Duket se gjithçka po shkon drejt vlerave dhe kjo që po ndodh edhe në muzikë. Këngëtarët, ata që kanë vite në skenë dhe që realisht e duan skenën dhe kanë ndarë jetën me të, po sjellin njeri pas tjetrit edhe koncertet e tyre recitale. Këngëtarja që këtë herë ka si synim një recital dhe që do vihet në jetë vetëm pas dy javëve, është Anxhela Peristeri. Ajo sapo ka sjellë një këngë të re në treg me titull “Shpirti ma di” që shumë shpejt do jetë edhe me klip për ndjekësit e saj. Anxhela na tregon gjithçka si e ftuar në rubrikën tonë “Alfabeti i personazhit”. Lexim të këndshëm!
Fabjola Kuburi:- Anxhela, përshëndetje! Këtë herë do jesh protagonist e rubrikës “Alfabeti i personazhit” dhe meqë edhe ke diçka të madhe për të na treguar por e nis menjëherë me shkronjë e parë të alfabetit, që besoj është edhe arritja jote më e madhe apo jo?
– Padyshim, ke shumë të drejtë kur thua që është arritja ime më e madhe dhe kjo është realizimi i recitalit që do sjell në 15 nëntor 2018 për publikun. Pas një periudhe të gjatë reflektimi artistik më në fund puna dhe mundi i një grupi të madh është shumë afër. Më 15 Nëntor tek Qendra Kulturore, Katedralja Ortodokse ju pres të gjithëve për të ndarë bashkë, momente emocioni dhe dashurie. Është realizimi i një ëndrre të hershme dhe të bukur.
– B për bukurinë… Do të të vinte keq që njerëzit të të etiketonin më shumë si një vajzë e bukur dhe kaq?
– Sigurisht që do të më vinte keq, por për veten, që u kam lënë këtë përshtypje të tjerëve.
– C për cilësinë… Cila është cilësia më e domosdoshme për një këngëtare?
– Talenti. Pastaj vijnë besimi te vetja, guximi dhe shumë cilësi të tjera, por këto s`do të kishin kurrfarë efekti nëse nuk ke dhuntinë për të kënduar. Kjo e fundit është dhuratë nga Perëndia dhe është thelbësore në profesionin tonë, por pastaj duhet shumë punë që të arrish më të mirën e të nxjerrësh sa më në pah atë talent që ke. Bindja dhe siguria në vetvete arrihen pas një punë shumë të gjatë e të lodhshme.
– D për dëshirën… Do t’ia plotësoje vetes edhe ato dëshira që rrezikojnë të lëndojnë njerëzit që ke pranë?
– Jam për atë rregullin: “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”, gjë që vlen edhe për dëshirat. Nuk do të bëja kurrë ato gjëra që lëndojnë njerëzit që dua më shumë. Ky do ishte egoizëm i pastër.
– E për erosin… Atë e gjen ngado, edhe në klipe e kudo në ekrane. Pse ndodh kështu?
– Pamja ime e jashtme është dhuratë e natyrës, e Zotit. Nëse erosi serviret banal dhe bëhet thelbi i një pjese artistike, do isha kundra, por kur erosi i shërben një mesazhi, një ideje artistike dhe realizohet me finesë në një pjesë artistike, duhet vlerësuar.
– F për fobitë… Ke të tilla?
– (Buzëqesh) Kam fobi lartësinë dhe shpejtësinë.
– G për gabimin… Cili është gabimi që nuk do t`ia falje kurrë, askujt?
– Që të më zhgënjenin. Ky është një gabim që nuk ia fal askujt. Nuk e kam fjalën vetëm për një lidhje intime, po për të gjithë ata që më rrethojnë. Askujt s`do t`ia falja nëse do provonin të luanin me besimin tim, duke më thyer zemrën. Më ka ndodhur të zhgënjehem në të shkuarën, por shumë rrallë.
– I për ikanake… Je ndopak e tillë?
– Duke u nisur nga përvojat që kam pasur deri më sot, ajo që më pëlqen më tepër se çdo gjë te vetja është se nuk dorëzohem kollaj përpara vështirësive, nuk u largohem problemeve, por i përballoj ato, madje, më pëlqejnë më tepër ata njerëz që më hapin probleme. (Qesh)
– J… si jashtë… E ke menduar si do të kishte qenë po të kishe lindur jashtë vendit, fjala bie, në Nju Jork?
– Fati është i shkruar, ndoshta që para se ne të dalim në dritën e diellit. Megjithatë, do të kishte një ndryshim shumë të madh, por të bukur. Thjesht, do të isha më e pasur tani. (Qesh) Karta ime e kreditit do të ishte me disa zero më shumë.
– K për koncert…si e imagjinon koncertin e 15 nëntorit?
– Ah, koncerti im recital, është një punë e madhe që vazhdon prej shumë kohësh dhe shpresoj të dalë plot dritë ashtu siç e kemi ideuar apo menduar e punuar prej kohësh, me kompaninë Connext, Spiro Dunin dhe orkestrën e Altin Llakajt. Është një punë kolosale që do finalizohet në një natë madhështore që më shpirt uroj të jetë e mrekullueshme.
Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 1 euro ne muaj!