Ka ca kohë që po vuaj shumë për diçka që mbase nuk duket ndonjë problem i madh. Kam humbur krejtësisht dëshirën për të folur… Zakonisht, më shumë kam dëgjuar sesa kam folur, por nuk do të thotë që kam qenë kështu siç jam bërë kohët e fundit. Më pëlqente të flisja e të qeshja me ato që thosha kur ia fusja kot ndonjëherë. Po ashtu, shpesh debatoja me njerëz të ndryshëm për tema të ndryshme, por tani po ndryshon gjithçka; ka kohë që ndihem keq dhe sikur nuk kam çfarë të them. Personi me të cilin jam mjaft e afërt, për shumë biseda, më kundërshtonte gjithmonë. Edhe pse e dija që nuk është ashtu si thoshte, mundohesha ta bindja, por kot, derisa një ditë s’e duroja më. Si duket, kjo e rëndoi problemin tim dhe u bëra akoma më keq. Tani edhe me të flas me “po”, “jo” dhe nuk e kundërshtoj më, nuk jap asnjë mendim timin për asgjë. Më duket sikur më kanë humbur fjalët e s’i gjej dot. Edhe kur dua të them diçka, mendoj me vete: “Është njësoj, si e thashë, si jo, s’do t’ia vërë kush veshin fjalës sime”. Dua të dal nga kjo gjendje që po me mundon, që po më vret çdo ditë e më shumë, por nuk di si t’ia bëj. Më jepni ndonjë këshillë ju lutem e dashur psikologe. Si t’ia bëj? Do të doja të flisja edhe budallallëqe, vetëm të ndjeja dëshirën që po thoja diçka.
Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- Përshëndetje e dashur! Nga këto që na ke treguar kam përshtypjen se problemi nuk qëndron vetëm tek të folurit, pra tek artikulimi apo aspekti motorik i tij, apo tek të thënit e gjërave. Gjuha është një pjesë shumë e rëndësishme e komunikimit; ndërkohë që komunikimi vetë është shtylla kurrizore e marrëdhënieve njerëzore. Që do të thotë se, qartazi vështirësia që ti përjeton nuk ka të bëjë në mënyrë të vecantë dhe ekskluzive me të folurit, por me socializimin dhe përfshirjen në marrëdhënie me të tjerët. Për arsyet që ke renditur dhe për të tjera shtesë mbase duket sikur nuk ndihesh mjaftueshëm e motivuar për të biseduar ashtu sic ti do të doje me të tjerët. Ky bllokim mund të jetë i lidhur me mungesën e miratimit apo aprovimit social që ke ndjerë dhe kundërshtimit të shpeshtë që të është bërë. Është e vërtetë që është e vështirë të ndryshojmë disa gjëra tek vetja, të cilat i konstatojmë që nuk shkojnë ashtu sic duhet dhe rruga e duhur shpeshherë është e paqartë. Fillimisht, duhet të kesh të qartë me veten tënde se cili është burimi kryesor i kësaj ndjesie dhe bllokimi. Atë duhet të luftosh. Më tej, përpiqu të flasësh fillimisht me njerëz që i kë shumë të afërt dhe që ndihesh e lirshme. Shprehe këtë pakënaqësi që kë në rast se të ndërpresin, nuk të dëgjojnë apo nuk të lënë hapësira. Kërko ndihmën e njerëzve të afërt lidhur me këtë cështje. Nga ana tjetër, duhet ta ndihmosh veten duke menduar se të gjithë pa përjashtim ka raste dhe caste që jo detyrimisht thonë gjëra të mencura dhe që është mëse normale të gabojmë. Kështuqë nisi bisedat me gjëra të thjeshta dhe tematika që të pëlqejnë. Kryesorja, nuk je ti që je gabim, por bindjet e tua. Të uroj më të mirat dhe festa të gëzuara!