– Përshëndetje! Ju falënderoj për informacionet e gjithanshme që na jepni. Unë që po ju shkruaj jam Lorenci nga Pogradeci, lexues i rregullt i gazetës.
Dua një informacion të plotë dhe të saktë mbi të gjitha dëmet që sjell pirja e duhanit në organizmin e duhanpirësit dhe të atyre njerëzve që nuk e pinë duhanin, por për shkak të rrethanave apo kushteve, janë të detyruar të qëndrojnë në një ambient ku pihet duhan vazhdimisht.
Do të dëshiroja një përgjigje këtë javë. Faleminderit.
– I nderuar Lorenc, siç dihet, duhani përmban një helm që quhet nikotinë, por edhe lëndë të tjera si benzopiren etj. Nikotina vepron në aparatin e frymëmarrjes dhe shkakton astmën bronkiale. Gjithashtu, ai vepron te zemra, duke shkaktuar aritmi. Në gjak dëmton rruazat e kuqe dhe enët e gjakut. Në rast se pini shumë duhan, mund të pësoni helmim nga nikotina. Sot në botë mendohet se çdo vit, gjer në 4 milion njerëz, vdesin prej sëmundjeve që shkakton pirja e duhanit. Në listën e sëmundjeve që shkakton duhani është kanceri i mushkërisë ose astma, siç e thamë më sipër. Pastaj vijnë dhe një sërë sëmundjesh të tjera, siç janë: Kanceri i buzëve, i fytit dhe gurmazit, probleme të mitrës, gjer në formim të cisteve ose një shkaktar shumë i madh i një menopauze të hershme. Duhani është një nga shkaktarët e kancerit të fshikëzës së urinës dhe të pankreasit, i erës së keqe të gojës, sëmundjeve të dhëmbëve dhe mishrave të tyre, i dëmtimit të shijes dhe nuhatjes. Ai shkatërron qelizat e trurit, deri shkaktuar edhe mungesë të kujtesës apo vështirësi në mësim; dëmton sytë duke shkaktuar perde të syve; dëmton lëkurën, duke e rrudhur atë para kohe; shkakton infeksione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes; shpejton forcimin e damarëve, duke shkaktuar tension të lartë; shkakton bllokim të damarëve të trurit dhe zemrës, duke ndikuar keq mbi këto organe; pengon ereksionin te meshkujt; shkakton gastrit, ulçer apo refluks në traktin tretës; vonon shërimin e plagëve të ndryshme; shpejton osteoporozën dhe dëmton thonjtë. Pra, siç e shikoni, pirja e duhanit është shkaktar i shumë sëmundjeve. Pirja e duhanit është mjaft e dëmshme edhe te gratë shtatzëna, për shëndetin e embrionit. Prandaj femrat që ngelen shtatzëna, duhet ta lënë menjëherë duhanin, nëse u dhimbset bebja që po formohet brenda tyre. Fakti që e lini duhanin për të mos dëmtuar fëmijën, është një rast i mirë që ta lini atë përgjithmonë. Kjo s’do të thotë që sapo të lindni fëmijën, ta filloni përsëri duhanin sepse dëmi që sjell ai, është po njësoj. Mos harroni se lëndët që përmban cigarja, kalojnë edhe në qumështin e nënës. Dëmi më i madh i duhanit është në moshën e adoleshencës, kur, për fatin e keq, po shtohet pirja e tij nga kjo kategori njerëzish jo vetëm te djemtë, por edhe te vajzat. Dëme të mëdha shkakton duhani edhe tek ata që nuk e pinë, për të mos thënë që ata janë viktima, shpesh më të rënda sesa vetë duhanpirësit. Duke qëndruar në ambiente ku pihet shumë duhan, duke qëndruar me orë të tëra në pab, lokale apo kudoqoftë, të rrethuar me duhanpirës, edhe ata që nuk e pinë, e kanë marrë një dozë të mirë të nikotinës dhe mund të vuajnë përsëri nga shqetësime shëndetësore, njësoj si duhanpirësit e rregullt. Prandaj, mundohuni t’i shmangni ambiente të tilla, ndërsa ata që e pinë, të hedhin një hap në lënien e tij urgjentisht, sepse kjo është në të mirë të shëndetit tuaj dhe të njerëzve që ju qëndrojnë afër. Fare mirë në lënien e duhanit ju ndihmon regjistrimi në një palestër, kurs kërcimi ose të merreni me sport, të bëni eskursione në mjediset e bukura të vendit tonë, t’i drejtoheni natyrës, sepse aty do të gjeni gëzimin lumturinë, shëndetin e mirë dhe të gjitha këto do të ndikojnë në jetëgjatësinë tuaj e, pse jo, edhe në paraqitjen tuaj, që do të duket më e këndshme dhe e shëndetshme. Nuk ka pasuri më të madhe sesa shëndeti i mirë, pa sëmundje dhe dhimbje.