Këngëtaret që i rezistojnë kohës dhe që janë të talentuara, dinë edhe se çfarë të sjellin për publikun e tyre. Mimoza Paraveli, korçarka e bukur e serenatave, duket se dashurinë që ka për vendlindjen e saj nuk ka mundur dot mos ta sjellë në fokus përmes një kënge me titull “Korçës i këndoj” këngë të cilën e ka shoqëruar me një klip të këndshëm të xhiruar gjatë kohës së “Karnavaleve të Korçës”.
Fabjola Kuburi:- Moza, sapo ke sjellë klipin “Korçës i këndoj”, si erdhi kjo këngë?Më trego pak më shumë për realizimin…! Kaq shumë e do Korçën sa i kushton edhe këngë?
Mimoza Paraveli:- Për mua dhe për të gjithë korçaret që janë lindur dhe rritur në qytetin e serenatave te përjetshme, Korça është dashuria e pazëvendësueshme. Lirika pa fund janë shkruar nga poetet si Rajmonda Moisiu, Skënder Rusi e shumë të tjerë, por zbulimi i kësaj kënge ndodhi krejt rastësisht. Sëbashku me kompozitorin Arjan Brahimi shkojmë të takojmë poetin Jorgo Papingji për një tekst dhe aty u surprizuam me këtë këngë që e kishte krijuar një mbrëmje në tavolinë duke kënduar me miqtë e tij serenata në Korçë. E falënderoj përzemërsisht që ma bësoi këngën për ta bërë të njohur për artdashësit. Përsa i përket videoklipit me Maxproduction u desh të prisnim një vit për shkak se në Korçë mbahen “Karnavalet” dhe duke iu përmbajtur tekstit të këngës, nuk mund të lihej pa iu bashkangjitur ajo ngjarje reale qe i jep shumë gjallëri qytetit .
– Je e kënaqur me impaktin që pati kjo këngë?
– Ka disa ditë që është publikuar, por asnjëherë nuk kam pritur që këngët e mija të kenë shumë klikime. Kënaqësinë e kam marrë mbasi e dëgjoj ta këndojnë dhe kjo është nga ato këngë që do mbetet në arkiveën e serenateës, do këndohet në gëzimet familjare ashtu si këndojmë ne korçaret akapela, pa domosdoshmërinë e instrumentave.
– A ka ndonjë përjetim personal në tekstet e këngëve të tua (jo vetem në këtë këngë)?
– Në një bashkëpunim që kam pasur me kompozitorin Gramoz Kozeli në vitin 2015 mora guximin që tekstin e këngës “Me zemër të ndjek” ta bëja vetë, duke hedhur ndjesite.,mendimet,perjetimet e mija.
– Mimoza, ke kaq shumë publik, që të ka shumë për zemër edhe pas kaq vitesh në skenë… Mjaft të përmendim fansat që të bëjnë komente dhe të dedikojnë aq shumë vlersime. Si të bën të ndihesh e gjithë kjo?
– Sinqerisht ndjehem mirënjohëse dhe falëndëruese për çdo vlerësim që marr. Publiku është mbështetja dhe emocioni i çdo artisti. Më shtyjnë për të punuar sa më shumë dhe te jem sa më dinjitoze në publikimet që bëj.
– Ne të gjithë ndryshojmë me kohën… Ti, në çfarë ke ndryshuar për mirë dhe në çfarë, për keq në jetë?
-Ndryshimet vijnë natyrshëm. Duke u rritur mendoj se jam me këmbë në tokë, e vetëdijshme dhe e aftë për të kuptuar çfarë është e mirë dhe çfarë është e dëmshme për jetën time. Nuk paragjykoj askënd. Për keq mendoj se jam bërë shumë tolerante. Fal dhe kur më bëjnë padrejtësi.
– Cila fazë e jetës të duket e largët dhe të bën për të qeshur sot?
