– Sa kohë ka që ekziston pilula dhe a ka ndryshuar shumë ajo gjatë viteve?
– Pilula është eksperimentuar për herë të parë në vitin 1955 dhe që prej asaj kohe ka ndryshuar shumë. Laboratorët kanë punuar pa pushim për të përmirësuar tolerancën klinike dhe biologjike ndaj pilulës, duke ruajtur efikasitetin e saj gati total, që përbën pikën e saj të fortë. Përmirësimi i tolerancës bëhet me dy mënyra: Një pakësimi të konsiderueshëm të sasive të hormoneve dhe krijimin e progestativëve shumë të fuqishëm, duke bërë të mundur përdorimin e dozave të vogla. Kështu, që prej pilulës së parë, Enovidit, doza e estrogjeneve është pjesëtuar për shtatë. Përsa i përket progestativëve, një tabletë Enovidi përmbante më shumë se gjithë ato që përdoren për një muaj tani.
– Çfarë përmban një pilulë?
– Çdo tabletë përmban një estrogjen dhe një progestativ të sintetizuar. Estrogjeni është gjithmonë i njëjti, etinil-ekstradioli, i dozuar me 15-50 mg për pilulë sipas markës (kjo dozë është treguar në çdo kuti). Progestativi është gjithashtu një derivat i progesteronit, efektet e të cilit “kopjon”. Natyra dhe doza e progestativit ndryshojnë në varësi të laboratorit farmaceutik. Pilulat janë konceptuar për të riprodhuar në mënyrë artificiale një ciklët normale prej 28 ditësh.
– Çfarë janë minipilulat?
– Pilulat e ashtuquajtura “të minidozuara”, ose “minipilula” janë pilula që përmbajnë doza të vogla estrogjenesh, pra 15-30 mikrogramë etinil-ekstradiol.
– Çfarë quajmë mikropilula?
– Quajmë “mikropilula”, pilulat që përmbajnë vetëm një progestativ me doza të vogla, pa estrogjene. Ky term nuk aplikohet për pilulat estroprogestative.
– Çfarë quajmë “klimë hormonale” të një pilule?
– Ekuilbiri mes dy përbërësve të pilulës krijon një “klimë hormonale” që varion nga një pilulë tek tjetra. Ekziston mes pilulave një lloj hierarkie hormonale që njihet nga mjeku.
– Cilat janë tipet e ndryshme të pilulës?
– Sipas dozës së estrogjeneve dhe variacionet e saj në funksion të ciklit dallojmë formula të ndryshme të pilulës. Kur formula dhe ngjyra e secilës tabletë është e njëjtë në gjithë pllakëzën me pilula, flitet për pilulë monofazike. Kur doza shtohet në pjesën e dytë të ciklit, thuhet që është pilulë bifazike. Më në fund, kur në pllakëzën e tabletave kombinohen tre ngjyra të ndryshme, flitet për pilulën trifazike.
– Si të zgjedhim pilulën e duhur?
– Shumë gra i durojnë praktikisht të gjitha llojet e pilulave, por ka edhe disa që janë të detyruara të ndërrojnë shumë herë për të gjetur atë që u përshtatet. Ndodh rrallë që ato që mos tolerojnë asnjë lloj dhe të gjejnë një mënyrë tjetër kontracepsioni. Mjeku juaj njeh veçantitë dhe klimën hormonale, si edhe ndryshimet mes pilulave. Ai do të mund t’ju këshillojë më mirë, duke ju përshtatur morfologjisë suaj. Në rastin e intolerancës, ai do t’ju orientojë drejt një pilule me klimë hormonale, ose dozë të ndryshme. Për shembull, ju mund të ndjeni bezdi, apo ndjeheni e fryrë, nervoze me një pilulë me klimë estrogjenesh dhe shumë më mirë me një pilulë me dozim normal, me klimë progesteroni ose mikse.
– Cila është mënyra e veprimit të pilulës?
– Pilula bashkon tre mënyra veprimi që e bëjnë atë një metodë të sigurt kontraceptive nëse merret në mënyrë të rregullt:
a. Ajo bllokon ovulimin dhe funksionimin e vezoreve që vihen në periudhë çlodhjeje. Ky është mekanizmi thelbësor. Hormonet që përmban pilula zëvendësojnë hormonet e prodhurara nga vezoret.
b. Sekrecionet e qafës së mitrës bëhen më të trasha dhe më pak të bollshme, duke penguar kalimin e spermatozoideve. Sekrecionet e qafës së mitrës janë zakonisht një lëng me ngjyrë të hapur, viskoz, me sasi maksimale në momentin e ovulimin. Prania e tyre është e nevojshme për futjen e spermatozoideve.
c. Endometri (shtresa e indeve që vesh mitrën nga brenda) bëhet më e hollë dhe e papërshtatshme për vendosjen e vezës.
– A mund ta përdorin pilulën të gjithë gratë e reja dhe pse duhet të konsultohemi me mjekun?
