Shpesh, jeta na vë përballë shumë vështirësive të cilat më pas na duhet t’i përballojmë vetë. Ndodh gjithashtu që të bëjmë zgjedhje të gabuara, edhe pse këtë e kuptojmë kur është shumë vonë.
Edhe unë, e kam vuajtur zgjedhjen që bëra para tre vjetësh. Isha në një moment tepër të vështirë atë periudhë kur njoha Benin, pasi sapo isha ndarë dhe mezi po e kaloja.
U mbylla në shtëpi, nuk haja dhe vetëm qaja. Tonin e kisha menduar si njeriun e jetës sime pasi prej tre vjetësh ishim bashkë, por ato vite ikën sikur mes nesh të mos kishte ndodhur asgjë dhe të ktheheshim në dy të huaj. Me Tonin u dashurova që në momentin e parë që e pashë dhe më dukej sikur e kisha njohur në një jetë tjetër. E ndjeja se ai do të bëhej i dashuri im dhe bëja gjithçka për t’i rënë në sy sa herë që ndodheshim përballë njëri-tjetrit. Një ditë ai m’u afrua dhe më tha se i pëlqeja. Prisja të ma thoshte prej kohësh dhe u ndjeva shumë e lumtur, madje qëkur e pashë të vinte drejt meje, zemra sa nuk po më dilte nga kraharori. Mjaftoi biseda e parë që bëmë që ne të dy të takoheshim me shumë dëshirë edhe herë të tjera. Isha dashuruar si një adoleshente dhe nuk kaloja dot një minutë të vetme pa e parë Tonin. Edhe ai dukej që më dashuronte shumë sepse e tregonte këtë çdo ditë. Ishte shumë i kujdesshëm edhe ndaj detrajeve më të vogla dhe kështu, më bënte të ndihesha si princeshë. Ai ishte aq simpatik saqë ndodhte shpesh të bëhesha xheloze.
“Pse mërzitesh, zemër? Unë të dua vetëm ty dhe nuk ke arsye pse të dyshosh tek unë”, më thoshte, por unë nuk isha e qetë sa herë që ai ishte në “shënjestër” të vajzave që flirtonin me të. Këto lloj situatash po ma sillnin në majë të hundës, edhe pse Toni mundohej të më qetësonte.
“Toni, duhet të vihesh në vendin tim që ta kuptosh.”
“Më thuaj nëse ka patur një rast kur unë jam bërë xheloz për ty! Ka patur mjaft raste që duhet të isha bërë, por i kam kaluar me sportivitet”, më tha. Po më krijohej bindja se Tonit i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes, madje kjo e argëtonte shumë, e bënte të ndihej mirë, por unë e dashuroja dhe mund t’i toleroja gjithçka. Me sa duket, ai u mësua keq me këtë liri që po i jepja dhe filloi t’i pëlqente vetja. U pendova shumë që mbajta atë sjellje me të, por ishte tepër vonë. Një ditë, Toni më tha se ne duhet t’i jepnim fund lidhjes! M’u duk sikur m’u shemb qielli mbi kokë!
“Pse”?, e pyeta me gjysëm zëri dhe me lotët që ishin gati të dilnin.
“Kam njohur një tjetër dhe ndihem shumë mirë me të. Më vjen shumë keq sepse nuk kam dashur kurrë të të lëndoj”, tha dhe u afrua të më përqafonte.
“Mos m’u afro! Nuk dua të të shoh më! Ku iku gjithë ajo dashuri që kishim apo e jotja ka qenë gjatë gjithë kohës një gënjeshtër?”, i thashë. Më ishte mbledhur një lëmsh në fyt të cilin nuk po e kapërdija dot.
“Nuk dua të mërzitesh… Ç’të bëj që ndjenjat e mia ndryshuan?”
