larg njëri-tjetrit. Bisedat tona vazhdonin si më parë, çdo ditë me një dashuri shumë të madhe, edhe pse ishim shumë larg dhe e ndjenim shumë mungesën. Ditët nuk kalonin kurrë për mua dhe çdo ditë, më dukej një përjetësi, por ditët kaluan dhe erdhi vera. Ai erdhi përsëri me pushime në Shqipëri. Numëroja sekondat kur do ta takoja sepse më kishte marrë malli aq shumë sa nuk doja të shikoja njeri tjetër me sy. Ishte pasdite dhe e kishim lënë të takoheshim. Po e prisja në të njëjtin lokal ku shkonim çdo herë. Kur erdhi, iu hodha në qafë dhe fillova ta puthja me mall e ta përqafoja se me kishte munguar shumë aq sa s`di as ta shpjegoj. Minutat pranë tij kalonin aq shpejt saqë ora më dukej një sekondë. E ndjeja se dhe për atë, ashtu ishte. Isha e dashuruar marrëzisht pas këtij djali.
Ne vendosëm të takoheshim një natë dhe të rrinim bashkë. Erdhi të më merrte në darkë te shtëpia e një shoqes sime dhe kështu, shkuam te shtëpia e tij, që e kishte të mbyllur se nuk jetonte askush. Isha aq e lumtur që më në fund do të rrinim lirshëm pranë njëri-tjetrit, pa pasur ndrojtje nga personat e tjerë. Ai, më puthte dhe më përqafonte pa fund. Ndihesha femra më e lumtur në botë në atë moment! Të dy, të përqafuar, ashtu si nëpër filma… Ndenjëm gjithë natën ashtu pa fjetur fare, të përqafuar dhe për herë të parë në jetë, unë bëra dashuri me njeriun që e desha më shumë, mirëpo erdhi mëngjesi shumë shpejt dhe më duhej të ikja në shtëpi, edhe pse zemra më thoshte të rrija një përjetësi pranë tij.
Pas disa ditësh, ai u kthye sërish në Itali dhe unë u mërzita akoma më shumë se herën e parë. E ndjeja që kishte lënë tek unë një kujtim të papërsëritshëm. Më mungonte jashtë mase, por fakti që do të ikja edhe unë të jetoja atje, më qetësonte pak. Kaloi një vit e gjysmë dhe ne jemi përsëri të dashuruar e shumë të lumtur pranë njëri-tjetrit. Unë kam marrë vesh se ai është martuar për letra me një italiane, por nuk e do dhe nuk do të jetojë më me të. Kjo në fillim më lëndoi shumë, por pastaj e kuptova se nuk kisha rrugë tjetër. Unë tani jetoj me familjen në Itali dhe banojmë shumë afër. Ai dhe unë shihemi aq shpesh e duhemi aq shumë sa kjo që po përjetoj, më duket si një përrallë. E di që një ditë kur t`i tregoj familjes, ajo do të jetë kundër kësaj lidhjeje, por unë e dua dhe do t’u kundërvihem të gjithëve për atë njeri. Vetëm një dëshirë kam: Shpresoj që kjo dashuri të mos na shuhet kurrë. Edhe pse lindi nëpërmjet Facebook-ut dhe s`do të kuptohet drejt si të gjitha njohjet e tjera, shpresoj që një ditë ta shoh veten me fustanin e bardhë dhe me të përkrahu. Kjo është ëndrra ime e vetme dhe ne e ëndërrojmë dhe e diskutojmë shpesh këtë dëshirë edhe bashkë. Mezi po e pres atë ditë!