– Ekzistojnë kundër-indikime për marrjen e pilulës estroprogestative, edhe të minidozuara. Kundër- indikimet kanë lidhje me problemet kardiovaskulare, që për fat të mirë janë të rralla tek të rinjtë, si raste flebiti, tromboze pulmonare, hipertensioni arterial, kanceri të gjirit… Kundër-indikime të tjera, të ashtuquajtura “relative”, duhen diskutuar rast për rast si anomalitë dhjamore ose pirja e duhanit. Për këtë arësye është e nevojshme të konsultohesh me mjekun, që duhet të bëjë një ekzaminim gjinekologjik të përgjithshëm, përfshi edhe matjen e tensionit arterial, të peshës dhe gjendjes së enëve të gjakut, si edhe analizat e gjakut para marrjes së pilulës. Pasi t’ju ketë ekzaminuar, mjeku juaj mund të zgjedhë mes llojeve të ndryshme të pilulave.
– Marrja e pilulës shton rrezikun kardiovaskular?
– Të gjitha pilulat përmbajnë një grup hormonesh të sintetizuara, një estrogjen dhe një progestativ, që mund të shtojë rrezikun e trombozës së venave (flebitit) dhe më rrallë, por më e rëndë, trombozën arteriale (infarktin e miokardit, ose ndonjë hemoragji cerebrale). Këto rreziqe janë shumë të pakta në nivelin individual, por duke pasur parasysh numrin e madh të grave që përdorin sot pilulën duhen marrë në konsideratë. Është normale pra që mjekët janë veçanërisht të matur në respektimin e mënyrës së përdorimit dhe gjithë kundër-indikimet në përdorimin e pilulës.
– Pse është i rrezikshëm bashkimi pilulë-duhan?
– Pirja e duhanit përbën një faktor rreziku për enët e gjakut. Bashkimi duhan-pilulë përbën një lidhje të rrezikshme të dy faktorëve që e shumëfishojnë këtë rrezik. Për këtë arësye u këshillohet vajzave të reja të lënë duhanin para se të fillojnë pilulën. Rreziku shtohet me kalimin e moshës dhe pirja e duhanit bëhet një kundër-indikim për marrjen e pilulës pas moshës 35 vjeçare. Pas kësaj moshe duhet, pra, të hiqni dorë nga duhani, ose të zgjidhni një tjetër mënyrë kontraceptive, si sterileja, ose një pilulë krejtësisht progestative, por që mund të ketë efekte të tjerë të bezdisshme, si çrregullimin e cikleve menstruale.
– Kur duhet të fillojë pilula herën e parë?
– Pilula e parë fillon ditën e parë të menstruacioneve të ardhshme.
– Si duhet marrë pilula?
– Shumica e kutive me pilula përmbajnë 21 tableta, duhet marrë pra një pilulë çdo ditë, për tre javë rrjesht. Më pas duhet të ndaloni një javë, pikërisht atë javë që vijnë menstruacionet dhe të filloni me kutinë tjetër, megjithëse nuk kanë mbaruar akoma menstruacionet. Nëse e keni filluar pllakëzën të hënën, për shembull, duhet ta mbaroni gjithmonë të djelën, tre javë më vonë dhe të rifilloni gjithmonë të hënën, katër javë më vonë. Ekzistojnë edhe pllakëzat me 28 pilula, ku 4-7 prej tyre janë placebo, që merren vazhdimisht, gjë që kufizon harresën në momentin e rimarrjes. Fillimi i çdo pllakëze të re do të bjerë gjithashtu të njëjtën ditë të javës.
– Duke filluar nga cili moment është efikase pilula?
– Pilula është efikase që në fillim, që kur filloni kutinë e parë.
– Është efikase ajo gjatë javës së ndërprerjes?
– Ajo është gjithmonë efikase, edhe gjatë javës së ndërprerjes.
– Ç’ndodh me menstruacionet gjatë marrjes së pilulës?
– Marrja e pilulës i vë vezoret në periudhë pauze. Kur merr pilulën, endometri, indet që veshin mitrën nga brenda dhe që largimi i tyre shkakton menstruacionet, zhvillohet më pak dhe është më i hollë se gjatë një cikli natural. Që nga pllakëzat e para me pilula vihet re një pakësim i menstruacioneve. Janë menstruacione artificiale. Me kalimin e muajve apo viteve, këto pakësohen akoma më shumë.
– Kur marr pilulën menstruacionet e mia janë shumë të pakta. Është normale kjo?
– Tek disa gra dhe me disa pilula, menstruacionet mund të vijnë thjesht si njolla gjaku, sidomos nëse ke kohë që i përdor. Nganjëherë mund të ketë një mungesë totale të tij. Nëse e keni marrë rregullisht pilulën, kjo nuk është shqetësuese, por flisni njëherë me mjekun tuaj.
– Duhet ndërprerë pilula herë pas here?
– Në mungesë të shenjave të intolerancës dhe nëse dëshironi gjithmonë një mënyrë kontracepsioni, nuk ka arësye mjekësore për ndërprerjen e pilulës. Me një fjalë pilula mund të merret vazhdimisht.
– Sa kohë më parë duhet ndërprerë pilula nëse do të ngelesh shtatzanë?