“Ti nuk ke patur kurrë ndjenja për mua”, e ndërpreva “ndaj mund të ikësh me atë tjetrën dhe nuk dua të të shoh më kurrë”. Ai u largua, por në çdo hap që bënte për t’u larguar, më shkaktonte një dhimbje më shumë. M’u duk sikur tani e gjithë bota nuk kishte më kuptim dhe gjithçka kishte marrë fund. E kam dashur shumë, më shumë se veten dhe nuk e prisja kurrë që ai të më braktiste! Toni, i cili ishte personi që doja më shumë, iku sikur nuk më kishte njohur kurrë. Ai vazhdonte me atë tjetërn, ndërsa unë vuaja për të. E urreja veten që e dashuroja aq shumë dhe nuk po e harroja dot. U bëra si e çmendur sepse sa më shumë më largohej ai, aq më shumë unë fiksohesha pas tij. Akoma isha me shpresën se një ditë Toni do të kthehej tek unë, por ishte e kotë. Kjo gjendje po vazhdonte për një kohë të gjatë dhe unë ende po rrija me shpresën se Toni do të kthehej. U mundova me shumë mënyra ta bëja të ktehehej tek unë dhe e vetmja mundësi që më mbeti ishte që ta bëja xheloz…
Fati deshi që unë të njihja Arbenin i cili ishte burrë i martuar, por më thoshte shpesh se do ta linte bashkëshorten e tij për mua. Nga ajo që më ndodhi me Tonin tani nuk i besoja askujt, por meqë doja që ai të më shihte me Benin dhe të bëhej xheloz, nuk më interesonte nëse më thoshte të vërtetën apo më gënjente. Beni ishte shumë simpatik dhe kjo ishte një ndër arsyet më të forta pse u lidha me të. Më trajtonte vërtet mirë, edhe pse mua nuk më bënte shumë përshtypje sepse nuk e doja. “Nuk mund ta lësh gruan për mua sepse nuk jam nga ato që prish familje”, i thoja, por ai po dashurohej pas meje dhe ishte i vendosur që do të divorcohej nga bashkëshortja.
“Nuk mund t’ia bësh këtë familjes tënde e aq më tepër djalit”, mundohesha t’i mbushja mendjen, por kot. Po më vinte keq që unë të bëhesha shkak i ndarjes së tij sepse këtë nuk ia uroja askujt. Dashuria për Tonin më kishte verbuar dhe si pa e kuptuar, e vazhdoja lidhjen me Benin. U mësova me të dhe më dukej e çuditshme nëse kalonte edhe një ditë pa e parë, por nuk po ndodhte ajo që unë doja, më saktë, që Toni të më shikonte me Benin. Shkoja në vendet ku shkonte edhe ai dhe një ditë, ai na pa të dyve. Prisja që të reagonte ashpër dhe të bëhej xheloz, por nuk ndodhi. U mërzita edhe më shumë dhe i kërkova Benit të largoheshim që aty. Indiferenca e tij po më vriste dhe nuk po mund të qëndroja më aty. Beni u çudit dhe më pyeti pse isha e shqetësuar. “Nuk kam asgjë, thjesht nuk po ndihem mirë”, i thashë dhe u larguam. Toni as m’i hodhi sytë kur dolëm. Pasi u ndamë dhe u futa në shtëpi, fillova të qaja e dëshpëruar. Në atë moment, dëgjova celularin. Ishte një mesazh! Zemra nisi të më rrihte fort sapo pashë numrin e Tonit, pasi emrin ia kisha fshirë. “E paska akoma numrin tim”, mendova e lumtur me veten, por do kisha dashur të mos e kisha lexuar kurrë atë mesazh.
“Nuk e dija që shoqërohesh edhe me burra të martuar. Duhet të kesh më tepër respekt për veten”.
Zemra m’u copëtua nga fjalët që ishin shkruar në atë mesazh e aq më tepër, të shkruara nga ai, personi që ende e dashuroja. U ndjeva si mos më keq dhe pyesja veten nëse vërtet po gaboja që po mundohesha ta bëja xheloz. Po humbisja respektin për veten dhe Benin po e gënjeja. “Një femër e dashuruar është e aftë për gjithçka:; kështu justifikohesha me veten. Nuk fjeta gjithë natën dhe vetëm kam qarë me ngashërim. Të nesërmen, kur u zgjova, nuk po kuptoja ku isha dhe pasi piva kafen e mëngjesit, u shtriva përsëri në krevat. Nuk më bëhej të dilja nga shtëpia. Beni më kishte telefonuar dhjetëra herë kur ndeza celularin. As i telefonova fare sepse nuk isha në gjendje t’i flisja, por nuk kaluan as pesë minuta dhe ai telefonoi përsëri. Dola ta takoja sepse nëse do të qëndroja brenda, do të çmendesha. Tani po filloja ta urreja Tonin! Ishte ai që më kishte sjellë në atë gjendje të mjerë. Nuk po njihja më as veten time. As vetë nuk e kuptoja më se çfarë lloj lidhjeje ishte ajo që kisha me Benin. Tonin e urreja dhe e doja në të njëjtën kohë. Ishte si një mallkim nga i cili nuk kisha më shpëtim sepse vazhdoja ta dashuroja edhe më shumë. Benit nuk dija si t’ia thoja që lidhja me të kishte qenë fallco gjatë gjithë kohës. Nuk guxoja dot sepse do ta kuptonte që e kisha përdorur dhe do të më braktiste edhe ai. Nuk do ta duroja dot edhe një braktisje të dytë. Vetëm mendimi se do të mbetesha vetëm më tmerronte, ndaj nuk i thashë asgjë. Ishte ai që po më ndihmonte të shtyja ditët dhe të mos mendoja për Tonin, edhe pse nuk kalonte një ditë që nuk e kujtoja. I kujtoja shpesh ditët që kishim lënë pas dhe do të doja shumë ta ndaloja kohën e disa gjëra t’i bëja ndryshe. Pyesja shpesh veten nëse më mendonte apo më kishte harruar. Do të jepja gjithçka që të isha pjesë e zemrës dhe e mendimeve të tij, por Toni nuk donte t’ia dinte më për mua.
