– Çfarë kuptimi ka termi menopauzë?
– Nga pikëpamja etimologjike, termi menopauzë do të thotë “ndërprerje e menstruacioneve”.
Në realitet, kjo është vetëm njëra nga karakteristikat e menopauzës, pasi ajo shkakton edhe shumë ndryshime të tjera hormonale dhe fizike dhe përfshin edhe probleme të tjera, jomjekësore, por në veçanti, shoqërore. Sot, gratë që arrijnë në menopauzë, mund të përfitojnë nga shumë trajtime efikase, që u japin mundësinë të ruajnë një cilësi të mirë jete, nga pikëpamja fizike, psikologjike, seksuale dhe shoqërore.
– Sa është jetëgjatësia pas menopauzës?
– Jetëgjatësia është shtuar shumë, sidomos kohët e fundit, duke arritur moshën afro 80 vjeç në Evropë për gratë, pra, afro 30 vjeç pas menopauzës.
– Cili është ndikimi i shoqërisë në problemet e menopauzës?
– Menopauza përbën një periudhë të vështirë, të shoqëruar me probleme të ndryshme. Në fillim, shqetësime fizike dhe psikologjike, duke e vënë gruan në një gjendje bezdie të përhershme, por gjithashtu edhe ndryshime të mjedisit rrethues familjar, gjë që perceptohet gjithmonë keq. Një grua mund të ketë kështu ndjesinë sikur ua ka “hapur dyert halleve”. Kur arrin në moshën 50 vjeçare, një grua sheh fëmijët e vet të rriten dhe të bëhen të pavarur, të shkojnë për studime diku larg apo edhe të martohen. Atëherë ajo mund të ketë një ndjesi boshllëku dhe pavlefshmërie, sidomos nëse nuk ka një aktivitet profesional, por ia ka dedikuar jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Autorët anglo-saksonë i kanë studiuar këto ndryshime familjare, duke e konsideruar këtë si sindromën e “çerdhes bosh”. Mosha 50 vjeçare është edhe ajo kur prindërit sëmuren më shumë dhe vdesin, kur nganjëherë humbet ndonjë vëlla apo motër, ose partneri është në moshën afër pensionit. Shoqëria jonë perëndimore nuk është e butë me gratë që plaken. Të gjitha mediat i nxisin ato të duken sa më të reja, të bukura dhe të dobëta. Ndryshimet fizike dhe estetike të moshës 50 vjeçare kontribuojnë në faktin që gratë e përjetojnë keq menopauzën. Në këtë shoqëri, gruaja në të 50-tat duhet të përballet me ndryshimet e mëdha hormonale dhe modifikimiet nganjëherë radikale të mjedisit familjar. Ajo do ta përjetojë menopauzën jo vetëm me trup, por edhe me shpirt.
– Cilat janë mekanizmat që shkaktojnë menopauzën?
– Duke u plakur, vezoret reagojnë gjithnjë e më pak ndaj mesazheve të hipotalamusit dhe hipofizës. Atëhere ato fillojnë të sekretojnë më shumë gonatrofina hipofize (FSH dhe LH), që mund të dozohen në gjak, shtimi i të cilave paralajmëron ardhjen e menopauzës. Vezoret nuk u përgjigjen më urdhërave, sekrecionet shterojnë, menstruacionet ndalojnë. Është menopauza, e cila mbyll jetën gjenitale të femrës, e cila ka filluar rreth 40 vjet më parë, në moshën e pubertetit.
– Në ç’moshë vjen menopauza?
– Në Evropë, mosha mesatare e ardhjes së saj është ndërmjet 50-51 vjeç. Në Francë, për shembull, 80% të francezeve u vjen menopauza nga mosha 45-55 vjeç, 10% para moshës 45 vjeç dhe 10%, pas moshës 55 vjeç.
– Çfarë ndikon në moshën e ardhjes së menopauzës?