– Veprimi i pilulës është i kthyeshëm dhe kjo pavarësisht kohëzgjatjes së përdorimit. Ju mund të mbeteni shtatzanë në momentin që e ndërprisni pilulën, por nganjëherë thuhet se duhet pritur nga 1-3 muaj.
– Nëse mbetesh shtatzanë menjëherë sa lë pilulën, ekziston rreziku i dështimit?
– Asnjë studim nuk ka treguar një shtim të anomalive apo dështimeve, apo të shtatzanive me shumë fëmijë tek gratë që kanë mbetur shtatzanë sapo kanë lënë pilulën. Edhe kur një grua mbetet aksidentalisht shtatzanë sepse ka harruar marrjen e pilulës, kjo zhvillohet pa probleme.
– Mund të të bëjë sterile marrja e pilulës?
– Pilula nuk të bën sterile. Nëse ishit pjellore para fillimit të saj, ka shumë mundësi të jeni edhe pas ndërprerjes, kur të dëshironi një shtatzani. Duhet të dini se ciklet e parë pas ndërprerjes së menstruacioneve mund të jenë të çrregullt, sidomos nëse i keni pasur të tillë edhe më parë dhe është krejtësisht normale të durosh disa muaj para se të mbetesh shtatzanë.
– Çfarë duhet bërë në rastin e harresës së pilulës?
– Pilula klasike duhet marrë pak a shumë në të njëjtin moment të ditës, çdo ditë. Megjithatë ka një tolerancë vonese prej 12 orësh:
a. Nëse harresa është më e vogël se 12 orë: Merreni tabletën e harruar që sapo e vini re, pastaj vazhdoni deri në fund të pllakëzës me orarin e zakonshëm. Nuk ka asnjë rrezik.
b. Nëse harresa është më e madhe se 12 orë: Pilula mund të ruajë një lloj efikasiteti, por atëherë ajo nuk është më e garantuar 100%, siç është kur e merr rregullisht. Nëse keni harruar një pilulë të vetme, rreziku është minimal, por jo zero, sidomos nëse harresa ka ndodhur në fillim të pllakëzës. Pilula e harruar duhet marrë sapo ta vini re këtë, (mund të merrni dy tableta njëkohësisht pa problem), pastaj ta vazhdoni normalisht deri në fund të pllakëzës, por duke marrë masa kontraceptive shtesë deri në menstruacionet e ardhshme.
– Çfarë ndodh nëse e harron pilulën disa herë në muaj?
– Së pari, siguria kontraceptive nuk është më e garantuar. Nga ana tjetër, në rastin e harresave të përsëritura, menstruacionet mund të vijnë ndërkohë që je duke marrë pilulën.
– Çfarë duhet bërë që të mos e harrojmë pilulën?
– Duke e marrë pilulën në mënyrë të çrregullt ose anarkike, ju humbisni efektin e saj thelbësor, efikasitetin e saj 100%. Duke marrë parasysh veprimin e saj të trefishtë kontraceptiv (bllokimin e ovulimit, veprimin te sekrecionet dhe tek endometri), pilula juaj mund të ruajë efikasitetin e saj, por një aksident është gjithmonë i mundshëm, megjithëse mund të mos ju ketë ndodhur ende. Për të kufizuar rrezikun e harresës, mund të zgjidhni orarin dhe vendin më të rehatshëm për t’i mbajtur mend, për shembull, në komodinën e gjumit ose pranë furçës së dhëmbëve në tualet. Gjithashtu, mund të vini alarmin në një orë fikse. Nëse mbeteni përsëri “harraqe”, më mirë zgjidhni një metodë tjetër kontracepsioni.
– Nëse gabimisht merren dy pilula në të njëjtën ditë, çfarë ndodh?
– Nuk ndodh asgjë. Vazhdoni ta merrni rregullisht pilulën tuaj deri në fund të pllakëzës. Pastaj, menstruacionet do të vijnë një ditë para. Ju do ta ndaloni pilulën për shtatë ditë, si zakonisht dhe pastaj do ta rifilloni atë. Kështu, dita e rifillimit do të jetë një ditë më herët gjatë javës.
– Kur rifillojnë menstruacionet kur përdor piluën?
– Menstruacionet që vijnë kur je duke përdorur pilulën, janë menstruacione artificiale, fallco. Zakonisht, ato vijnë dy-tre ditë pas mbarimit të pllakëzës, nganjëherë pak më vonë, por thuajse gjithmonë në të njëjtën mënyrë tek e njëjta grua, e cila, kështu, mund të parashikojë në mënyrë të saktë se kur do t’i vijnë menstruacionet.
– Mund t’i zhvendosim menstruacionet me anë të pilulës?
– Po, mund të zhvendoset data e menstruacioneve për arsye personale, kur do të shkosh me pushime, kur ke një provim ose garë sportive. Nëse keni një pllakëz ku të gjitha tabletat janë me të njëjtën ngjyrë, pra, identike, mund të flisni me mjekun për ta ndaluar disa ditë para fundit të pllakëzës, ose ta vazhdoni disa ditë më pas, duke marrë nga një pllakëz tjetër (të cilën nuk do ta përdorni më) dhe të zhvendosni kështu datën e menstruacioneve. Duhet të rifilloni një pllakëz të re një javë pas ndalimit e kështu, dita e rifillimit do të ndryshojë. Nganjëherë mund të merren edhe dy pllakëza rresht (pa ndalim), por kjo sjell një ndjesi bezdie dhe njolla të vogla gjaku.
