Unë që po ju shkruaj jam një grua 34 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, një vajze 9 vjeçe dhe një djali, 6 vjeç. Kur mendon se çdo gjë shkon mirë dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë jetën tënde, ndodh diçka; e gjithë bota jote përmbyset dhe merr një kthesë shumë të çuditshme.
Aktualisht, jetoj në Selanik të Greqisë prej 13 vjetësh dhe para pak kohësh, më vdiq im shoq.
Një aksident i tmerrshëm në punë ia shkëputi jetën në moshë shumë të re, pa i mbushur të dyzetat. Mua si person m’u prenë krahët, m’u nda zemra më dysh. Lidhja jonë ishte aq e fortë, saqë ai për mua ishte burri, ishte shoku, ishte vëllai dhe humbjen e tij e vuajta shumë. Nuk ndahesha kurrë nga ai, ishim bashkë për çdo gjë, ajo shprehja “burrë e grua, mish e thua”, nuk ishte e kotë. Kur mora vesh për lajmin e hidhur, isha në shtëpi. Fëmijët sapo kishin ardhur. Ia dhashë ulërimës dhe fëmijët m’u afruan e unë i shtrëngova fort në gji. Ata akoma nuk e kishin kuptuar që tashmë kishin mbetur jetimë, por të trembur më thërrisnin: “Mami, mami!”…
Me shpirt nëpër dhëmbë telefonova njerëzit e tij në Shqipëri dhe me ndihmën e shumë miqve e familjarëve, e sollëm trupin në vendlindje. U bë varrimi dhe u bënë adetet ashtu siç e kemi ne zakon, u pritën e u përcollën njerëzit për 40 ditë. Pas të dyzetave, mendova që nuk kisha më arsye të rrija në shtëpinë e familjarëve të burrit, megjithëse ata këmbëngulnin që unë të rrija akoma. Im shoq është djali i dytë i pesë djemve, që nuk mund të them se në atë ditë zije nuk m’u gjendën, madje përkundrazi, bënë më shumë seç duhet. Mendova se duhet të bëhesha e fortë. Im shoq vdiq e asnjeri nuk ma kthente më në jetë. Të jetoja vetëm me kujtimet e tij, asgjë nuk do të zgjidhej, ndaj mendimet e mia shkuan për fëmijët e mi që ishin jetimë dhe kishin nevojë për mua. Në vetvete, vendosa të kthehesha në Selanik. Aty kisha një punë, punoja në një supermarket dhe pronari në atë ditë zie m’u gjend me të holla dhe me ndihmë. Kur u tregova njerëzve të burrit që kisha për t’u nisur, vura re që ata nuk donin ta bëja këtë. Vjehrra filloi të më lutej që të rrija edhe ca kohë, por unë isha e prerë në vendimin tim, duhet të jetoja dhe të punoja për fëmijët e mi. Ajo po më thoshte se do kujdeseshin edhe ata për fëmijët. Nuk i kundërshtova se nuk mund të mburresha që nuk kisha nevojë. Në shumë biseda familjare, njëra nga kunatat e mia, si me takt, më shprehu mendimin se, sipas zakonit tonë, nëse gruas i vdes burri, ajo mund të martohet me vëllanë e burrit.
– Larg qoftë! – i thashë dhe shtova: – Unë e kam si vëlla!
– Nuk është asgjë… Sipas zakonit, gruaja pa burrë është si peshku pa ujë, – më tha.
E pashë një moment dhe i thashë ta linim këtë muhabet se burrit tim akoma nuk i ishin tretur kockat. Mendova se ishte një budallallëk i pavend, e ndjeja veten si në grackë e mezi prisja të largohesha. Në gjithë ato vite emigracion, ne aty vinim vetëm për pushime, edhe ato, të përgjysmuara, një pjesë te njerëzit e tij dhe një pjesë te njerëzit e mi, por ndjenjtja aty u bë shumë e gjatë me këtë fatkeqësi. Ajo që mund të quhej një budallallëk nga kunata ime, u pasua më pas nga një propozim i gjithë familjarëve që unë të merrja vëllanë e tim shoqi për bashkëshort, sikur e kishin bluajtur gjithë kohën këtë gjë. Në çastin kur ma thanë, qenë edhe familjarët e mi për vizitë dhe unë nuk po u besoja veshëve; po talleshin me mua apo e kishin seriozisht? Mamaja ime, duke më parë ashtu të mpirë e të pafuqishme për t’u përgjigjur, u përgjigj në vendin tim:
– Ndoshta është pak herët për këto gjëra… Ajo është akoma e tronditur.
