Njeri i pisët
– Nuk e mbaj mend shumë ëndrrën në veprime, vetëm kujtoj që ishte dikush që dukej më i pisëti (në kuptimin moral), por më vonë kuptova që ishte më i miri ose më saktë, jo ai i tmerrshmi që supozohej të ishte. Pres përgjigje, sepse m’u duk shumë interesante; më dukej sikur po e përjetoja realisht ndjesinë për këtë person. Mira.
– E dashur Mira, ëndrra juaj është më se e qartë. Ju do të përballeni realisht me një zbulim të tillë. Dikush që deri dje ju është dukur më i keqi, ashtu siç e keni parë edhe në ëndërr, do të zbuloni se në të vërtetë nuk është ashtu. Por, për të arritur në këtë konkluzion, ëndrra ju këshillon t’i jepni një mundësi që ta njihni vërtet dhe të vërtetoni të kundërtën e asaj çfarë keni menduar deri tani. Nëse nuk do të ketë një rrugë komunikimi, nuk do ta merrni vesh asnjëherë si qëndron e vërteta. Gjithë të mirat!
Duke folur për kalërimin
– Kam parë në ëndërr para dy netësh sikur isha në një fushë të madhe ku kishte kuaj dhe njerëz që i kalëronin. Një grua m’u afrua dhe më pyeti a kisha rifilluar të ecja me kalë. Unë iu përgjigjia se jo, por që do të filloja përsëri, ndërkohë që isha i ndërgjegjshëm se nuk kisha biseduar ndonjëherë me këtë grua dhe s’mbaja mend nëse kisha kalëruar ndonjëherë. Pastaj iu drejtova vetes, sikur po shikohesha në pasqyrë: “Pse të mos kalëroj vërtet?”. Duke u nisur për të marrë një kalë, u zgjova nga gjumi. Niku.
– I nderuar Niku, kali, siç dhe e kemi thënë herë të tjera, përfaqëson energjinë e jetës, emocioneve, lirinë dhe pasionin për të jetuar çdo moment të jetës. Ju e ndjeni që ka ardhur koha të ndryshoni diçka në jetën tuaj, por s’keni guxim, edhe pse jeni plot energji në vetvete. Gruaja që keni parë, përfaqëson ndërgjegjen tuaj të fshehur brenda vetes, që ju fton të nxirrni në jetë energjitë tuaja pozitive dhe t’i përdorni për të rindërtuar jetën tuaj pozitivisht, gjë që do t’ju shërbejë për një të nesërme më të sigurtë. Çfarë prisni? Jepini vetes vetëm pak kurajo dhe gjithçka do të ecë vetë pastaj.
Me pushkë
– E pashë veten sikur po qëlloja me pushkë automatike dhe sikur isha për gjueti me miqtë e mi. Më vinte keq që po i vrisja ata zogj dhe po mendoja se nuk mund të bënim ndryshe, ne prandaj kishim shkuar për gjueti. Pastaj, kjo ishte e vetmja mënyrë që ne t’i arrinim ata zogj. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr? J.
– I/e nderuar J. Ëndrra juaj tregon që jeni bindur realisht me veten se e vetmja mënyrë për të arritur shumë gjëra në jetë është të përdorni agresivitetin. Kjo gjë nuk ju pëlqen, por jeni i vetëdijshëm që ky është një realitet që nuk njeh rrugëzgjidhje tjetër, të paktën për momentin. E megjithatë, ndoshta po ta vrisni trurin më shumë, ka shumë mundësi të gjeni një rrugë tjetër akoma më të lehtë që s’ka lidhje fare me agresivitetin.
Shkallë e pambaruar
– Pashë në ëndërr sikur kisha një shtëpi shumë të shndritshme dhe isha në moshën e tanishme. Nga kati i sipërm i shtëpisë mund ta shikoja gruan time në katin e parë. Midis dy kateve është një shkallë që po e ndërtojmë për të bashkuar dy katet, por që është e papërfunduar dhe unë po mendoja: “Sa kohë kemi që e kemi nisur këtë shkallë dhe s’e përfunduam dot!”. Edhe sikur të doja ta përfundoja, dukej që diçka nuk shkonte te kjo shkallë që ka ngelur e përgjysmuar. Ashtu, duke medituar dhe duke shikuar time shoqe në katin e parë, u zgjova nga gjumi. Pres parashikimin tuaj. Fatmiri.
– I nderuar Fatmir, e gjithë ëndrra tregon qartë që ju keni probleme në çift. Ju ndodheni në katin e sipërm të shtëpisë dhe e shikoni gruan tuaj, por nuk komunikoni me të. Mes jush është shkalla që u nis për t’u përfunduar, por që nuk mbaroi kurrë. Shkalla përfaqëson tentativat që keni bërë ju për të rregulluar problemet që keni me gruan, por deri tani, asgjë nuk është zgjidhur mes jush. Tani mendoni të dorëzoheni sepse e shikoni se ka diçka që nuk shkon mes jush dhe kjo nuk do të rregullohet kurrë. Këto janë mendimet tuaja që duken shumë qartë nëpërmjet ëndrrës që keni parë, ndërsa gruaja juaj, nga ana e saj, qëndron krejt indiferente në botën e saj dhe ju këtë e keni kuptuar tashmë prej kohësh. Jeni lodhur nga kjo lloj gjendjeje që është krijuar mes jush dhe ndiheni i pafuqishëm për ta rregulluar marrëdhënien tuaj. Fatkeqësisht, ëndrra tregon gjendjen tuaj aktuale dhe nuk përshkruan se çfarë do të ndodhë më tej, por unë uroj që problemet tuaja të zgjidhen dhe ta shpëtoni marrëdhënien tuaj në çift. Ndoshta po të bëni dhe një tentativë tjetër për të zgjidhur atë çfarë pengon komunikimin tuaj, do të merrni vendimin e duhur që të mos pendoheni kurrë më sepse duket që jeni si në ajër dhe nuk e dini si të veproni. Uroj të bëhet më e mira mes jush!