– Mund të vazhdohet pilula edhe pas moshës 40 vjeçare?
– Nëse e dëshironi dhe e duroni, mund ta vazhdoni kontracepsionin tuaj oral me pilulë edhe pas moshës 40 vjeçare, bile deri 50 vjeçe, nëse gëzoni shëndet të mirë, nuk pini duhan, keni një tension arterial normal dhe një bilanc biologjik normal. Pas moshës 40 vjeçare, rehatia intime që sjell pilula me ciklet e saj shumë të rregullta dhe menstruacionet e pakta e pa dhimbje, vlerësohen shpesh nga gratë që nganjëherë kërkojnë ta vazhdojnë edhe në mungesë të marëdhënieve seksuale.
– Duhet ndaluar pilula gjatë një operacioni?
– Pilula shton rrezikun e trombozës venoze. Në përgjithësi, kirurgët dhe anestezistët preferojnë ndërprerjen e saj gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale, sidomos nëse operacioni është me rrezik më të lartë për flebit dhe/ose sjell një qëndrim më të gjatë në shtrat.
– Nëse kalohet nga pilula te sterileja, do të ndryshojnë menstruacionet?
– Me pilulën ju do të keni menstruacione fallco, shumë të rregullta, pak të bollshme dhe zakonisht, pa dhimbje, por për këtë, duhet marrë pilula çdo ditë rregullisht. Sterileja nuk e bllokon aktivitetin e vezoreve si pilula. Do të rifillojë cikli juaj normal, por ai mund të jetë më pak i rregullt sesa kur përdorni pilulën dhe menstruacionet mund të shoqërohen me dhimbje. Nga ana tjetër, me sterilenë, menstruacionet në përgjithësi shtohen në kohëzgjatje dhe sasi. Ato mund të paraprihen dhe ndiqen nga shumë ditë me “njolla”, gjë që kërkon përdorimin e pecetave higjienike. Kur menstruacionet zgjasin shumë, gratë lodhen dhe acarohen. Tani, një sterile e toleruar mirë, është ajo që harron që e ke vënë dhe të jep një ndjesi lirie, duke mos pasur detyrimin e bezdisshëm të marrjes së përditshme të pilulës.
– Cilat janë avantazhet e pilulës?
Avantazhet e saj e bëjnë të zërë vendin e parë ndër metodat kontraceptive në vendet e zhvilluara.
a. Një efikasitet 100% (me kusht që të merret në rregull). Disa ilaçe (që jepen shumë rrallë), mund të ulin efikasitetin e saj.
b. Cikle të rregullta. Nëse përdorni pilulën, menstruacionet do të vijnë shumë në rregull, bile është e mundur, siç e shpjeguam më parë, të ndryshojmë datën e menstruacioneve kur kemi ndonjë nevojë.
c. Menstruacione pa dhimbje, më të shkurtra dhe më pak të bollshme. Gati të gjitha dismenorretë zhduken nga pilula; marrin fund dhimbjet e barkut dhe mesit, ngërçet, etj. Gjithashtu, marrin fund menstruacionet e gjata ose hemorragjike, që mund t’ju lodhin dhe kufizojnë aktivitetet shoqërore. Edhe pa aktivitet seksual, shumë gra e vazhdojnë pilulën, sepse ndjehen rehat me të.
d. Një përmirësim të lëkurës dhe aknes, veçanërisht e vlerësuar nga gratë e reja. Për këtë qëllim, duhet përdorur një lloj i veçantë pilule që përmban disa progestativë me efekte pozitive për lëkurën.
e. Një pakësim i rrezikut të kancerit të endometrit dhe vezoreve. Duke evituar trashjen e endometrit, që përbën faktorin kryesor të rrezikut të kancerit të endometrit, pilula e kombinuar pjesëton për dy rrezikun e këtyre kancereve.
– Cilat janë shkaqet hormonale të aknes?
– Akneja, që shoqërohet shpesh me lëkurë të yndyrshme, shkaktohet në shumicën e rasteve nga veprimi i hormoneve, siç e dëshmon shfaqja e saj në adoleshencë dhe acarimi në periudhën para menstruacioneve. Në momentin e pubertetit dhe në vitet që e ndjekin, prodhimi i hormoneve mashkullore, androgjeneve, nga vezoret dhe gjëndrat mbiveshkore, mund të shkaktojë prodhimin e yndyrës nga lëkura dhe akne. Nuk ekziston një prodhim anormal i hormoneve mashkullore, por një mbindjeshmëri e qelizave të prodhimit të yndyrës ndaj androgjeneve te disa vajza.
– Pilula mund të përmirësojë lëkurën dhe aknen?