– Në ardhjen e saj nuk ndikon mosha e ardhjes së menstruacioneve të para, as fakti se keni pasur shumë fëmijë, apo keni përdorur pilulën për shumë kohë. Kjo moshë është e programuar për çdo grua dhe është e pamundur të parashikohet. Megjithatë, ekziston një lloj predispozite familjare, pra, ka familje ku grave u vjen shpejt menopauza dhe të tjera, kur u vjen vonë, por mund të ketë edhe ndryshime të mëdha mes nënës dhe vajzës ose mes dy motrave. I vetmi faktor që mund të ndikojë në moshën e menopauzës është pirja e duhanit. Gratë që pinë shumë duhan prej shumë kohësh, u vjen menopauza një ose dy vjet më shpejt.
– Çfarë është paramenopauza?
– Në pothuajse çdo rast, një femër nuk kalon menjëherë nga ciklet e rregullta në menopauzë, pra, ciklet nuk ndërpriten menjëherë. Ekziston një periudhë e ndërmjetme mes tyre, një periudhë tranzicioni, që quhet paramenopauzë.
– Sa kohë zgjat paramenopauza?
– Kohëzgjatja e kësaj periudhe anarkie hormonale është shumë e ndryshueshme, nga disa muaj, deri në 7 vjet, me një mesatare prej tre vjetësh ndërmjet çrregullimit të parë të ciklit dhe ndalimit të tij të plotë.
– Cilat janë shenjat e paramenopauzës?
– Paramenopauza shoqërohet me cikle gjithnjë e më të çrregullta dhe gjithnjë e më të gjata. Sa më shumë i afrohemi menopauzës, aq më shumë rrallohen menstruacionet, sa mund të kalojnë muaj mes njërit menstruacion dhe tjetrit. Çrregullsia e cikleve në paramenopauzë shoqërohet me shfaqjen e parë të afsheve të nxehta. Paramenopauza është shpesh një periudhë e vështirë për t’u kaluar.
– Gjatë paramenopauzës, ndodhin ndryshime të humorit?
– Periudha e paramenopauzës është shpesh edhe më e bezdisshmja, sepse ajo përbën në lloj “sindrome paramenstruale të vazhdueshme”. Në funksion të lëkundjeve hormonale anarkike, karakteristike për këtë periudhë, humori dhe karakteri mund gjithashtu të ndryshojnë nga njëra ditë në tjetrën, duke shkuar nga humori i mirë, në atë të keq. Fazat e nervozizmit dhe eksitimit ua lënë vendit periudhave të depresionit dhe lëshimit të vetes. Njerëzit e afërt i pësojnë këto ndryshime, në pamje të parë të pakuptueshme dhe nuk reagojnë gjithmonë mirë.
Shqetësimet e menopauzës
– Çfarë janë afshet e nxehta?
– Afshet e nxehta janë shqetësimi më i njohur dhe më karakteristik i menopauzës, kur ke ndjesinë sikur një nxehtësi e fortë të prek fytyrën, qafën, gjoksin. Ato zgjasin nga 30 sekonda deri në dy minuta dhe përfundojnë më shpesh me djersë të ftohta, pak ose shumë të bollshme. Këto afshe janë të paparashikueshme e të pashmangshme dhe nganjëherë fillojnë nga një stres, një emocion, ose thjesht një konsultë me mjekun. Afshet dhe djersët ndodhin shpesh edhe natën. Numri dhe intensiteti i tyre ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga njëra grua te tjetra dhe nganjëherë, tek e njëjta grua, me kalimin e kohës. Disa gra i kanë një ose dy herë në ditë, por ato mund të shkojnë deri në 15-20 herë në ditë dhe natë, duke qenë kështu një bezdi e rëndësishme ose një handikap i vërtetë në punë. Disa gra duhet të ndërrojnë çarçafët, ose të bëjnë dush natën për shkak të djersëve që mund të shkrijnë edhe grimin. Natën ato të zgjojnë nga gjumi dhe janë burim pagjumësie të lodhshme.
– A janë të shpeshta afshet e nxehta dhe sa zgjasin ato?
– Këto afshe fillojnë në treçerekun e rasteve që në paramenopauzë, kur ciklet bëhen të çrregullta. Këto shqetësime, të quajtura “vazomotore”, prekin 75% të grave. Në 50% të rasteve, këto afshe zgjasin për më shumë se pesë vjet, bile edhe mbi 10 vjet, në çerekun e rasteve. Nuk është e rrallë të shohësh gra 65 vjeçare të bezdisura nga këto afshe.
