– Jam M. nga Tirana. Kam mbi 8 vjet me një femër që e dua shumë. Ka ca kohë që në telefonin e saj gjej sms që ia çon njëri dhe ajo flet me të në telefon, por i fshin thirrjet, duke më thënë që s’ka folur. Si të bëj unë pasi e dua shumë, ndërsa një ditë ajo më shkroi: “të urrej”? Si të veproj, ju lutem?
Redaksia: – Nuk e di çfarë moshe keni, por duke u nisur nga ajo pak që keni shkruar, mendoj se marrëdhënia juaj është pak e lëkundur, pavarësisht se ju shpreheni se e doni këtë vajzë. Ne ju sugjerojmë të siguroheni mirë nëse ajo çfarë dyshoni është e vërtetë. Në rast se është e vërtetë, merreni me qetësinë më të madhe dhe bisedoni me të dashurën tuaj, pa qenë nevoja të irritoheni apo të ziheni. I thoni se sa e rëndësishme është ajo për ju, por se, nëse ajo ka dëshirë të shkëputet prej jush, do ta lini të lirë. Mendoj se pas kësaj bisede që do të bëni, ju do të merrni një përgjigje nga e dashura juaj, qoftë ajo negative ose pozitive. Nëse ajo vazhdon ta mohojë se flet me dikë tjetër, edhe pse ju vërtetoni se është e vërtetë, do t’ju sugjeroja të shkëputeni për ca kohë që të kuptoni më mirë ndjenjat e saj dhe tuajat. Në këtë mënyrë, edhe ajo do të reflektojë mbi lidhjen me ju dhe nëse vërtet ju dashuron, do të kthehet me ju. Nëse nuk ju ndjen ashtu siç duhet, do të vazhdojë jetën e saj pa ju. Ju këshilloj të mos krijoni kaq shumë varësi ndaj saj. Është mirë që në disa momente të bëheni egoist, që do të thotë të pretendoni nga ajo dashuri të sinqertë, siç e keni edhe ju për të. Nëse nuk ka ndjenja reciproke dhe respekt në marrëdhënien tuaj të dashurisë, është më mirë që të ndaheni. Çdonjëri prej nesh meriton dashuri dhe respekt reciprok. Gjithë të mirat!