– Pilula mund të luftojë kundër efekteve të hormoneve mashkullore me tre mënyra: Duke frenuar prodhimin e androgjeneve, duke kufizuar sasinë e testosteronit aktiv dhe duke bllokuar receptorët e androgjeneve, me një progestativ anti-androgjenik. Pilulat e dikurshme me progestativët e vjetër, mund të provokonin apo rëndonin aknen. Progestativët e rinj, nuk e kanë këtë efekt negativ. Ekziston një pilulë që ka marrë emërtimin “trajtuese e aknes” nga autoritetet shëndetësore. Ajo përmban një progestativ të veçantë, që i pengon androgjenet të veprojnë te qelizat që prodhojnë yndyrën. Kjo pilulë, ka hyrë gjerësisht në treg. Kohët e fundit ka dalë edhe një tjetër pilulë, që përmban një progestativ të quajtur norgestimat, që ka marrë etiketën shëndetësore “trajtim i aknes”.
– Pse duhen respektuar mirë kundër-indikimet e pilulës?
– Rreziku vaskular i pilulës (si flebitit, ose trombozës venoze, etj.) është shumë i pakët, por ekziston në të gjitha pilulat, edhe ato të minidozuara. Kërkuesit janë munduar ta pakësojnë këtë rrezik, duke reduktuar dozat hormonale dhe duke përdorur progestativë të rinj. Ky rrezik prek sidomos gratë që kanë faktorë të tjerë rreziku, që pilula i thekson. Kjo është arsyeja pse duhen respektuar me skrupulozitet kundër-indikimet vaskulare dhe metabolike të pilulës. Nganjëherë pilula mund të nxjerrë në pah një rrezik të fshehur. Nëse pas fillimit të saj shfaqet hipertensioni arterial, duhet zgjedhur një mënyrë tjetër kontracepsioni. Po ashtu edhe për migrenat apo dhimbjet e forta e të pazakonta të kokës. Edhe duhani përfaqëson një faktor rreziku për enët e gjakut, që shtohet me përdorimin e pilulës.
– A është e rrezikshme pilula për shfaqjen e kancerit në gjoks?
– Sipas studimeve të shumta, është vënë re një rritje e lehtë e përqindjes së rrezikut te gratë që përdornin pilulën. Kjo rritje është kalimtare dhe zhduket dhjetë vjet pasi është lënë pilula. Survejimi klinik më i rregullt i femrave që përdorin pilulën mund të luajë një rol të rëndësishëm në shtimin e numrit të kancereve të diagnostikuara. Megjithatë, të dhënat e publikuara nuk janë të natyrës që të vihet në diskutim përdorimi i kontraceptivëve oralë, efektet pozitive të të cilave, sipas autoriteteve shëndetësore, janë më të shumta në numër sesa ato negative. Pastaj, ne e kemi parë se pilula ul rrezikun e kancerit të mitrës dhe vezoreve.
– Për çfarë kritikohet pilula?
– Pilulën e kanë kritikuar shpesh se bllokon ciklet fiziologjike. Ajo nuk mbron kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si prezervativi, por çdo grua mund të përdorë një mbrojtje shtesë kalimtare, në rast marrëdhënieje “të dyshimtë”. Në realitet, e kritikojnë edhe sepse je e detyruar ta marrësh çdo ditë. Shpesh, pas shumë vjetësh, gratë lodhen nga kjo marrje e përditshme dhe i drejtohen një mënyre tjetër kontraceptive.
– A mund të ketë pilula efekte dytësore?
– Ato janë të kufizuara dhe shumë më të pakta në numër me brezat e rinj të pilulave ose ato të minidozuara, megjithëse këto të fundit nuk bëjnë për të gjitha gratë.
– Pse gjatë marrjes së pilulës mund të ndodhë dalja e njollave të vogla të gjakut mes menstruacioneve?
– Së pari, ju duhet të verifikoni nëse nuk keni harruar të merrni një tabletë. Kjo është e mjaftueshme për të patur njolla gjaku, edhe sikur pilula të jetë e minidozuar. Nëse harroni dy pilula rresht, dalja e gjakut është e zakonshme. Në fillim të marrjes së pilulës, muajin e parë apo të dytë, gjakrrjedhjet e pakta janë normale dhe jo të rënda, nëse përdorni minipilulë. Në vazhdim, gjithçka normalizohet. Nëse jo, duhet të konsultoheni me mjekun për të ndërruar pilulën. Disa gra nuk e tolerojnë minipilulën, prandaj duhet të rikthehen te pilula normale.
– A shton në peshë kur përdor pilulën?
– Shtimi në peshë përbën shqetësimin kryesor, nganjëherë edhe fiksimin e gati të gjitha grave që përdorin pilulën apo ndjekin ndonjë terapi tjetër hormonale. Doktorët e dinë, prandaj janë të kujdesshëm. Normalisht, një pilulë e dozuar mirë nuk duhet të shkaktojë shtim në peshë. Megjithatë, për t’ju ruajtur nga ky efekt negativ, sidomos nëse keni tendencë për t’u shëndoshur, duhet të jeni vigjilente në të ngrënë gjatë muajve të parë dhe të vrojtoni mënyrën si reagon organizmi juaj. Është mirë të evitohen në veçanti sheqernat e ëmbëlsirave dhe të kufizohen brumërat.