– Po unë atë e kam si vëlla, – i thashë vjehrrës sime. – Yt bir nuk e ka shprehur kurrë këtë gjë, ai nuk do ta kishte pranuar.
– Edhe ai do ta donte, nuk do të dëshironte që fëmijët e tij të mbesnin pa krahë, – shtoi vjehrra ime.
Diskutimi ynë u mbyll me shumë debate, por unë isha e vendosur dhe atë natë u thashë “mirupafshim”, me idenë që të kaloja pak ditë te të mitë dhe të kthehesha në Selanik.
Bëra valixhet gati, kunata po më ndihmonte dhe po mundohej të më bindte, por unë iu drejtova:
– Po ti, a do ta merrje të ishe në vendin tim?
Ajo heshti për pak sekonda dhe tha “po”, por unë e shikoja drejt në sy dhe e ndjeja që po më gënjente.
Edhe kur qeshë në shtëpinë e të mive, ata nuk i ndërprenë kërkesat e tyre. Para se të nisesha, nuk u tregova e pashpirt e u nisa edhe në shtëpinë e burrit që të takoheshin me fëmijët, por ata përsëri e konsideruan këtë një rast të përshtatshëm që të më imponoheshin me kërkesën e tyre. Kur dola në derë, vëllait të cilin më propozonin ta merrja për burrë, as që ia dhashë dorën. I madhi, kur më përcolli deri te makina, më tha që të mendohesha mirë, por me një shprehje që më shumë ngjante si kërcënim sesa si këshillë. Kur u largova, thashë se shpëtova, po harroja hidhërimin me gjithë këto mendime dhe preokupime që më dolën kaq papritur. Gjithë rrugës fillova të mendoja si mund të martohesha me një njeri që më përpara nuk mund ta konsideroja më shumë se një vëlla… Si kishin për ta thërritur fëmijët, xhaxha, apo baba? Çfarë dileme! Po nëse im shoq do ta kishte lënë amanet, unë, a do të martohesha me atë? Me siguri, jo, por mendoj se edhe im shoq, nëse do të kishte patur këto mendime, në një rast të vetëm, do të m’i kishte shprehur. Në vend që të preokupohesha se si do të bëja tani, e vetme, mendjen ma zunë shqetësime të tjera që unë me shpresë, mendova se i lashë prapa, në Shqipëri.
Të nesërmen e ardhjes, fillova punë te supermarketi. Pronari u tregua i gjendshëm e bujar me mua. Fëmijët filluan aktivitetet e tyre të përditshëm, lidhjet e mia me shqiptarët aty u bënë më të shpeshta, pasi unë kisha nevojë për ndihmë, që t’i mbanin fëmijët deri në orarin e mbarimit të punës. Kur mendova se gjërat po vazhdonin rrjedhën, pa kaluar muaji, në derën e shtëpisë…
Fëmijët filluan aktivitetet e tyre të përditshme, lidhjet e mia me shqiptarët aty u bënë më të shpeshta, pasi unë kisha nevojë për ndihmë, që t’i mbanin fëmijët deri në orarin e mbarimit të punës. Kur mendova se gjërat po vazhdonin rrjedhën, pa kaluar muaji, në derën e shtëpisë pashë vëllain e madh të tim shoqi. E prita ashtu siç pritet një njeri i familjes. Ai filloi të përgëzonte fëmijët dhe, pas darke, më tha:
– U mendove për kërkesën që të bëmë?
Unë shtanga, u kërkova fëmijëve që të largoheshin në dhomën e tyre dhe fillova të diskutoja me të.
– Tani, unë e kam dhënë përgjigjen time!
– Ç’të keqe shikon në këtë mes? Ti do kesh krahë, fëmijët nuk do të jenë njeri pa njeri. Ti mund të vish të jetosh në shtëpi, ose ai mund të vijë të jetojë me ty.
– Ore, si nuk e kuptoni që nuk mund të martohem me një njeri që e kam konsideruar deri dje si vëlla?! Ju lutem, mos ua tronditni jetën fëmijëve të mi më shumë se ç’u është tronditur. Ju doni të martoni vëllanë se ju ka mbetur beqar dhe hajt, çfarë do bëjmë, ta martojmë me kunatën! Nuk e kuptoni sa absurde është?! Dhe, sa për t’u kthyer, unë nuk vij të jetoj më në fshat. – I thashë “natën e mirë”.
