“Të dashur zotërinj të faqes intime! Po jua shkruaj këtë letër për të marrë nga ju një mendim në lidhje me rolin që duhet të luajë gruaja në forcimin e familjes dhe të marrëdhënieve bashkëshortore. Mua më është mbushur mendja top se forcimi apo dobësimi i marrëdhënieve familjare dhe mbarëvajtja e familjes, varet kryesisht nga femra, nga gruaja, nga qëndrimi, mençuria dhe zotësia e saj për ta bërë burrin për vete. Për mua, një familje që ka një grua të mirë, nuk dobësohet dhe nuk prishet kurrë. E shtroj këtë problem pasi debatova para disa ditësh me një shoqen time, e cila jo vetëm që s’e pranon këtë tezë, por as që beson fare se mund të ketë familje të fortë dhe martesë të lumtur. Ajo, me cinizëm, e simbolizon martesën me një qyp të mbushur më fekale, që ka përsipër një shtresë mjalti dhe, me t’u mbaruar kjo shtresë, familja kthehet në një kufomë, mbaron së qenuri… Unë jam kundër dhe i sjell si shembull familjen time. Kam dhjetë vjet martuar dhe burri më do njësoj si në vitet e para. Kemi tre fëmijë, i madhi nëntë vjeç, më i vogli pesë dhe “qypi ynë ka vetëm mjaltë, i cili shtohet e shtohet gjithmonë e më shumë…”. “Prit, prit, thotë ajo, kështu si ti mendoja edhe unë, po e shikon se ç’po më ndodh?”. Marrëdhëniet e tyre, ç’është e drejta, janë tronditur shumë; burri është ftohur ndaj saj, mirëpo unë, për këtë ftohje nuk ia hedh fajin as familjes, as burrit, por asaj dhe vetëm asaj. Duket që atje tej se ajo tregohet shumë e mefshtë… I rri burrit hundë e buzëvarur. Përton t’i gatuajë të shoqit një gjellë të mirë. “Qyqja, le të gatuajë vetë, pse të gatuaj unë? A jemi të barabartë?”, më thotë shpesh. Nuk shkon kurrë me të në vizita gjëkundi. Unë mendoj se gruaja në familje duhet të luajë rol aktiv, të mos e flejë mendjen kurrë… Gruaja, them unë, s’duhet ta lërë kurrë familjen e saj në duart e fatit, por duhet t’i dalë çdo të keqeje përpara dhe ta mbajë burrin gjithmonë pas vetes. Si mendoni ju, a kam të drejtë? K.L. Përmet”.
– E nderuar lexuesja jonë, K.L.! Po e themi që në fillim se, megjithëse mendimet tuaja na duken paksa të njëanshme, përsa i përket rolit të gruas në forcimin e marrëdhënieve bashkëshortore dhe merakut të gruas nënë dhe gruas bashkëshorte për të ruajtur dhe forcuar familjen, mendojmë se ju keni plotësisht të drejtë. Themi të njëanshme, se forcimi i familjes dhe mbajtja gjallë e lumturisë familjare, duhet të jetë preokupim i përditshëm i të dy partnerëve (familja është mirë të mbështetet në të dyja shtyllat e saj), ndërsa ju e shikoni atë vetëm si detyrë të gruas… Po, ani, ju merrni pjesën tuaj dhe s’bëni keq; roli i gruas në familje, në forcimin dhe mbarëvajtjen e saj është vërtet shumë i madh dhe jo rrallë, vendimtar. S’thonë më kot andej nga anët tuaja se “familja është gruaja”. Duket kjo, sidomos, në disa drejtime, që kanë të bëjnë me kushtet objektive dhe subjektive në të cilat po kalon sot, në vendin tonë, institucioni i familjes. Ne, po përpiqemi të japim disa këshilla, për ju dhe të gjitha ato gra që dëshirojnë ta ruajnë të fortë familjen e tyre…
Rruga për në zemrën e meshkujve kalon nëpërmjet stomakut
Së pari, kjo thënie merr rëndësi në kushtet tona, kur familja jonë kryen ende disa funksione të rëndësishme ekonomike, kur ajo, ndër të tjera, është ende “hotel dhe restorant” për pjesëtarët e saj, mbetet vendi i vetëm ku njerëzit flenë, qetësohen, hanë e pinë, duke e përgatitur ushqimin vetë dhe ku gruaja, si amvisë dhe zonjë shtëpie, luan në këtë punë, tradicionalisht, rolin e violinës së parë. Në këto kushte, ajo mund të jetë vërtet faktor vendimtar për forcimin e mirëkuptimit, harmonisë dhe dashurisë bashkëshortore. Një rol të madh, në këtë rast, luan përgatitja prej saj e ushqimit. Një grua e shkathët, e mençur, e zonja, mund të përdorë me të vërtetë mjeshtërinë e saj kulinare për të forcuar marrëdhëniet dashurore me bashkëshortin, që janë bazë e çdo familjeje. Eshtë fakt se mosdijën, mungesën e dëshirës dhe mefshtësinë e grave për të gatuar, meshkujt e quajnë si të metën dhe mangësinë më të madhe të bashkëshorteve të tyre. Duhet mbajtur parasysh gjithashtu