Çfarë shqetësimesh jep pilula?
– Mund të shkaktojë pilula tension apo fryrje gjoksi?
– Nëse një gjë e tillë ndodh, kjo do të thotë se pilula nuk është e përshtatshme për ju. Gjoksi është një organ që tregon nëse trupi juaj e pranon apo jo këtë lloj pilule. Nëse keni probleme të tilla, pilula që po merrni ka më shumë estrogjen nga ç’mund të pranojë trupi juaj, ndaj duhet të kërkoni një pilulë progestative.
– Po të përziera?
– Këto probleme me tretjen shkaktohen nga puna që bën mëlçia për të zbërthyer përbërësit e pilulës, por të përzierat janë më pak të shpeshta qëkur ka dalë në treg minipilula.
– Mund të kesh rëndim këmbësh nga pilula?
– Te gratë e predispozuara, pilula mund të theksojë shqetësimet me enët e gjakut, ose të nxjerrë në pah një tendencë të fshehur të trupit në lidhje me këtë problem. Megjithatë, fenomeni i rëndimit të këmbëve zbulohet para marrjes së pilulës dhe varet nga këta faktorë të rëndësishëm: Predispozita familjare, shtatzania dhe profesione që imponojnë një qëndrim të gjatë në këmbë. Duhet përdorur ajo për disa cikle, para se t’ia hedhësh fajin pilulës dhe të zgjedhësh një formulë tjetër kontraceptive. Marrja e një ilaçi tonik për venat ose mbajtja e çorapeve specifike, mund të sjellë një lehtësim.
– Për çfarë kritikohet pilula?
– Pilulën e kanë kritikuar shpesh sepse bllokon ciklet fiziologjike. Ajo nuk mbron kundër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si prezervativi, por çdo grua mund të përdorë një mbrojtje shtesë kalimtare, në rast marrëdhënieje “të dyshimtë”. Në realitet, e kritikojnë edhe sepse je e detyruar ta marrësh çdo ditë. Shpesh, pas shumë vjetësh, gratë lodhen nga kjo marrje e përditshme dhe i drejtohen një mënyre tjetër kontraceptive.
– A mund të ketë pilula efekte dytësore?
– Ato janë të kufizuara dhe shumë më të pakta në numër me brezat e rinj të pilulave ose ato të minidozuara, megjithëse këto të fundit nuk bëjnë për të gjitha gratë.
– Pse gjatë marrjes së pilulës mund të ndodhë dalja e njollave të vogla të gjakut mes menstruacioneve?
– Së pari, ju duhet të verifikoni nëse nuk keni harruar të merrni një tabletë. Kjo është e mjaftueshme për të patur njolla gjaku, edhe sikur pilula të jetë e minidozuar. Nëse harroni dy pilula rresht, dalja e gjakut është e zakonshme. Në fillim të marrjes së pilulës, muajin e parë apo të dytë, gjakrrjedhjet e pakta janë normale dhe jo të rënda, nëse përdorni minipilulë. Në vazhdim, gjithçka normalizohet. Nëse jo, duhet të konsultoheni me mjekun për të ndërruar pilulën. Disa gra nuk e tolerojnë minipilulën, prandaj duhet të rikthehen te pilula normale.
– A shton në peshë kur përdor pilulën?
– Shtimi në peshë përbën shqetësimin kryesor, nganjëherë edhe fiksimin e gati të gjitha grave që përdorin pilulën apo ndjekin ndonjë terapi tjetër hormonale. Doktorët e dinë, prandaj janë të kujdesshëm. Normalisht, një pilulë e dozuar mirë nuk duhet të shkaktojë shtim në peshë. Megjithatë, për t’ju ruajtur nga ky efekt negativ, sidomos nëse keni tendencë për t’u shëndoshur, duhet të jeni vigjilente në të ngrënë gjatë muajve të parë dhe të vrojtoni mënyrën si reagon organizmi juaj. Është mirë të evitohen në veçanti sheqernat e ëmbëlsirave dhe të kufizohen brumërat.
– Pse nuk ekziston ende një pilulë për burrat?
– Me qëllim që burri dhe gruaja të ndajnë përgjegjësinë e kontracepsionit, janë bërë përpjekje për të zbuluar edhe një puilulë për burrat, por kjo ka hasur në disa probleme mjekësore. Ndërkohë që te gruaja mjafton të bllokohet ovulimi një herë në muaj, në një moment të caktuar të ciklit, te burri testet prodhojnë vazhdimisht dhjetëra miliona spermatozoidë në ditë. Për të arritur një efekt kontraceptiv, duhet bllokuar ky prodhim, derisa sasia e spermatozoideve të prodhuar të jetë e pamjaftueshme për të pllenuar vezën. Por, në fakt, kjo sasi është shumë e paktë. Pastaj, një metodë kontraceptive duhet të jetë e rikthyeshme, duhet që, kur burri të ndalojë pilulën, sperma e tij të jetë prapë pjellore dhe pa spermatozoide anormale. Në fund, pilula për burra nuk duhet të ndikojë as në dëshirën, as në burrërinë e tyre. Gjithë kjo është e vështirë për t’u realizuar nga pikëpamja mjekësore. Nga ana tjetër, përpjekjet për kontracepsionin hormonal mashkullor që janë ndërmarrë, nuk janë bërë me tableta, por me injeksione hormonesh që duheshin rinovuar çdo 2-3 muaj, gjë që përfaqëson një metodë më pak të pranuar se tabletat dhe e gjykuar si shtrënguese nga përdoruesit.
