Telefonatë nga një i panjohur
– Përshëndetje astrologe! Kam parë në ëndërr sikur më telefonoi një i panjohur dhe më tha: “Ju keni fituar”, ndërsa ëndrra tjetër, ishte kjo:
Në shtëpinë time ndodhej një kasafortë, kishte pjesë me ngjyrë floriri dhe brenda kishte lekë. Në dhomën tjetër ishte një fëmijë në formën e engjëllit. Ai kishte disa tufa me para, luante i gëzuar me to dhe pastaj, m’i dha mua. Faleminderit, nga X.
– Këto ëndrra që keni parë, tregojnë se jeni në pritje të diçkaje të cilën e dini vetëm ju, por ka shumë mundësi që mendoni se gjendja juaj do të përmirësohej vetëm nëse do të ndodhte ndonjë mrekulli. Telefonata, në mos gaboj, është pjellë e fantazisë tuaj dhe përfaqëson mrekullinë që në mënyrë të pandërgjegjshme prisni që të ndodhë. E gjitha ka lidhje më shumë me gjendjen tuaj financiare sepse edhe ëndrrat e tjera tregojnë po të njëjtën gjë, që ju jeni në pritje. Në fakt, diçka do të ndodhë, pikërisht në atë fushë që ju e dëshironi më shumë e kjo mund të jetë fusha financiare, vetëm se nuk duhet ta mbani mendjen vazhdimisht te kjo gjë. Duke përjashtuar mundësinë e fantazive dhe dëshirave tuaja për t’u përmirësuar nga ana financiare, mendoj se do të keni fat në këtë pikë.
Krehër
– Mbrëmë, pashë në ëndërr sikur po kërkoja një krehër që të krihesha dhe më dukej e çuditshme sepse çdo krehër që gjeja, ose ishte shkrirë, ose ishte deformuar. Ju lutem, më thoni, ç’do të thotë?
– Ëndrra tregon që keni nevojë të shkëputeni nga disa çështje që ju prej kohësh i quani të mbyllura, por në fakt, nuk është ashtu. Krehëri ka shumë kuptime, por në rastin tuaj, tregon probleme në jetën tuaj private. Duket se jeni në kërkim të dikujt që t’ju ndihmojë të shkëputeni nga e kaluara, por është e kotë. Më parë duhet të jeni ju vetë e vendosur, të qetësoheni dhe pastaj, të filloni kërkimin.
Tentuan të më rrëmbenin
– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur më doli përpara një person dhe u mundua të më rrëmbente. Më pas, pashë sikur një shoqes sime i vodhën celularin dhe unë e gjeta veten duke vrapuar. Pas pak, i njëjti person më vinte nga pas dhe tentoi të më rrëmbente, por përsëri shpëtova sepse më ndihmoi dikush, që nuk e dija se kush ishte. Pres një parashikim…
– Tentativat për rrëmbim, në shumicën e rasteve, tregojnë se personi që i ka parë, në realitet, ndihet i kufizuar, shpeshherë i bllokuar apo i përndjekur. Është një lloj situate që në jetën tuaj përsëritet shpesh. Vjedhja e celularit, tregon mungesën e komunikimit te ju. Pavarësisht se ndiheni keq, ju nuk e diskutoni gjendjen tuaj me askënd dhe u shmangeni gjithmonë problemeve të tilla. Duhet të thoni stop dhe të përballeni me çështjet që keni lënë pezull sepse nuk shtyhet jeta duke u ikur problemeve apo përballjeve. Në momentin që do të përballeni, do të shikoni se do të ndiheni shumë më mirë me veten dhe me gjithçka që ju rrethon.
Tezja dhe vezët
– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr tezen time e cila ka pesë muaj që ka vdekur. Unë isha te një teze tjetër e cila është gjallë dhe papritur, m’u shfaq tezja që ka vdekur. Ishte e pikëlluar dhe po qante. Edhe unë po qaja, gjithashtu. Unë po u thoja të gjithë atyre që kisha afër se po shihja tezen, por ata më thonin se nuk mund ta shihnin. Unë i thashë tezes që ka vdekur se të bijën e kishte mirë. Ajo më kapi dorën, ma ledhatoi dhe unë e ndjeva dorën e saj mbi dorën time. Unë i bëra një pyetje të çuditshme asaj: “A duhet të besoj në Zot?” dhe ajo më tha: “Jo”. Gjëja e fundit që më tha, ishte: “Shpëto fëmijët” dhe unë fillova të ndiqja një grup fëmijesh. Aty u zgjova. Ëndrra tjetër: Vendi ishte i mbushur plot me vezë dhe unë po shihja edhe ca pula. Pashë edhe një pulë të madhe e të zezë të cilën e futa në një çantë që ta merrja me vete. Nuk e di destinacionin se ku, por vetëm do ta merrja me vete. Ajo ngordhi në çantë dhe, kur e nxora nga çanta, nxori nga goja 30 vezë. Faleminderit.
