Si e përcaktoni ju bukurinë? Bel i hollë dhe gjoks i madh? Një buzëqeshje e përkryer dhe flokë të drejtë? Mendoni se bukuria është e përcaktuar mirë, por në fakt ajo ndryshon nga njëri kontinent në tjetrin dhe diçka që duket mirë në njërin, nuk pëlqehet në tjetrin. Nëse jeni interesuar ta dini, lexoni shkrimin tonë.
1. Bukuria sipas japonezëve
Gratë japoneze mendojnë se lëkura është çelësi i bukurisë. Miki Okae, një nga ekspertet më të famshme të bukurisë në Japoni, thotë se ideale është lëkura e bukur dhe e lëmuar. “Të gjithë e kërkojnë këtë”, thotë ajo. Ndërkohë që gratë evropiane ose amerikane përdorin injeksionet me kolagjen dhe botoks për të hequr rudhat, japonezet veprojnë ndryshe; ato përdorin ushqime që përmbajnë kolagjen. Miki thotë se në rutinën e saj të përditshme bën pjesë ngrënia e dellit të mishit të lopës që është i pasur me kolagjen. “Dal nga zyra sapo hapet supermarketi, për ta blerë”, shton ajo. Shumë restorante e ofrojnë në menutë e tyre kolagjenin që merret nga lopët apo pulat. Ne u konsultuam me një dermatolog, i cili tha se nuk ka ndonjë të dhënë se ushqimet me kolagjen shtrijnë lëkurën apo zhdukin rrudhat, por kjo nuk ua mbush mendjen miliona grave japoneze. Kjo i bën ato të ndjehen më të bukura dhe të shëndetshme.
Një trajtim njëshekullor japonez është edhe përdorimi i… glasave të bilbilit. Ato bëhen pluhur, përziehen me sapun dhe përdoren për të larë fytyrën. Ka edhe një trajtim tjetër bukurie, që tashmë është përvetësuar nga gratë e gjithë botës: Shtrirja e flokëve me kaçurrela, per te cilët përdoren produkte kimike dhe masha të sheshta. Në Japoni, flokët e drejtë konsiderohen si “normalë” e, për pasojë, edhe më tërheqës. Dihet që gratë zezake i shtrijnë flokët e tyre me rrica, por ja që kjo teknikë përdoret edhe nga aziatiket.
Ndërsa në Amerikë u bëhet reklamë produkteve kozmetike që bëjnë mrekullira kundër celulitit ose për forcimin e muskujve të barkut, në Japoni, grave u ofrohen një gamë tjetër produktesh. Në vend të parë qëndron “Rripi për dobësimin e fytyrës”. Nëse e ke fytyrën të fryrë apo të shëndoshë, e mbështjell atë me rrip dhe supozohet që ai do ta dobësojë.
Produkti tjetër është një krem zbardhues i fytyrës, të cilin gratë japoneze e përdorin rregullisht, pasi duan një lëkurë të hollë, të bukur dhe të bardhë, si porcelan.
2. Bukuria sipas indianëve
Në Indi, gratë përdorin shumë produkte natyrale të bëra në shtëpi. Ditën e dasmës, një grua indiane mund të përdorë një përzierje kurkumi, limoni dhe mjalti për ta bërë lëkurën të shkëlqyeshme. Ramya, një grua indiane, thotë se nuset mbajnë veshje dhe bizhuteri speciale, përfshirë edhe një zinxhir në ballë. Gjithashtu, bëjnë një pikë të kuqe në ballë, që njihet me emrin kumkum, i cili e bën gruan më joshëse.
Në gjithë botën, gratë indiane njihen për lëkurën dhe flokët e bukur. Në Evropë dhe Amerikë, ka filluar prej kohësh përdorimi i zgjatimeve të flokëve ose siç njihet ndryshe, me emrin “extentions”. Çdo vit në Amerikë importohen 1 000 ton flokë natyralë për të krijuar zgjatimet. Parukieret thonë se disa nga flokët me cilësi më të mirë dhe që pëlqehen më shumë, vijnë nga India. Disa prej tyre vijnë nga Tempulli Ventekatesvara, në Jug të Indisë, një nga vendet e shenjta të fesë hindu. Shumë prej adhurueseve, i dhurojnë tempullit flokët e tyre. Tempulli fiton në vit 18 milionë $ duke shitur flokët dhe furnizon ¼ e sasive të flokëve që vijnë nga India. Pjesa tjetër vjen nga gra që presin dhe shesin flokët e tyre. Në Amerikë, zgjatimet e shkurtëra të flokëve kushtojnë 2000$, të gjatat, 4000$, ndërsa në fshatrat e Indisë, flokët e prerë nuk kushtojnë më shumë se 2$, madje ka raste kur kushtojnë edhe vetëm disa cent.
