Në jetë njeriu është i destinuar të dhunojë, të dhunohet apo të mos pësojë as njërën, as tjetrën. Nëse do kishim mundësinë të zgjidhnim, të gjitha ne femrat do të zgjidhnin këtë të fundit, por asgjë nuk varet në dorën tonë ose të paktën kështu ka qenë për mua. Fatkeqësisht, unë kam qenë në pozitën e të dhunuarës. Jam rritur në një familje me tre vëllezër. Si vajzë e vetme që isha, kanë qenë të rreptë me mua dhe nuk kam patur ndonjë raport të fortë me vëllezërit. Në periudhën e adoleshencës, ashtu si ajo pranvera që shpërthen, pata edhe unë lulëzimin tim dhe duke ndenjur me shoqet aty në oborret tona para shtëpive, u njoha me një djalë që vinte në lagjen tonë. Ishte i bukur, si të mos e vija re? Edhe shoqet e mia e shikonin, por ai sytë i kishte vetëm tek unë. E shikoja gjithmonë, fillova ta ëndërroja dhe ai ishte kthyer në dëshirën time të ndaluar. Kur më foli për herë të parë nuk po më besohej, ai vërtet i kishte sytë vetëm për mua?! Kur dilja me shoqet, e takoja. Pastaj filluam të takoheshim edhe vetëm ndonjëherë. Më pas, takimet tona u bënë më të shpeshta dhe në një nga ato takime, unë i fala edhe veten. Sillej aq mirë me mua sa dehesha e ndonjëherë harroja edhe vrazhdësinë që kisha në shtëpi. Pas pak kohësh, mësova se isha shtatzënë. U tmerrova sepse, po ta merrnin vesh vëllezërit, do të më kishin vrarë. Çfarë të bëja? I thashë të dashurit tim dhe prisja që ai të më ngrohte shpirtin, të më thoshte: “Do të të marr për grua”, por ai u vrenjt në fytyrë. “Hiç s’e ke me mua!”, më tha. Nuk mund ta besoja, çfarë duhet të bëja? “Mirë, i thashë, nuk do të më marrësh për grua? Atëhere do vras veten këtu, do të mbytem në lumë!” (sepse aty takoheshim, buzë lumit). U bëra gati të hidhesha, ndoshta do të mbytesha menjëherë se not nuk dija, ndoshta do të kishte qenë më mirë se me atë që hoqa për gati 20 vjet e as dheu nuk ka për të më tretur, por aty për aty atij i erdhi keq për mua dhe më tha: “Mos e bëj se do të të marr për grua!”.
Kur u tregova të mive, e dija që nuk do ta prisnin mirë, por jo deri në atë pikë! Vëllezërit u xhindosën. “Ai nuk bën për ty, më thoshin, ai është rrugaç, ai pi…” dhe shumë gjëra të tjera që ata i dinin e unë nuk mund t’i dija. Deshën s’deshen, pas asaj që morën vesh, ata e lejuan këtë martesë sepse s’kishin çfarë të bënin, por një gjë e thanë qartësisht: “Derë te ne, nuk ke më!”.
Pa dasëm u martova, isha shtazënë prej katër muajsh dhe në familjen e tij ishin shumë fëmijë. Ai ishte i madhi dhe, me vdekjen e të atit, brenda pak viteve i përzuri të gjithë, madje edhe të ëmën te dajat e vet. Që në fillim vura re se ai nuk kishte dëshirë të punonte, madje të gjitha fjalët e vëllezërve më dolën të vërteta; ai pinte shumë. Në atë periudhë të parë nuk sillej keq me mua se isha shtatzënë dhe kishte kë të keqtrajtonte; familjarët e vet, por pas lindjes së vajzës së parë, hoqi maskën që kishte vendosur me mua deri atëhere dhe filloi të sillej keq, më ofendonte dhe më godiste hera-herës, por unë nuk hapja gojë. Duke qenë se ai nuk punonte, njëri nga ne duhet të punonte dhe pantallonat e burrit i vesha unë e jo ai. Fillova punë në një fabrikë… Ishte qesharake se burri pinte e luante kumar, kurse gruaja duhet të siguronte mbijetesën, por çfarë mund të bëja tjetër? Njëri do ta mbante peshën e përgjegjësisë! Ai, në vend që të ishte i kënaqur dhe mirënjohës, u bë më agresiv, madje më keq i hyri xhelozia në shpirt. Pasojat i vuajta unë. Një herë më nxinte syrin, një herë nofullën e kështu me radhë. Të gjithëve u vinte keq për mua, “lëre” më thoshin, por ku e kuptonin ata se unë nuk isha e zonja t’i kundërvihesha e jo më ta lija? Ku do shkoja edhe sikur ta lija? Ashtu isha rritur unë, e nënshtruar dhe i vetmi guxim që pata, ishte të dashurohesha me njeriun e gabuar. Kot nuk thonë se, si je trajtuar te babai, ashtu do trajtohesh edhe te burri, por kanë harruar të shtojnë se “më keq do trajtohesh”, pasi të paktën tek im atë nuk më rrihnin kot. Vitet kështu ikën… Vitet më të bukura të rinisë ikën me dhunë dhe unë u bëra nënë e tre vajzave, gjëja më e bukur që kisha. Me kohën, burri im bëhej akoma më agresiv, më xheloz edhe nga fakti që të tjerët i flisnin për mua, aq më keq kur i flisnin mirë. “Çfarë kanë me ty që të mbrojnë ata? Ke ndonjë gjë ti me ta?”, më thoshte. Atëhere pinte edhe më shumë dhe vinte edhe në punë. Po të mos më gjente në vendin e punës, në qoftë se unë mund të kisha shkuar në banjo, nuk