Të nesërmen në mëngjes ai filloi prapë dhe me një ton gati kërcënues: – O merr vëllanë tonë ose…
– Çfarë? – I thashë.
– Mos ke ndonjë tjetër? – shtoi.
– Po, atë rahmetliun që po i treten kockat dhe ju vini e i kërcënoni gruan! – i thashë pa m’u dridhur qerpiku.
Ai u largua, por mua më plasën lotët. Vajza, që kishte dëgjuar çdo gjë, m’u afrua dhe më shtrëngoi në gji. – Nuk e dua xhaxhin fare! – më tha dhe e mori lodrën e tij dhe e vërviti.
Atë ditë në punë isha si e shushatur. Pronari e vuri re dhe më thirri te zyra, duke më pyetur mos kisha ndonjë hall. Këtë periudhë ai më ishte gjendur shumë dhe unë i isha mirënjohëse. Ai ishte rreth të 50-ve, i divorcuar nga gruaja, me dy fëmijë, por ishte njeri shumë i mirë, madje edhe im shoq, kur ishte gjallë, shkonte shumë me të. Iu rrëfeva. I tregova se çfarë halli më brente në shpirt.
– Nuk është ndonjë çudi të marrësh vëllanë e burrit, ama nëse ke dëshirë dhe jo me dhunë, – po më thoshte. – Nëse ndihesh e kërcënuar, mund të njoftosh policinë.
– Jam në dilemë të madhe. Nuk di si të sillem. Nuk e prisja që ata të bëheshin shumë këmbëngulës. Mos duhet të pranoj? A po bëj gjënë e duhur?
– Dëgjo Kristina, nuk është e lehtë t’i thuash tjetrit se çfarë duhet të bëjë. Unë të këshilloj të shkosh te një psikologe. Të dërgoj unë. Është një e njohura ime dhe aty mund të sqarosh idetë.
Ndoqa udhëzimet e tij dhe u takova me psikologen. Më shumë sesa këshilla, ajo më sqaroi si të mbrohesha nga kjo situatë. Më këshilloi që të lajmëroja policinë nëse më kërcënonin përsëri.
Pas pak ditësh, më telefonuan edhe prindërit e mi, duke më thënë se edhe atyre u kishin bërë presion që të më mbushnin mendjen. Jeta ime po bëhej një ferr i vërtetë. Telefonatat nuk pushonin, më merrnin të gjithë familjarët e tij me radhë, madje arritën deri atje sa të më kërcënonin se do të m’i merrnin fëmijët, arritën të më kërcënonin edhe me jetën. Ndërrova numrin e telefonit që të mos i dëgjoja më dhe rrija me frikën se, nga dita në ditë, mund t’i gjeja në derë. Të gjitha këto halle fillova t’i ndaja me pronarin ku punoja dhe shpesh, ai më shoqëronte me makinë në shtëpi. Ky afrimitet u bë shumë i dendur, saqë në një nga ato shoqërimet e tij, ai shprehu se më ndjente afër dhe se i kisha hyrë në zemër. Unë budallaqe nuk isha. Edhe unë kisha filluar të kuptoja që diçka po ndodhte, por e kisha lënë të rridhte ashtu si uji në përrua. Nuk e refuzova, vetëm i kërkova pak kohë. Tani gjendesha mes dy zjarreve; nga njëra anë dilema nëse duhet të merrja vëllanë e burrit dhe t’i nënshtrohesha fatit, apo të zgjidhja unë për jetën time. Mendova: “Po nëse e marrin vesh ata, si i bëhet halli? Po sikur të më vrasin, ose më keq, po sikur të më rrëmbejnë fëmijët? Jeta ime ishte në një udhëkryq të madh. Ndihesha si ai zogu në grackë, që tenton të gjejë një rrugëdalje.
Nikos, pronarit ku unë punoja, i shpreha frikën që kisha për veten dhe për fëmijët e mi. Mendova se nëse do të kishte zgjedhur im shoq për mua, zgjedhja e tij do të ishte pikërisht Nikoja.
Me frikë në zemër, me dëshirën për të patur një njeri në krahë që të më ndihmonte, unë u lidha me Nikon, por rri akoma me frikën se një gjë e keqe mund të më ndodhë apo se ndoshta humbas fëmijët, gjënë më të shtrenjtë që kam. Nëse do të kishe qenë ti, lexues, çfarë do të kishe bërë? Do të kishe bërë këtë zgjedhje që bëra unë apo do më të kishe këshilluar të martohesha me vëllanë e burrit, që deri njëfarë kohe më përpara e konsideroja si vëlla?!