– Siç e kemi thënë edhe herë të tjera, të vdekurit, në ëndërr, përveçse përfaqësojnë një pjesë të karakterit tuaj, shfaqen edhe në formën e këshillave dhe paralajmërimeve për t’u kujdesur për veten. Fjalët e të vdekurve është mirë t’i mbani mend dhe t’i merrni siç ju thuhen, ndërsa pjesa ku keni pyetur për Zotin, është një lloj analize që ju duhet të bëni me veten tuaj. Çfarë koncepti keni ju për Zotin? Mund t’ju ketë ndodhur që kohët e fundit ju është lëkundur besimi për arsye tuajat personale. Si e manifestoni ju besimin që keni në Zot? A keni bërë gjë në emër të Zotit? Pra, gjithçka lidhet me dyshimet dhe kontradiktat që keni ju me veten dhe besimin në përgjithësi. Diçka nuk shkon me besimin tuaj. Pavarësisht se ju ndiheni pak e humbur në këto momente, jeta do t’ju paraqesë mundësi shumë të mira dhe do t’ju vijë diçka që nuk e prisnit. Vezët simbolizojnë fuqinë tuaj krijuese. Diçka e re do të ndodhë në jetën tuaj, vetëm se ju duhet të dini t’i menaxhoni këto të reja që po ju vijnë sepse jeni pak frikacake dhe keni mungesë vullneti. Duhet ta ngrini zërin më shumë dhe të përdorni fuqinë e fjalës. Ky është thelbi i suksesit tuaj. Mos i lini t’ju vënë përfund, duke qenë se fati dhe suksesi janë shumë afër jush. Dhe, nëse ju ndodh që të ndiheni e lodhur, mos harroni që vezët e shumta që keni përfituar në ëndërr, tregojnë që keni edhe mundësi të tjera.
Na morën peng në shkollë
– Kam parë në ëndërr sikur na e morën shkollën peng dy kriminelë. Njërin prej tyre e vrava unë, teksa tentoja të shpëtoja nxënësit. Shkolla ishte shtëpia ime. Më pas dolëm duke kënduar rrugëve, por ishim gjysëm të zhveshur. Më pas, në rrugë mbetëm dy veta, unë e një shoqe dhe po na kërcënonin disa kriminelë të tjerë. Ne u premtuam se do të merrnim armë në polici dhe do t’ua jepnim. Ju lutem, më ktheni përgjigje, ç’do të thotë kjo ëndërr?
– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. E gjithë ëndrra tregon disa shqetësime që i përkasin të kaluarës suaj dhe që s’kanë të bëjnë aspak me të ardhmen. Në të kaluarën, mund të keni kaluar ndonjë ngjarje që ju ka ngelur në mendje. Nuk ka lidhje me kriminelë apo gjëra të kësaj natyre, por me diçka që ju ka habitur dhe shokuar, njëkohësisht. Janë shqetësimet ato që transformohen në ëndrra të ankthshme.
I lutesha një ylli
– Jam Arbri, maturant. Kam shumë dëshirë të vazhdoj universitetin në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Pashë në ëndërr sikur i lutesha një ylli. Ju lutem, më shpjegoni se çfarë kuptimi ka kjo ëndërr?
– Yjet kanë shumë kuptime. Tani ju jeni vazhdimisht me mendjen tek universiteti dhe kjo që keni parë në ëndërr mund të ketë lidhje edhe me ankthin tuaj nëse do ta fitoni degën që doni, apo jo. Yjet, përgjithësisht, tregojnë njëfarë çorientimi, nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi, si dhe ankth për diçka që e prisni. Nëse ylli që keni parë ka qenë i shndritshëm, tregon që do të keni sukses në qëllimet që i keni vënë vetes. Nëse ka qenë një yll që po binte, do të thotë që do të mërziteni pak për diçka. Ëndrra juaj, në të cilën keni qenë duke u lutur, shpreh ankthin dhe padurimin e ditës së fitores që doni të arrini në shkollën që keni ëndërr. Pra, ëndrra nuk tregon ndonjë ngjarje në veçanti, përveçse atë çfarë ju ndjeni momentalisht. Unë ju uroj ta fitoni atë universitet dhe besoj se do jetë kështu, sepse ju e dëshironi shumë këtë gjë dhe kjo është pozitive.