3. Bukuria sipas arabeve
Edhe në Lindjen e Mesme gratë përdorin produkte bukurie natyrale. Atje grave u pëlqen të vënë petale trëndafilash të tharë në ujë të zier dhe me këtë ujë shpëlajnë flokët. “Kjo u jep flokëve një aromë shumë të lehtë trëndafilash”, thotë Hashimi, një grua nga Omani. Gratë e Omanit përdorin edhe përzierjen e disa bimëve të cilat i përtypin për higjienën e tyre të gojës. Kjo përzierje vepron me pështymën dhe u jep buzëve një ngjyrë portokalli.
Gjithashtu, Hashima thotë se sa më shumë ngjyra të ketë një veshje apo një bizhuteri, aq më e bukur është, megjithatë, shpesh fustanet shumëngjyrëshe mbulohen sipër me një pelerinë të quajtur abaya. “Ajo mbulon trupin, por edhe flokët, kështu që nuk e ke problem nëse nuk i ke flokët në rregull”, thotë ajo. Megjithëse nuk është me detyrim, shumë gra në Oman mbajnë edhe perçe (ferexhe) që mbulon një pjesë të fytyrës. “Ajo përdoret si shenjë bukurie, pasi supozohet që me të, sytë të duken shumë seksi”, përfundon Hashima.
4. Bukuria sipas brazilianeve
Brazilianet mbahen si gra të bukura, por tani, trupi i dobët është kthyer në fiksim edhe për to. Ilana, një braziliane, thotë: “E kam ndjerë veten shpesh të shëmtuar dhe afërsia me plazhin nuk ndihmon”. Një grua braziliane peshon mesatarisht 55-63 kilogramë dhe presioni për t’u dobësuar i bën njerëzit të marrin masa ekstreme. Brazili është konsumatori më i madh i pilulave për dobësim në botë. Brazilianëve, gjithashtu, u pëlqen të jenë në formë. Luciona, një trajnere personale, thotë se gra të të gjitha moshave po kujdesen seriozisht për trupin e tyre. “Në të kaluarën, vetëm vajzat kujdeseshin kaq për trupin, por kohët e fundit kjo po ndodh edhe me gratë e martuara e me fëmijë”.
Gratë që nuk arrijnë të kenë trup ideal në rrugë natyrale, i drejtohen kirurgjisë plastike, që po përhapet gjithnjë e më shumë. “Brazili ka 3-4 revista të specializuara vetëm për kirurgjinë plastike” thotë ajo, “duke zënë vendin e dytë në botë, pas SHBA-së, për nga numri i ndërhyrjeve”. “Më parë ato bëheshin për të pasur të pasme të bukura, kurse tani, në modë është gjoksi i madh”. Bukurisë i kushtohet kujdes edhe në lagjet më të varfëra. “Megjithëse fitohet shumë pak, në këto vende do të gjeni po aq sallone bukurie sa në pjesët e tjera të qytetit”.
Megjithëse shumë gra braziliane kanë flokë me onde dhe ngjyrë të errët, tani moda është me flokë biondë dhe të drejtë. Në një sallon bukurie takojmë një grua që thotë se shpenzon gati gjysmën e rrogës së saj për trajtime bukurie! Me një presion kaq të madh për të qenë me gjoks të madh, bionde dhe të bukura, nuk është çudi që Ilana mendon se gratë braziliane kanë probleme me vetëvlerësimin. “Gratë braziliane nuk e ndjejnë veten mirë nëse nuk janë të bukura”, thotë ajo dhe shton se “njerëzit nuk e kanë problem të bëjnë komente mbi peshën tënde”.
Brazilianët nuk janë të vetmit që e kanë problem bukurinë. Në një sondazh të bërë nga firma “Dove” në lidhje me imazhin e trupit, 90% e grave në gjithë globin u shprehën se do t’u pëlqente të ndryshonin disa pjesë të pamjes së tyre. Çereku i grave thanë se e mendojnë kirurgjinë plastike si zgjidhje, por vetëm 2% e kishin provuar vërtet atë. Kur u pyetën nëse bukuria kishte të bënte me pamjen e jashtme, 70% e tyre u përgjigjën: “Po”.