se një grua mund të krijojë emocione pozitive në familje jo vetëm me anën e ushqimit të shijshëm, por edhe me rregullin e pastërtinë në të gjithë ambientin shtëpiak… Kjo do të thotë, pra, se një kujdes i posaçëm u duhet kushtuar edhe fuksioneve që luan familja “si hotel”, për ta përdorur atë si faktor që ndikon tej mase në forcimin e marrëdhënieve bashkëshortore. Krevati bashkëshortor është llozha e shenjtë e çiftit, prandaj ai duhet të jetë sa më i përshtatshëm për marrëdhëniet intime seksuale, çarçafët duhet të jenë të larë dhe të pastër, dyshekët të rehatshëm, susta që s’kërcet e s’bëhet gropë… të gjitha këto ndikojnë dhe forcojnë çdo natë e më tepër dashurinë bashkëshortore.
Një dhomë gjumi “rrëmujë”, e papastruar dhe e parregulluar, një krevat “që i kërcasin kockat”, një palë çarçafë të pandërruar sipas afatit, që mbajnë erë djersë, i “ngacmojnë nervat burrit”, i dobësojnë atij ndjenjën e respektit dhe të dashurisë për bashkëshorten. Një rol të rëndësishëm luan në këtë fushë, sidomos, ripërtëritja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i ambienteve intime. Por, kujdes! Meshkujt nuk kanë qejf ta zbulojnë qëllimin e këtyre ndryshimeve, prandaj një grua e zgjuar dhe e mençur mban gjithmonë parasysh psikologjinë e tyre dhe i bën ato “pa rënë në sy”, me kujdes, pa zhurmë e pa bujë, sa më natyrshëm.
Mos e lër rutinën të ulet “këmbëkryq” në marrëdhëniet intime
S’ka armik më të madh për marrëdhëniet familjare dhe dashurinë e dy bashkëshortëve sesa rutina në jetën e tyre të përditshme. Mirë, do të thoni ju, dakord jemi, por si mund t’i shpëtojmë asaj? Ka shumë mënyra për të thyer rutinën e përditshme të jetës familjare dhe secila grua i zgjedh ato sipas mundësive dhe mënyrës së vet, por sot është rasti t’ju rekomandojmë në radhë të parë “daljet nga shtëpia”, shëtitjet, frekuentimin e teatrove, kinemave, vendeve publike dhe, sidomos, vizitat te farefisi, shokët dhe miqtë… Kjo, sepse në raste të tilla, të dy bashkëshortët janë të detyruar të ndryshojnë diçka edhe në veten e tyre. Ja, le të marrim si shembull vizitat me rastin e festave familjare, datëlindjeve, etj. Në atë pasdite që doni t’ia kushtoni një vizite të tillë, si gruaja, si burri, dashur padashur, do të përpiqen “të bëhen më të bukur se zakonisht”, sidomos gruaja, pasi do të vishet paksa më mirë, më ndryshe, do të krihet më bukur, do të bëjë një çikë makiazh, do të mbathë këpucë me taka, që do ta tregojnë më shtathedhur, me nje fjalë, do të heqë “rrobat e vjetra e komode, që i kanë mbirë në trup” tërë javës. Që këtu, fillon ndryshimi i gjendjes shpirtërore dhe humorit. Pastaj fillojnë përshëndetjet, buzëqeshjet, bisedat, shakatë… Në këto raste, ka më shumë mundësi t’i qëndrosh sa më pranë burrit, madje edhe “t’i shtrëngohesh” apo t’i përkëdhelesh nga pak atij, sidomos kur shtrohesh si mysafire në tavolinë apo kur kërcen me të…
Seksi mban gjallë dashurinë, forcon familjen
Asnjë marrëdhënie tjetër njerëzore nuk mund ta forcojë miqësinë dhe dashurinë midis dy bashkëshortëve sesa seksi, marrëdhëniet intime seksuale, prandaj shfrytëzoni çdo rast për t’u afruar dhe përpiquni që marrëdhëniet seksuale të jenë për të dy sa më të këndshme dhe mbresëlënëse. Mos e lini vetën të bëni seks “sa për të kaluar radhën”, por përpiquni të gjeni pikën “G” të kënaqësisë tuaj dhe të partnerit tuaj. Ku ndodhet ajo “e shkretë pikë”, që luan mendsh femrën dhe mashkullin, që e çon nivelin e kënaqësisë dhe dashurisë në qiellin e shtatë? Edhe në teori atë nuk e dinë më shumë se gjysma e njerëzve, por ju përpiquni t’i jepni sa më shumë kënaqësi bashkëshortit tuaj dhe ajo ndjenjë kënaqësie sublime, si ujët në enët komunikuese, do t’jua mbushë shpirtin plot të dyve. Kështu, në kërkim e sipër, do të gjeni “pika” të tjera të kënaqësisë që sjell afrimi dhe bashkimi fizik midis jush, do të gjeni mënyra dhe pozicione nga më interesantet. Rëndësi ka ajo që thamë: Në asnjë rast, mos lejoni seks sa për të kaluar radhën! Tërhiqeni partnerin tuaj në këto kërkime interesante. Ai mund ta gjejë pikën e kënaqësisë suaj shumë më lehtë se ju “pikën” e tij.