– Pse fillojnë ato në menopauzë?
– Në të njëjtën zonë të hipotalamusit ndodhen, pranë e pranë, qendra e komandës së funksionit të vezoreve dhe qendra e termorregullimit, që kontrollon temperaturën e trupit. Kur arrin menopauza, qendra e hipotalamusit çrregullohet dhe funksionon në mënyrë anarkike. Në këtë çrregullim futet edhe qendra e termorregullimit që gjendet pranë, duke shkaktuar kështu afshet e nxehta.
– Cilat janë trajtimet efikase kundër afsheve të nxehta?
– Trajtimi hormonal zëvendësues (THS) i menopauzës eliminon ose pakëson në maksimum afshet e nxehta. Krahas tyre, mund të përdoren edhe trajtimet johormonale, por efikasiteti i tyre është shumë më i paktë se ai i THS.
– A mund të shkaktojë menopauza ndryshime humori?
– Në menopauzë mund të ndodhin ndryshime humori dhe sjelljeje, të mëdha, ose jo, në varësi të mjedisit familjar, bashkëshortor dhe shoqëror-profesional. Për gratë që kanë një gjendje të brishtë psikike, që kanë kaluar depresion, shqetësimet hormonale të menopauzës mund të përbëjnë një sprovë të vështirë, që mund të destabilizojë një ekuilibër psikologjik delikat. Lodhja e lëshimi i vetes shoqërojnë shpesh shqetësimet psikologjike të menopauzës. “Jam e lodhur që sa zgjohem në mëngjes”, “Nuk kam dëshirë për asgjë”, “Nuk më hyn asgjë në sy” janë shprehjet që dëgjohen shpesh. Nganjëherë, gruaja është e irrituar ose agresive.
– Trajtimet hormonale mund të përmirësojnë ndryshimet e humorit?
– Trajtimet e riekuilibrimit hormonal mund të sjellin një lloj përmirësimi në këtë drejtim, sigurisht, nëse nuk bëhet fjalë për probleme personale bashkëshortore, familjare dhe/ose shoqërore-profesionale. Megjithatë, një THS nuk mund të zëvendësojë një trajtim antidepresiv kur ekziston një depresion i vërtetë.
– Ç’ndodh me peshën dhe formën e trupit gjatë menopauzës?
– Me apo pa trajtim hormonal, dhjetëvjeçari më i rrezikshëm për shtimin në peshë te gruaja është mosha mes 45-55 vjeç, me një fjalë, mosha rrotull menopauzës. Trupi ka tendencë të trashet në nivelin e belit, vendi ku grumbullohen kilet e tepërta. Në paramenopauzë, tepria e estrogjeneve mund të shkaktojë një mbajtje të ujit, pra, të sjellë ndjesinë e fryrjes.
– Si mund të parandalohet ndryshimi i peshës dhe formës gjatë menopauzës?
– Që prej moshës 40 vjeçare, ju duhet ta dini dhe të jeni e ndërgjegjshme për mundësinë e ndryshimit të peshës dhe formës, me qëllim që të merrni masat e duhura, shpesh drastike, për mënyrën e jetesës dhe të të ushqyerit, të nevojshme për ta luftuar, ose parandaluar sa më mirë grumbullimin e dhjamit në bark. Të gjitha gratë pra duhet të bëjnë shumë kujdes në të ngrënë, të mos e teprojnë, sidomos me sheqerna dhe yndyrna, të marrin sasinë e duhur të kalçiumit, të luftojnë kundër jetës sedentare dhe të bëjnë fizkulturë rregullisht, për të shtuar masën muskulare.
– Po trajtimet hormonale, shkaktojnë shtim në peshë?
– Disa studime serioze tregojnë se një THS i dozuar mirë, nuk shkakton shtim në peshë, bile mund të kufizojë ndryshimin e siluetës që shkaktohet për shkak të grumbullimit të dhjamit rrotull belit në menopauzë.