– Cilat janë mekanizmat frenues jomjekësorë ndaj kontracepsionit hormonal mashkullor?
– Ekzistojnë pengesa psikologjike dhe shoqërore-kulturore ndaj kësaj forme të kontracepsionit mashkullor. Marrëdhënia me kontracepsionin dhe perceptimi i rreziqeve nuk është i njëjtë si te burri dhe te gruaja, sepse, në rast dështimi, është gjithmonë gruaja ajo që është e ekspozuar ndaj një shtatzanie të padëshiruar dhe që duhet të bëjë abort. Nga ana tjetër, gruaja duhet të ketë vetëm një partner dhe duhet t’i besojë atij për kontracepsionin. Disa burra do të jenë më të prirur për të harruar pilulën dhe të janë pak të disiplinuar ndaj një marrjeje të rregullt të saj. Në fund, edhe mjetet e investuara në këto studime, janë të kufizuara.
Mënyrat më të reja kontraceptive
– Çfarë është mikropilula progestative?
– Mikropilula progestative përmban doza shumë të pakta të substancave progestative. Ajo duhet marrë çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme, pa ndalim, me një disiplinë të madhe.
– Si vepron mikropilula progestative?
– Ajo vepron te sekrecionet e qafës së mitrës që bëhet e papërshkueshme ndaj spermatozoidëve dhe, duke ndryshuar endometrin, që nuk autorizon më vendosjen e vezës. Megjithatë, ajo nuk e ndalon ovulimin.
– Ndryshe nga pilula estro-progestative, ajo mund t’u jepet ajo grave që kanë pësuar një flebit?
– Po. Mikropilula progestative nuk ka kundër-indikime kardiovaskulare dhe mund t’u jepet edhe grave që kanë kaluar flebit.
– Cilat janë efektet e dëmshme të mikropilulës progestative?
– Duke mos bllokuar ovulimin, mikropilula progestative mund të favorizojë krijimin e kisteve në vezore dhe nuk të mbron nga shtatzanitë jashtë mitrës. Shumë shpesh, ajo shkakton çrregullime menstruale (njolla të vogla gjaku të ndërmjetme), ose përkundrazi, një amenorre (mungesë mendstruacionesh) që mund të zgjasë shumë.
– Çfarë janë progestativët me doza të mëdha?
– Progestativët me doza të mëdha, të përdorur tre javë në katër, ashtu si edhe pilula estro-progestative, bllokojnë ovulimin, plus veprimit në sekrecionet e qafës së mitrës dhe në endometër. Ato mund të përbëjnë një zgjidhje interesante, sidomos në paramenopauzë ose kur ekziston një mastozë ose mitër me fibromioma. Formulat e reja kanë bërë të mundur një tolerancë më të mirë klinike, por përsëri ekziston rreziku i çrregullimeve menstruale.
– Çfarë janë injeksionet me progestativë vonues?
– Kontracepsioni progestativ vonues me injeksione intramuskulare çdo 2-3 muaj, është një metodë që përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Përdorimi i tij është rralluar, me daljen e implantit kontraceptiv.
– Çfarë është implanti kontraceptiv?
– Implanti kontraceptiv, ose siç quhet nga disa shoqëri farmaceutike, IMPLANON, ka formën e një shkopi të vogël, 4 cm i gjatë dhe me diametër 2 mm, si një kunj shkrepëse i hollë, që lëshon vazhdimisht një dozë të vogël progestativi.
– Si bëhet vendosja e implantit?
– Ajo bëhet me anestezi lokale, vendoset për disa minuta dhe është mjaft e thjeshtë për një mjek që ka ndjekur një formim të shkurtër paraprak. Implanti vendoset nën lëkurë, nën nivelin e pjesës së brendshme të krahut, mbi bërryl.
– Si vepron implanti?
– Implanti është po aq efektiv sa edhe pilula dhe vepron duke bllokuar ovulimin e duke shtuar viskozitetin e sekrecioneve të qafës së mitrës. Ai është efikas për tre vjet.
– Cilat janë avantazhet e implantit?
– Me të nuk ke nevojë të shqetësohesh më për kontracepsionin për tre vjet rresht.
– Cilat janë efektet e tij negative?
– Gruaja që vë implantin, nuk ka më menstruacione të rregullta, por të çrregullta, që mund të jenë shumë të ndryshme, në varësi të grave: Të shpeshta apo të rralla, në kohëzgjatje dhe sasi të ndryshme. Shpesh, ndodh një mungesë menstruacionesh. Nganjëherë, mund të shkaktohen probleme me lëkurën, si për shembull, akne.