Kjo mënyrë krijuese edhe në marrëdhëniet seksuale, nuk e lë kurrë rutinën në futet mes jush… Rutina është mola që gërryen përbrenda dashurinë. Seksi familjar nuk i duhet lënë kurrë rastësisë dhe askush më mirë se një femër e kujdesshme nuk mund ta përdorë atë për ta bërë të shoqin pas vetes.
Kujdesu vazhdimisht për pamjen tënde të jashtme
Në rast se ju nuk do të përdorni një krem të përshtatshëm, në rast se nuk do t’i bëni qoftë edhe një herë në javë masazh fytyrës, gushës dhe qafës suaj, përveç rrudhave të pleqërisë dhe lëkurës së thatë, mos pritni asgjë tjetër. Që të gjitha këto, një grua e zgjuar dhe me instikte të spikatura femërore, i kthen në armë të fuqishme për të bërë për vete bashkëshortin e saj, e sigurtë, plotësisht e sigurtë se nuk do të ngelet pa u shpërblyer…
Këmishat e natës dhe pizhamat e vjetra, të cilave u ka dalë boja prej kohësh, hidhini në kazanin e plehrave! E njëjta gjë mund të thuhet për veshjen, formën e flokëve, higjienën dhe pastërtinë vetjake. Sa jeni e re, sidomos natën, më shumë duhet “të luani rol” sesa të flini. Edhe kur jeni shumë e lodhur, sa mezi ju mbajnë këmbët, vishni një këmishë nate sa me seksi dhe priteni partnerin në krevat në një pozicion joshës… Ja, pikërisht në këto momente i duhet futur thika në zemër rutinës seksuale, duke treguar veten në një “pozicion të ri”. O Zot, ruajuni, mos u paraqitni kurrë para bashkëshortit e përgjumur, duke ofsharë e rënkuar… Asgjë nuk e vret dashurinë më shumë sesa një qëndrim i tillë, i mefshtë dhe flegmatik!
Kur themi të shtriheni në një pozicion joshës, nuk e kemi fjalën që të ekspozoni para tij “lakuriqësinë” tuaj. Zgjidhni një këmishë nate sa më të lehtë, me dantella… Veshjet e brendshme intime mos i blini kurrë pa i matur, kuturu, por mbani parasysh se ato e luajnë rolin e tyre vetëm kur janë të puthitura dhe të rrinë mirë pas trupit… Mbani parasysh se burrat e duan “çdo gjë me masë”, pra, gjellën me kripë dhe kripën me karar…
Mos mbani kurrë ilaçe në dhomën e gjumit
Në rast se keni ndonjë sëmundje kronike, rrufë, infeksione, etj. dhe jeni e detyruar të përdorni ilaçe, mos i mbani dhe sidomos, mos i përdorni ato kurrë në dhomën e gjumit. Vetëm në dollapin e barnave dhe asgjëkundi tjetër. Ilaçet krijojnë një atmosferë pensioni. Në vend të tyre, le të shikojë burri mbi komonë tuaj një flakon aromatik apo një revistë me fotografi interesante.
Aroma të femrës seksuale
Blini patjetër parfume, jo nga ato për të dalë apo për të shkuar në punë, por parfume për krevat. Ato janë gjithmonë paksa më të lehta, nuk të zënë frymën, përkundrazi, kanë aroma afër asaj të pudrës dhe luleve të fushës… Këto parfume, duhen përdorur me mjeshtëri, vetëm pakëz.