priste as të shkonte në shtëpi, por fillonte të më rrihte që aty, me grushta, shqelma, më tërhiqte për flokësh dhe kështu, deri në shtëpi. Arrinte deri atje saqë kishte patur raste që më shpërfytyronte. Kur i dilte pija, më pyeste përsëri dhe kur përgjigjet i dukeshin të arsyeshme, më kërkonte falje, por ç’rëndësi kishte më? Sa do të doja të isha mbytur në lumë! Sa herë e kam ëndërruar atë skenë! As njerëzit e mi nuk ndërhynin… Sa pa shpirt u treguan me mua! “E ke marrë vetë!”, më thoshin. Gëzimi im i vetëm në këtë jetë ishin tre vajzat që tmerroheshin sa herë shihnin këto skena tmerri, por një e mirë ekzistonte te kafsha që kisha marrë për burrë, fëmijët nuk i rrihte asnjëherë (në fakt, i kisha mësuar vajzat të mbylleshin në dhomë kur ndodhnin këto sherre). Fëmijët i donte e i përkëdhelte, mundohej që të mos u mungonte asgjë, ndonëse nuk punonte se atë gjë e bëja unë, gomari. Sa grushta, sa shqelma, sa raporte nga mjekët merrja për të justifikuar mungesa në punë derisa përmirësohesha, sa persona ndërhynin për të më ndihmuar gjatë dhunës që përdorte ai ndaj meje, sa u lutesha që të mos ndërhynin se më keq vente… Ndoshta kjo ishte mënyra e tij për t’u hakmarrë ndaj meje që e detyrova të martoheshim, megjithëse nuk qe faji im që mbeta shtatzënë. Ndoshta nuk më kishte dashur kurrë; për të kisha qenë thjesht një lojë që i mbeti në dorë. Ndaj meje ai shprehu urrejtje, xhelozi, xhelozinë e tij nga paftësia për të mos bërë asgjë, por vetëm të pinte, të luante kumar dhe më keq akoma, të shkonte me gra të tjera. Xhelozia e tij ishte e shprehur atje ku nuk duhet të ekzistonte, por mendoj se ishte veç një justifikim i veprimeve të tij ndaj meje.
U deshën 20 vjet që “mbrojtësi im” të më dilte në krah. U deshën gjithë ato vite që djalli të ulej këmbëkryq me mua në sofër, të ulte armët, të hiqte mënjanë gotën e rakisë dhe ta mbushte atë vetëm për festa e gëzime e të kuptonte se edhe ai duhet të punonte. Ky “mbrojtës” ishte një nga vajzat e mia, më e urta dhe më e dhimbsura. Kur vajza ime ishte në vit të katërt në gjimnaz, një nga kushërirat e burrit që punonim bashkë dhe shpesh i fliste kushëririt për sjelljen e tij, më ndërhyri për një krushqi. E njihnim familjen e atij djali dhe pranuam të dy, burrë e grua; gjithashtu edhe vajza e pëlqeu. Djali ishte në Itali. Vajza u fejua e u martua. Vajzës tjetër i doli shkolla dhe iku gjithashtu e atje gjeti edhe fatin e saj. E vogla kishte kohë. Unë vazhdoja të punoja dhe burri im të pinte e përsëri një nënë e bërë vjehrrë, vazhdonte të dhunohej, por do të ishte vajza ajo që do t’i kundërvihej duke i thënë atij babai që kurrë s’e kishte rrahur, por e kishte tmerruar shumë herë, “mjaft!”, atë që unë nuk kisha patur guximin ta thosha asnjëherë:
– Mjaft ose ndryshe po e marr mamin njëherë e përgjithmonë dhe ti të mbetesh vetëm, pa asnjërën nga ne! Do t’i bëj letrat dhe do ta marr në Itali!
Këto fjalë, çuditërisht, e bënë tim shoq të ndalonte. Më pa me përbuzje, por ndaloi së më rrahuri e gjithashtu, ndaloi së piri. Mendova: “Paska Zot!”, se deri atëherë e kisha mohuar sepse më kishte harruar, megjithëse thonë se Zoti, kur ke një dëshirë të madhe dhe nuk ta realizon, ta kthen atë në një tjetër të mirë, në një person që ke për zemër ose ta shpërblen në atë botë. Dëshirën time që atë ditë të isha mbytur në lumë, gjatë gjithë këtyre viteve, ai ma shpërbleu me fatin e mirë që u ka rënë vajzave të mia, që nuk i shikoj të vuajnë, por janë të lumtura me burrat e tyre dhe më mbrojnë e më përkrahin mua. Kot nuk thonë se, kur e keqja mbyll derën, e mira e hap. Për çudi, unë humba edhe punën dhe kush duhet të punonte që të jetonim? Ishte pikërisht djalli që do çohej nga sofra, la qejfet, mori lopatën dhe filloi të punonte. T’a dija, s’do kisha punuar, por nga ta dija? Ja që do ndodhte kështu! Sot unë nuk jam ndarë sepse është tepër vonë, veç në zemër kam mllef të pashprehur asnjëherë.
Për ty, i dashur lexues, që po lexon këtë histori, veçanërisht nëse je femër, një këshillë, që ndoshta do isha e fundit në këtë botë që ta jepja, unë do ta them: Kur burri të godet për herë të parë, pranoje, por mos ul kokën, që të mos e bëjë më. Kërcënoju se, po pati një të dytë, do të ketë një të tretë dhe një të dhjetë, e më pas do të ndodhë si me mua që durova 20 vjet e pyes veten, tashmë gjyshe, se pse nuk pata guximin të thosha “jo”… Si nuk pata guxim t’i thoja “jo” këtij djalli që s’është veçse njeri si unë?!