Keni pëllëmbë duarsh të kuqe, thonj të çngjyrosur, etj.? Më poshtë do t’ju shpjegojmë se çfarë tregojnë këto për shëndetin tuaj të përgjithshëm… Mbi të gjitha, mos i neglizhoni!
Gishta të enjtur
Shpesh, një fenomen i tillë shkaktohet nga ushqimet me shumë kripë ose nga sindroma para-menstruale, por nëse unazat të rrinë shtrënguar në gisht edhe pasi i eviton të kripurat, ndërsa menstruacionet i ke disa javë larg, atëhere enjtja mund të shkaktohet nga hipotiroidizmi. Me një fjalë, gjendrra tiroide nuk prodhon sasinë e duhur të hormoneve të nevojshme për të rregulluar metabolizmin dhe për mirëfunksionimin e trupit. Problemet e tiroideve mund të ngadalësojnë metabolizmin, të bëjnë të shtosh në peshë dhe të grumbullosh lëngje. Hipotiroidizmi i patrajtuar mund të shkaktojë lodhje, ulje të epshit, bile edhe probleme me zemrën. Një analizë e thjeshtë gjaku tregon nëse tiroidja jote punon si duhet dhe disa ilaçe hormonale sintetike në formë tabletash, mund t’i ndihmojnë hormonet dhe gishtat në kthehen në gjendjen normale.
Pëllëmbë të kuqe
Nëse pëllëmbët e duarve janë të kuqe, të kruhen ose djegin, ato mund të jenë shenjë e ekzemës, një çrregullim kronik i lëkurës që mund të përkeqësohet kur je i stresuar. Për të kufizuar irritimin, përdor pastrues pa sapun dhe vish doreza kur pastron apo merresh me kopshtari. Nëse edhe kjo nuk të ndihmon, skuqja mund të tregojë një alergji ndaj bizhuterive, kimikateve në disa produkte ose antibiotikëve. Këto alergji zakonisht janë më bezdisëse sesa të rrezikshme, por mund të sigurohesh nëse bën një test për të evituar ato substanca që të shkaktojnë alergji. Një përjashtim këtu bëjnë gratë shtatzëna, pasi gjatë shtatzanisë, fluksi i gjakut shtohet në gjithë trupin, duke shkaktuar edhe skuqje të përkohshme…
Thonj duarsh të zbehtë
Thonjtë duhet të bëhen të bardhë kur i shtyp e pastaj të bëhen rozë, kur i lëshon. Nëse thonjtë e tu qëndrojnë të bardhë më shumë se një minutë ose dy, mund të kesh anemi ose mungesë hekuri. Kjo e fundit shkakton lodhje ose, në rastet më serioze, probleme zemre, prandaj duhet të shkoni te doktori. Për të plotësuar mungesën e hekurit, konsumo ushqime të pasura me të si mishi e arrat, si edhe ushqime me vitamina C, që shtojnë thithjen e hekurit nga trupi.
Maja gishtash të mpirë apo ngjyrë blu
Simptoma e gishtave ngjyrë blu, mund të shkaktohet nga sëmundja e Reinodit, një spazmë e përkohshme e enëve të gjakut që e shtrëngon gjakun të shkojë në gishtërinj (nga vjen edhe mpirja), gjë që ndodh në 5-10% të njerëzve. Kjo ndodh më shumë te gratë dhe shpesh, shkaktohet nga temperaturat e ftohta apo stresi. Sëmundja në fjalë është kronike, por mos u shqetësoni (Vetëm kur mpirja zgjat më shumë se një orë, duhet shkoni në urgjencë!). Evitojini këto kriza duke mbajtur një qarkullim gjaku të shëndetshëm: Evitoni duhanin dhe kafeinën e tepërt, sepse që të dyja tkurrin enët e gjakut dhe bëj sport rregullisht.
Thonj të çngjyrosur
Thonj të tillë shkaktohen nga myku, por mund të jenë edhe një shenjë paralajmëruese e diabetit. Sistemi imunitar dhe vaskular te diabetikët janë të çakorduar, duke krijuar një mjedis që lejon zhvillimin e bakterieve apo mykut. Në thonj mund të dalin njolla jeshile ose ata mund të trashen e zverdhen dhe të shkëputen nga shtrati i tyre. Në këto raste, duhet të vizitohesh te doktori për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak, si duhet të ushqehesh, etj. Në disa raste, thonjtë zverdhen edhe nga manikyri i errët. Mund të të ndihmojë përdorimi i produkteve për zbardhjen e dhëmbëve.
Gisht tregues i shkurtër
Gratë që kanë gishtin tregues më të shkurtër sesa atë të unazës, rrezikohen nga artriti i kockave ose sindroma e vezoreve polikistike; një çrregullim hormonal që ndikon në pjellori. Pozitive në këtë rast është se ato rrezikohen më pak nga sëmundjet e zemrës. Ndodh që gishti i unazës të jetë më i gjatë, për shkak të një ekspozimi më të madh ndaj testosteroneve në mitrën e nënës, që ka lidhje edhe me shëndetin e skeletit, pjellorisë apo zhvillimin kardiovaskular. Megjithatë, nuk duhet të fiksohesh pas kësaj gjatësie dhe të mos e marrësh si faktor të përnjimendtë rreziku.