– Kujt mund t’i interesojë implanti?
– A mund t’u interesojë grave që dëshirojnë një kontracepsion pa shtrëngim, që nuk duan sterile ose kanë kundër-indikime ndaj estrogjeneve.
Sa efikase është pilula e së nesërmes?
– Çfarë është kontracepsioni urgjencë?
– Kontracepsioni urgjencë përfshin metoda kontraceptive të destinuara për të evituar një shtatzani, pas një raporti jo të mbrojtur. Për këtë ekziston një produkt hormonal, e ashtuquajtura “pilula e së nesërmes”. Vënia e një sterileje prej bakri përdoret shumë më rrallë.
– Pse duhet përdorur pilula e së nesërmes?
– Ajo përdoret pas një raporti seksual të pambrojtur ose kur ke ndonjë problem kontracepsioni, sepse 2/3 e shtatzanive të padëshiruara ndodhin te gratë që kanë përdorur ndonjë mjet kontraceptiv. Megjithatë, pilula e së nesërmes nuk mund të zëvendësojë një metodë kontraceptive të zakonshme.
– Kur merret pilula e së nesërmes?
– Ajo merret vetëm në raste të rralla, të rezervuara në situata të veçanta:
a. Një harresë pilule.
b. Një aksident me prezervativin.
c. Kur partneri nuk është tërhequr në kohë.
d. Një marrëdhënie seksuale e paparashikuar. Për fat të keq, edhe në raste përdhunimi.
e. Një raport pa kontracepsion (sepse sjelljet tona nuk janë gjithmonë racionale, por shpesh emocionale, sepse besonim se ishim në periudhë jopjellore, sepse janë pushimet, sepse kështu ndodhi, etj.).
– Si funksionon pilula e së nesërmes?
– Ajo ka për qëllim bllokimin e ovulimit ose pengon vendosjen e vezës në mitër. Nuk është efikase pasi ka filluar tashmë shtatzania.
– Si merret pilula e së nesërmes?
– Pilula e së nesërmes paraqitet në formën e një tablete të vetme të një hormoni progestativ, që quhet levonogestrel. Duhet marrë sa më shpejt të jetë e mundur pas një raporti të pambrojtur, maksimumi 72 orë pas tij, domethënë, brenda tre ditëve nga raporti.
– Është efikase kjo pilulë?
– Kjo pilulë nuk është efikase në masën 100%, por sa më shpejt ta përdorni, aq më mirë është. Nëse e pini brenda 24 orëve, efikasiteti i saj është në masën 95% dhe shkon në 60%, nëse e përdor në ditën e tretë.
– Pas marrjes së pilulës, jemi të mbrojtur deri në ciklin e ardhshëm?
– Jo dhe kujdes! Pilula nuk të mbron nga raportet, pas marrjes së saj. Më pas duhen marrë masat, si për shembull përdorimi i prezervativëve, deri në ardhjen e ciklit.
– Nuk përbën rrezik përdorimi i saj?
– Jo. Asnjë aksident i rëndë nuk është sinjalizuar pas marrjes së pilulës së të nesërmes. Për këtë arsye, ajo shitet lirisht në farmaci. Megjithatë, ajo mund të ketë nganjëherë efekte dytësore, si të përziera ose dhimbje koke, barku, apo njolla gjaku, por këto zhduken shpejt.
– Kur vijnë menstracionet, pas marrjes së pilulës së të nesërmes?
– Më shpesh, ato vijnë në datën normale, por mund të ketë një lëvizje prej disa ditësh. Sidoqoftë, në rast vonese më shumë se pesë ditë, këshillohet bërja e një testi shtatzanie.
– Nëse një grua mbetet shtatzënë, megjithëse e ka marrë pilulën dhe do që ta mbajë fëmijën, çfarë ndodh?
– Asgjë në veçanti. Nëse shtatzania ka filluar, pilula nuk e ndërpret dot. Nëse doni ta mbani fëmijën, studimet kanë treguar se nuk ka rreziqe për keqformime të tij.
– Një grua që ka raporte të rralla dhe larg njëra-tjetrës, mund ta përdorë pilulën e së nesërmes si mjet kontracepsioni të zakonshëm, për të evituar marrjen e pilulës çdo ditë?
– Pilula duhet të mbetet një metodë kontracepsioni që përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme. Përdorimi i saj i përsëritur është më pak efikas se një metodë klasike dhe mund të shkaktojë efekte dytësore, si për shembull një çrregullim të cikleve.
– Mund të përdoret sterileja në raste urgjente?
– Deri në pesë ditë pas datës së vlerësuar të ovulimit është e mundur të vihet një sterile bakri, për të ndaluar vendosjen e vezës në endometër. Megjithëse sterileja është më efikase se pilula e së nesërmes, ajo është më e vështirë për t’u vënë (vihet nga mjeku pas një konsultimi gjinekologjik) dhe përdoret më rrallë. Pastaj, vendosja e sterilesë mund të rezultojë teknikisht e vështirë dhe e dhimbshme te vajzat e reja që nuk kanë fëmijë.