Det dhe ura
– Kam parë në ëndërr sikur isha shtrirë në një makinë dhe po udhëtoja në rrugën anash një mali. Në anën tjetër ishte një det i mrekullueshëm dhe lart shikoja ura me harqe e drita shumë të bukura. Ecja, por kisha frikë se mos largohesha shumë dhe u ktheva.
– Të gjitha ato që keni parë në ëndërr përfaqësojnë rrugën e jetës tuaj, e cila duket që do të sjellë surpriza të këndshme. Ama, përkrah kënaqësisë, do të keni frikë se mos zhgënjeheni, sepse ju duket e pabesueshme që po ju ndodhin gjëra kaq të bukura. Në një moment do të keni dëshirë të ktheheni mbrapsht, por ëndrra këshillon të mos e bëni një gjë të tillë. Përjetojini deri në fund ato që sjell jeta. Asnjëherë mos u zmbrapsni, aq më tepër kur bëhet fjalë për këto që thashë më sipër. Gjithë të mirat!
Në errësirë, brenda trupit
– Përshëndetje astrologe! Kam parë diçka shumë të çuditshme në ëndërr. Kam parë sikur isha në errësirë dhe vendosa të futesha brenda trupit tim. Unë sikur u futa brenda trupit tim duke zbritur poshtë me anë të një litari. Ishte një labirint i madh dhe shikoja organet, trurin e mendimet e mia të transformuara në objekte. E ndjeja që askush nuk po më detyronte ta bëja këtë gjë, por isha e qetë që po e bëja. Papritur pashë që u ndez një dritë, e cila po ndriçonte një kuti të zezë. Kutia ishte e mbyllur dhe mua m’u krijua përshtypja sikur brenda ishte djalli. Duke menduar kështu, u terrorizova dhe u ktheva mbrapsht, në gjendjen normale. Më ka zënë frika. Çfarë kuptimi ka? Arjola.
– E dashur Arjola, nuk keni pse të keni frikë kur ndërkohë, nga ëndrra, kuptojmë që ju jeni një psikoterapiste e vetvetes. Në ç’kuptim? Ju keni kohë që po merreni vetëm me veten tuaj, e shtyrë nga një zhgënjim që keni pasur kohët e fundit. Keni vendosur të shikoni se çfarë nuk shkon te ju, si mund ta rregulloni këtë gjë dhe si të harroni atë çfarë ndodhi. Në fakt, bëni shumë mirë, ama shpesh ju ndodh që të frikësoheni kur zbuloni se brenda jush ka edhe anë të errëta ose negative, siç mund t’i ketë çdo njeri tjetër dhe kjo ju bën pesimiste. Nuk duhet të ndiheni kështu sepse çdonjëri prej nesh mbart në vetvete si anën negative, ashtu edhe atë pozitive, si një barazpeshë për ekuilibrim. Nuk është e thënë që kjo anë negative të jetë e keqe fare; ajo mund të përfaqësojë agresivitetin tuaj, egoizmin, ndjeshmërinë e tepërt etj. Kjo njohje dhe analizë e vetvetes dhe e situatave që keni kaluar, do t’ju ndihmojë të ndërtoni një të ardhme më të sigurtë. Ndoshta për momentin ndiheni e lodhur nga kjo gjë, por do t’ju shërbejë që të keni më shumë besim në vetvete. Mos u shqetësoni nga rezultatet e analizave, përkundrazi, duhet të gëzoheni sepse kështu do t’i keni më të qarta idetë se si duhet të silleni në situata të ndryshme, në marrëdhëniet personale, shoqërore, në punë, familje etj.
Stuhi
– Isha në shtëpi, më telefonoi i dashuri dhe më tha: “Hajde se po të pres tek i njëjti vend”. Dola jashtë dhe pashë që po bënte stuhi e madhe. Binte shumë shi dhe frynte aq erë sa edhe pemët po lëviznin. U vura në siklet dhe nuk dija si të shkoja tek i dashuri. E mora në telefon dhe i thashë: “Po bëhet nami jashtë! Nuk di si të vij…”. Ai më tha: “Po unë po të pres, kështu që hajde!”. U mërzita me të, por u nisa drejt tij dhe mezi ecja rrugës, nga shiu i rrëmbyeshëm dhe i madh. Ndërkohë që po arrija te vendi, pashë që kishte pushuar stuhia. A mund të më thoni çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Adela.
– E dashur Adela, ëndrra tregon që keni pasur debate jo dhe aq të mira me të dashurin; po vuani pikërisht për këto që keni diskutuar dhe gjendja juaj në çift duket pak e tensionuar, por mos u mërzisni; në ditët në vazhdim gjithçka do të zgjidhet, ashtu siç e keni parë në ëndërr. Çdo gjë do të qetësohet, ju do të sqaroheni dhe marrëdhënia juaj do të jetë përsëri në harmoni dhe e bukur, siç ka qenë. Stuhia që keni parë në ëndërr tregon debatet dhe zënkat që keni pasur kohët e fundit, por çdo gjë do të kthjellohet mes jush.