– Adoleshenca! Ato vitet në qytetin e Korçës, shkolla, aksionet kur shkonim për mbledhjen e misrit dhe gjatë gjithë rrugës në autobuz të gjithë këndonim, qeshnim lirshëm, batuta pa qejfmbetje, shoqëria e sinqertë dhe që gjeje mbështetje për çdo problem në çdo kohë, epitetet që i vinim njëri-tjetrit, zhurmat që shkaktonim kur mbahej qetësi, lirshmëria në komunikim dhe pa komplekse. Të gjitha bëjnë pjesë në atë fazë të jetës që është e papërsëritshme.
– Cilat janë ato cilësi që mendon se e bëjnë një femër tërheqëse?
– Një femër që është të tillë dhe për të tjerët. Një femër që është e brishtë nga natyra dhe sillet pa u shtirur. Mirësjellja,ta shohësh botën me sytë miqësore,të falësh dashuri dhe përkujdes, natyrshmëria, sinqeriteti, pavarësia, mënyra e komunikimit me qetësi, sensi i humorit e bën një femër tërheqëse. Një grua e veshur me shije, jo varësisht nga tendencat e fundit të modës, kurrë nuk dështon për të qënë tërheqëse.
– Hera e fundit që të është dukur vetja jo e bukur para pasqyrës? Pse?
– Mendoj se njerëzit me vetëbesim të ulët dhe të pasigurt mbështeten vetëm tek pamja e jashtme. Nuk më shqetëson fakti se nuk dukem bukur para pasqyrës. Falënderoj Zotin që kam shëndet të mirë.
– Si ndihesh kur të komplimentojnë?
– Kur dikush vlerëson diçka të bukur dhe të mirë që unë nxjerr në rrjetet sociale, qoftë foto apo këngë, qofte kur më komplimenton në sy e falënderoj sinqerisht.
– Ke ndonjë “pasion” të fshehtë, që publiku nuk e di?
– Më pëlqen shumë puna e dorës. Është një dashuri që ma ka dhënë gjyshja ime, të punoj me grep dhe të qëndis. Dhe pse për arsye kohe më rrallë, por është një pasion që nuk e le asnjëherë. Më jep kënaqësi.
– Çfarë është muzika për ty dhe a mendon se nesër mund ta zëvendësosh me diçka tjetër?
– Profesioni ynë mendoja se e ka një limit dhe peër këtë arsye vazhdova dhe një dege tjetër shkollimi për 5 vjet Fakultetin Juridik, por nuk e kisha pasionin dhe dashurinë që kam për muzikën. Kuptova se muzika për mua është vetë jeta.
– A do të të shohim në ndonjë këngë duet?
– Publikimet e para televizive i kam pasur me kantautorin korcar Mihallaq Andrea. Realizimi i dueteve padyshim është më i suksesshëm, lancohet me shpejt dhe ka audicion më të gjerë, por duke gjetur përshtatjen në vokal dhe këndim. Deri tani nuk e kam menduar..po pse jo? Do ishte bukur .
– Çfarë mund të ndikojë për keq tek artistët?
– Duke imituar të tjerët, duke mos qenë vetvetja bëhen artiste pa identitet. Duhet të ruajnë dhe të nxjerrin në pah vlerat e tyre.
– Cila është oferta më e lartë që të është bërë për të kënduar? Po vendi më i largët?
– Për ofertë mendoj se me çmimet normale që janë në tregun artistik. Për vend është Australia por që nuk e kam prekur për arsye se isha në kontratë pune.
– Si i shikon këngët e tua, si profesionale apo ka gjithmonë më mirë?
– Sigurisht që janë profesionale, por e mira s’ka fund. Artisti asnjëherë nuk është plotësisht i kënaqur nga ajo që bën dhe unë jam kritikja më e madhe e vetes.
– Je natyrë xheloze?
-Jam e kujdesshme, jo xheloze.
– Në punë, ndihesh e rrethuar nga njerëz të mirë apo nga inate, bërryla dhe xhelozi?
– Artistët e vërtetë i tregojneë vlerat kur dalin në skenë. Për ta nuk ekzistojnë xhelozitë. Përkundrazi, respekti dhe mirëkuptimi me njëri -tjetrin sjell dhe mbarëvajtjen e punës. Mendoj se kam qenë me fat që jam gjendur mes njerzëve të mirë, se një fjalë popullore thotë” Një dru i shtrembër e prish gjithë stivën”.
Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 1 euro ne muaj!