“Kam një lajm të mirë. Shumë shpejt do të divorcohem sepse procedurat kanë nisur”, më tha një ditë Beni, shumë i lumtur. Ndërkohë që sytë e tij reflektonin shumë lumturi, në sytë e mi lexohej një trishtim i thellë. As atëherë kur ishte momenti, nuk munda t’ia thoja të vërtetën. Beni po më qëndronte pranë çdo moment dhe unë, pak nga pak, fillova të ndjeja për të. M’u kthye në një person shumë të dashur. Edhe pse ndjenjat për të ende nuk i kisha të qarta, e dija se me Benin fillova të ndihesha shumë mirë. Pak nga pak, fillova t’i rikthehesha asaj që isha më parë. Të gjitha vështirësitë që kalova, më bënë edhe më të fortë dhe tani mund të përballoja gjithçka, jo vetëm një ndarje. Ndjenjat për Tonin, pak nga pak, po më veniteshin dhe as vetë nuk e besoja që kjo po ndodhte. Nuk kaluan as dy javë dhe Beni m’u shfaq para syve me letra në dorë dhe me një shishe shampanjë në dorën tjetër. “Erdhi dita të festojmë. Më në fund, u divorcova!”, më tha dhe më puthi. Edhe unë, ndryshe nga herët e tjera, u gëzova shumë. “Më në fund je i lirë”, i thashë dhe iu hodha në qafë. Atë natë festuam dhe pas shumë kohësh, po ndihesha përsëri e lumtur. Në fillim më lëndonte fakti që ai u divorcua për shkakun tim, por më kishte thënë shpesh se nuk e dashuronte gruan e tij dhe fati deshi që të më njihte mua e të vendoste të divorcohej. Po dashurohesha me Benin, tashmë vërtet, por më të papriturat ndodhin atëherë kur ti nuk i pret…
Një ditë, Toni më çoi një mesazh dhe, ndër të tjera, më thoshte se ishte penduar që ishim ndarë dhe se donte të ktheheshim përsëri bashkë. Këtë herë, ajo që lexova, nuk më bëri aq përshtypje. Më telefononte shpesh dhe me mesazhe më kërkonte falje vazhdimisht, por nuk e fala kurrë. Kisha ndryshuar dhe nga ajo që kalova, kisha mësuar shumë. Nuk mund të bëja më të njëjtin gabim dhe, ndryshe nga ç’mendonte ai, unë ende e respektoja veten time. Telefonatat e tij filluan të bëheshin shumë shqetësuese dhe nuk gjeta zgjidhje tjetër veçse t’i thoja të vërtetën Benit. I mora parasysh të gjitha, madje edhe ndarjen dhe ia thashë. Ai ishte shumë i dashuruar me mua dhe e kuptoi shumë mirë atë që kisha kaluar, madje më përqafoi fort dhe më tha se nuk duhet të mërzitesha sepse do ta zgjidhnim gjithçka.
“Mjafton që ti të jesh e qartë me ndjenjat e tua”.
“Unë jam shumë e qartë dhe e bindur që të dua ty. Vetëm nuk dua që ti të shqetësoshesh për asgjë, zemër, sepse të dua shumë. Jam shumë e lumtur që të kam pranë”, i thashë.
Beni vendosi të përballej me Tonin dhe që atë ditë, edhe pse nuk e di për çfarë kanë biseduar, Toni nuk më telefonoi më kurrë. Ai u zhduk nga jeta ime njëherë e përgjithmonë. As unë nuk doja ta shikoja më. Më kishte zhgënjyer shumë dhe kishte qenë shkaku i vuajtjeve të mia, por duhet të ndodhte kjo, që të njihesha me Benin, i cili risolli ndjenjën e dashurisë në jetën time.