Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Si të jetosh mirë në menopauzë?

Menopauza tani nuk është më një periudhë problematike në jetën e gruas, por një periudhë ku ndodhin një seri ndryshimesh hormonale që janë krejt të natyrshme. Këto sjellin si pasojë ndryshime fizike dhe psikologjike, efektet negative të të cilave në jetën e përditshme mund të zvogëlohen me anë të trajtimeve mjekësore. Ushtrimet fizike, të ushqyerit në mënyrë të saktë dhe lënia e duhanit janë këshillat bazë të specialistëve për gratë në periudhën e menopauzës ose afër saj. Me shtimin e jetëgjatësisë, kjo periudhë te gratë është shtuar mesatarisht me 25 vjet, prandaj është e domosdoshme që në të të jetohet mirë e pa probleme.

Mbipesha

Advertisement

Mbipesha dhe osteoporoza janë dy armiqtë kryesorë te shëndetit në menopauzë. Më parë nuk i jepej rëndësi faktit që gruaja shtonte në peshë sapo arrinte njëfarë moshe, por tani është vërtetuar se tendenca për t’u shëndoshur ishte nënvlerësuar. Tani e dimë se zvogëlimi i nivelit të estrogjeneve (hormoneve) që ndodh në menopauzë, ul edhe sasinë e leptinës, një hormon që kontrollon oreksin. Për këtë arsye ndodh edhe shtimi në peshë. Në fakt, gratë në moshë të pjekur vuajnë shumë më tepër se burrat nga mbipesha. Me uljen e nivelit të hormoneve femërore, prishet ekuilibri dhe fillojnë të mbizotërojnë hormonet mashkullore. Për këtë arsye, shtimi në peshë lokalizohet në po ato pjesë të trupit si te burrat, në bark ose stomak, gjë që është e lidhur më shumë me sëmundjet kardiovaskulare (ndërkohë që te gratë dhjami grumbullohet më shumë te kofshët dhe të ndenjurat).

Parandalimi i mbipeshës nuk është diçka që duhet bërë vetëm në muajt para menopauzës, por gjatë gjithë jetës, megjithatë, gratë që fillojnë të vënë re simptomat e para të menopauzës, duhet të rishikojnë mënyrën e tyre të të ngrënit. Nuk është e thënë të mbani dietë të përhershme. Thjesht, mundohuni të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme që të mos shtoni në peshë. Është mirë të hani një mëngjes të bollshëm, një drekë ku përfshihen gjithmonë sallatra, fruta dhe një gjellë, ndërsa darka, e lehtë.

Ushtrimet fizike

Ato janë të rëndësishme për të parandaluar një rrezik tjetër të menopauzës: Osteoporozën. Për të forcuar kockat është mirë që, që në moshë të vogël të konsumohen ushqime të pasura me kalçium, si edhe të bëni ushtrime fizike. Gjithashtu, gratë që kanë hyrë në menopauzë duhet të evitojnë edhe përdorimin e duhanit, sepse është vërtetuar se dëmton kockat, përveçse e afron edhe me 2-3 vjet kohën që kalon në menopauzë. Këto do të evitojnë gati 90% të thyerjeve te shkaktuara nga osteoporoza që lokalizohen kryesisht në kyçin e dorës, brinjët dhe kyçin e këmbës.

Jeta seksuale

85% e grave në periudhën e menopauzës vuajnë nga probleme në jetën e tyre seksuale si pasojë e mungesës së estrogjeneve. Gjithsesi, sipas një studimi të kryer me 3000 gra të moshës 45-64 vjeçare, 75% e tyre shprehen se janë të kënaqura me jetën seksuale që bëjnë. Rezultatet kanë treguar se është mirë të bësh në mënyrë të rregullt seks në kohën e menopauzës, pasi përmirëson cilësinë e jetës së gruas.

Menopauza nuk është sëmundje

Ajo është një etapë më shumë në jetën e gruas në të cilën ndodhin disa zhvillime biologjike. Studimet kanë treguar të dhëna interesante mbi zbatimin e trajtimeve me hormone për të lehtësuar simptomat e menopauzës. Sipas të dhënave, 90% e pacienteve që ndjekin terapinë hormonale për lehtësimin e simptomave të menopauzës, e braktisin atë gjatë vitit të parë. Kjo mbase vjen nga keqinformimi, apo nga frika se mos marrja e këtyre hormoneve mund të shtojë rrezikun e kancerit në gji, një nga shqetësimet kryesore të grave që ndjekin këtë terapi. Është parë që gjatë pesë viteve të para të trajtimit me estrogjene tek asnjë grua nuk rritet rreziku i kancerit të gjirit. Megjithatë, specialistët ende po diskutojnë në lidhje me këtë temë dhe ka mendime të ndryshme përsa i përket rrezikut të trajtimeve të tilla.

Tani, mbipesha mund të luftohet!

Mbipesha prek sot më tepër se gjysmën e popullatës në mbarë botën. Gjysma e rasteve me diabet mund të eleminohen në rast se parandalohet shtimi në peshë. Ndryshimet në mënyrën e jetesës, duke përfshirë dietën dhe aktivitetin fizik mesatar, ulin deri në 60% rrezikun për diabet dhe mbipeshë.

Ja cilat janë pasojat e mbipeshës:

– Favorizon shfaqjen e disa sëmundjeve, si: Diabeti, rritja e kolesterolit dhe yndyrnave në gjak.

– Shkakton probleme kardiovaskulare, si: Hipertensionin, dhimbjet e zemrës, infarktin, etj.

– Shkakton probleme në kyçe, duke favorizuar artrozën e gjunjëve, dhimbjet dhe deformimet e shtyllës kurrizore.

– Favorizon zhvillimin e kancereve të zorrës e gjirit dhe rrit rrezikun për diabet gjatë shtatzanisë.

Shkaqet që çojnë në mbipeshë:

– Trashëgimia familjare luan një rol të rëndësishëm.

– Lënia e duhanit mund të çojë në një shtim në peshë 3-5 kg në vitin e parë.

– Përdorimi i një diete të pasur me yndyrna, me pije që përmbajnë sheqer, ose pije alkoolike.

– Përdorimi i një ushqimi të bazuar në fast food-e, sallamra, ëmbëlsira.

– Pakësimi i aktivitetit fizik, pa pakësuar ushqimin, si në rastin e sportistëve kur lënë sportin.

– Sëmundje të ndryshme, nga të cilat personi qëndron në spital, ose shtëpi pa lëvizur.

– Stresi, shqetësimet familjare dhe vetmia, janë faktorët që ndihmojnë mbipeshën.

Mjekimi i mbipeshës:

1. Dieta: Kjo nënkupton një dietë sa më të pasur me fibra, fruta, zarzavate, peshk, produkte qumështi (me pak yndyrë) dhe sa më pak të skuqura, dhjamra, salca, majonezë, lëngje me shumë sheqer dhe pije alkoolike.

Përdorni sa më shumë ujë gjatë ditës, të paktën 1.5-2 litra ujë në ditë.

2. Aktiviteti fizik: Duhet praktikuar 2-3 herë në javë dhe të zgjasë të paktën 20-30 minuta. Aktivitete fizike që rekomandohen për personat në mbipeshë janë: Ecja, biçikleta, fizkultura në kushtet e shtëpisë, noti, ngjitja e shkallëve, etj.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vjehrra do të më ndajë nga burri

Next Post

Jeta ime me një të verbër

Advertisement