– Jam e shqetësuar sepse im bir sheh revista pornografike. Një ditë, teksa po i pastroja dhomën, pashë që poshtë dyshekut kishte foto dhe revista me femra lakuriqe. A është normale kjo gjë?
– Nuk duhet të shqetësoheni, zonjë. Megjithëse nuk na e thoni moshën e djalit tuaj, përsëri ju them që është normale. Me siguri, ai është në moshen e adoleshencës, ku nevojat fiziologjike e shtyjnë të shikojë ato revista. Për më tepër, nuk duhet harruar që fëmija juaj me siguri udhëhiqet nga parimi: “E bëjnë të tjerët, do ta bëj edhe unë”. Ka shumë mundësi që këto revista të qarkullojnë brenda një grupi shokësh, ndërmjet të cilëve lirshmëria për të folur rreth seksit është e madhe. Duke patur si pikënisje një revistë pornografike, ata ndajnë me njëri-tjetrin atë çfarë dinë rreth seksit, ndaj mos u shqetësoni.
– Jam vetëm 17 vjeçe dhe, ndryshe nga shoqet e mia, jam shumë e turpshme dhe e ndrojtur. Nuk kam pasur asnjëherë lidhje dhe më duket se jam kundra rrymës së moshatareve të mia…
– Është më se normale që një vajzë e moshës tuaj të jetë e ndrojtur. Pastaj, nuk është aspak logjike ajo çfarë thoni ju, që jeni kundra rrymës; sepse nuk është e thënë që pse janë moshatarët tuaja të lidhura me ndonjë djalë, duhet të jeni e lidhur edhe ju. Në lidhje nuk hyn “moda”; këtë hap duhet ta hedhësh kur ta ndjesh dhe jo sepse e bëjnë shoqet e tua. Nuk mund të jesh njësoj me mikeshat e tua. Herët a vonë do të gjesh dikë që të të bëjë të ndihesh mirë dhe me kalimin e viteve, do të të ikë edhe ndrojtja.
– Jam një vajzë që kam probleme me organin tim seksual; kam humbur tonusin e muskulaturës vaginale. Ajo është e qullët e unë thuajse nuk ndjej asgjë gjatë kryerjes së marrëdhënieve. Ç’duhet të bëj?
– Ju duhet t’i nënshtroheni një gjimnastike të rregullt që konsiston në kryerjen e disa ushtrimeve. Një prej tyre është: Në një mjedis të përshtatshëm (mundësisht, në banjo ose ambient tjetër shtëpiak), uluni me këmbë të hapura dhe me duar të mbështetura mbi kofshë. Bëni përpjekje për të nxjerrë një sasi të vogël urime. Me të filluar dalja e saj, mbajeni menjëherë. Për këtë, duhet të kontraktoni muskujt. Duhet ta dini se muskujt që kontrollojnë murin vaginal, kontrollojnë edhe zbrazjen e urinës. Gjatë minutave pasuese vazhdoni ta nxirrni urinën me pika të vogla, gjithmonë duke kontraktuar muskujt për të ndaluar apo filluar rrjedhjen. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë, derisa të arrini ta mbani plotësisht urinën.
– Cilat janë zonat erogjene të femrës, përkëdhelja e të cilave shkakton kënaqësi seksuale?
– Gjithë lëkura e femrës është e ndjeshme, por të gjitha femrat kanë disa zona veçanërisht të ndjeshme, përkëdhelja e të cilave zgjon kënaqësinë seksuale. Ato janë qafa, pjesa e brendshme e veshëve, gjoksi dhe thithkat, ijet, pjesët e brendshme të kofshëve dhe sigurisht, organet gjenitale. Shumë femra e arrijnë orgazmën vetëm duke përkëdhelur me dorë këto pjesë të trupit.