5. Bukuria sipas indonezianeve
Irma, një grua indoneziane, thotë se gratë e vendit të saj kanë një zgjidhje për t’u rikthyer në formë pas lindjes. Gratë lidhin fort rreth belit një copë 20 m të gjatë. “Shkakton pak dhimbje, por mendoj se krijon presionin e duhur që mitra dhe barku të kthehen në madhësinë normale”, thotë ajo.
6. Bukuria sipas iranianeve
E dini cili vend është quajtur “Kryeqyteti i botës për ndërhyrjet në hundë”? Jo Brazili, as SHBA, por Irani. Ky vend konservator musliman, është edhe vendi i kontradiktave. Në një vend ku gratë mbulojnë pjesën më të madhe të trupit të tyre, është hapur shumë punë për kirurgët plastikë: Ata kryejnë afro 60 000 ndërhyrje në hundë çdo vit. Ndërkohë që shumë gra i mbajnë të fshehta ndërhyrjet që bëjnë, gratë iraniane nuk e kanë problem të tregojnë për operacionin ne hundë. “Këtu në Iran gratë duhet të mbulojnë flokët dhe pjesët më të bukura të trupit”, thotë Naimeh. “Ato duhet ta tregojnë bukurinë nga një vend që mund të shihet, siç është fytyra”. Pas operacionit, ato i mbajnë fashot e lidhura rrotull hundës sikur të jenë ndonjë medalje nderi. Naimeh thotë se operacioni kushton aq shumë në Iran, sa gratë i shohin fashot si simbol të statusit të tyre. “Një shoqja ime e mbajti fashon lidhur dy vjet pas operacionit, për t’u treguar të gjithëve që kishte rregulluar hundën”. Farmacistët në Iran thonë se ndërhyrjet në hundë janë aq të dëshiruara, sa edhe ata që s’kanë bërë operacion, vënë fasho në hundë.
7. Bukuria sipas afrikaneve
Ndërsa në shumë vende të botës, sa më e dobët të jesh, aq më mirë është, nuk ndodh kështu në Afrikën Perëndimore. Mauritania është një vend ku të qenit e shëndoshë është diçka seksi. Për breza me radhë, vajzat ushqeheshin edhe me zor, në mënyrë që të shëndosheshin dhe kështu, të bëheshin më të dëshirueshme nga burrat. Në Mauritani thonë se, sa më shumë të peshosh, aq më shumë shans ke për të gjetur burrë. Megjithëse ushqimi me forcë është ndaluar tani nga qeveria, zakonet e vjetra vazhdojnë në zonat e largëta të vendit. Disa vajza të reja rrinë me orë të tëra në të nxehtin përvëlues duke u dendur me kuskus dhe qumësht gamileje me shumë yndyrë. Edhe në disa nga qytetet më përparimtare të Mauritanisë, disa gra janë të gatshme të bëjnë gjithçka për t’u shëndoshur, pasi kur je e dobët, mendojnë se ke ndonjë gjë që nuk shkon ose ndonjë sëmundje. Pjesët më të bukura të trupit konsiderohen kyçet e trasha, krahët me tule dhe të pasmet e mëdha. Mos u shqetësoni nëse keni çarje të lëkurës, pasi burrat mauritanezë vdesin për to. Por s‘është vetëm pesha që ju bën të fitoni pikë! I tillë është edhe divorci. Në Mauritani bëhet festë kur divorcohesh dhe sa më shumë divorce të bësh, aq më joshëse je. “Kjo tregon se ka shumë burra që të lakmojnë”, thotë Huda, një mauritaneze.
8. Bukuria sipas francezeve
Nuk është surprizë që për parizienet, sa më e dobët të jesh, aq më seksi dukesh. Qëllimi i shumë parizianeve është të duken shik, por sikur nuk janë kujdesur shumë për këtë. Për francezët, të jesh e bukur, do të thotë të jesh elegante. Francezeve nuk u pëlqen ta pranojnë, por harxhojnë shumë kohë e para për produkte kozmetike për çdo pjesë të trupit. Gjithashtu, atyre u pëlqejnë të brendshmet seksi, që të ndjehen mirë edhe nga brenda. Ato mezi presin të plaken, sepse mosha 60 vjeçare konsiderohet seksi!