Zëra si Greta Zani në muzikën popullore shqiptare janë të rrallë dhe arti shqiptar është me fat që ka të tillë mes tij. E duan të gjithë dhe ajo di si të sjellë produksionet e reja e këtë e bën sepse ndihet e kënaqur nga gëzimi i njerëzve kur e dëgjojnë duke kënduar. Ajo ka sjellë një këngë të re të shoqëruar me klip, me titull “Të kam dhe s’të kam”, një gërshetim mes moderns dhe tradicionales me të cilën jemi mësuar të dëgjojmë këngët e Gretës. Një zë brilant si Greta, vjen sot në një intervistë në rubrikën tonë “Alfabeti i personazhit” rubrikë që dashur padashur zbulon edhe skajet më të pazbuluara të personazheve tanë.
Fabjola Kuburi:- Greta ta nisim me A, si arritje, cilen konsideron arritjen tënde më të madhe?
Greta Zani:- Arritja imë më e madhe janë fëmijët e mi. Zoti më do, dhe si shenjë të dashurisë së tij, më fali dy fëmijë. Fatkeqësisht, jo gjithkush ka fatin ta provojë këtë ndjenjë.
– B si besimi, është e lehtë të fitosh besimin tënd?
– Besimin tim është lehtë ta fitosh, sepse unë vetë besoj shumë tek njerëzit dhe nuk jam krenare për këtë gjë, se shpeshherë jam zhgënjyer.
– D si Dashuria…e lumtur nga dashuria që të rrethon?
– “E lumtur” ashtu siç e shoh unë, kjo fjalë është shumë larg për t’u arritur, por kënaqem e gëzohem me njerëzit që vërtet e di që më duan e i dua dhe ata janë shumë të pakët rreth meje.
– E si enigmatike, mundohesh ti mbash gjërat për vete apo je e hapur ndaj situatave?
– Mundohem t’i mbaj gjërat për vete. Rrallëherë jam e hapur ndaj situatave, qofshin mirë apo keq.
– F si familja… A është ajo shtylla jote mbështetëse?
– Shtylla ime mbështetëse, në rradhë të parë, është Zoti. Prej tij jemi krijuar, tek Ai do të shkojmë. Pas Tij vjen çdo gjë tjetër. Sigurisht, familja ka qenë mbështetësja më e madhe në jetën time, në çdo aspekt të saj.
– G si gëzimi… Cili ka qenë gëzimi më i madh që u ke falur njerezve qe te duan?
– Unë jam tip që marr tepër kënaqësi, edhe kur bëj dhurata materiale. Kënaqem nga gëzimi që ndjen personi përballë. Gëzimi im është thjesht t’i shoh njerëzit e mi të kënaqur nga unë.
– I si instikt… E ndjen kur dicka do ecë mbarë apo kur dikush mundohet të bëjë hile?
– Jam shumë instiktive, por sillem ndonjëherë sikur nuk kuptoj, për të vetmen arsye që njerëzit t’i bëjnë pyetjen vetes “Mos ndoshta kam gabuar karshi Gretës?”. Për ndonjë situatë të caktuar, them. Ndërsa për të më ecur mbarë, them se ka dhe më keq, por sigurisht edhe më mirë! Mua më pëlqen mesatarja, e mesmja e artë.
-J si Jeta… Çfarë do të doje të mos mungonte kurrë në jetën tënde dhe çfarë do të doje të mos e provoje kurrë në jetë?
– Nuk do të doja të mungonte respekti dhe të mos provoja mosmirënjohjen.
– K si këngë…më trego pak cilat këngë janë ajka e muzikës tënde? Më fol pak për këngën tënde më të fundit?
– Ajka e shpirtit tim është muzika klasike, që do mbetet një ëndërr në sirtar. Por sigurisht, këngët tona popullore, për të cilat dhe shquhem që i këndoj, nuk i lë pas dore kurrë. Kënga ime e fundit është pak stil i kombinuar, le të themi. Thashë t’i përshtatem pak tregut, por dhe të jem brenda kornizave. Me një tekst të përkryer nga Vojsava Aliaj, që është po ashtu dhe një këngëtare me vlera, dhe muzikë e orkestrim nga Vani Rushiti, që i falenderoj shumë, dhe video D’Art Channel, hodhëm në treg këtë këngë, “Të Kam dhe S’të Kam”, dhe besoj që është pritur mirë deri tani. Jam e kënaqur!
– M si muzika… E ke nisur rrugën e muzikës që e vogël dhe e di që do të më thuash se muzika është vetë jeta jote… E kam gabim?
– Këtu e ke gabim (qesh). Muzikën e kam nisur kur kam mbaruar gjimnazin. Që e vogël, muzika nuk ka qenë prioriteti im. Por kur mbarova gjimnazin, me nxitjen e familjes, fillova të marr pjesë në disa mini-konkurse në shfaqje televizive dhe ja ku jam sot.
– Të zë ndonjëherë frika se ndoshta keni investuar jo aty ku duhet?
– Kam investuar disa herë jo aty ku duhet, por njeriu ka uljet dhe ngritjet e veta. E rëndësishme është të mos prekësh fundin, se atëherë thjesht lodhja nuk të lë të ngrihesh të provosh diçka.
– S si suksesi…kë do konsideroje suksesin tënd më të madh?
– Suksesi im më i madh është të jetuarit jetën pa smirë e pa inate. Të pasurit shpirtin e pastër – nuk mendoj asnjëherë t’i bëj keq dikujt, edhe atyre që më kanë lënduar vërtet. Zoti është i madh. Ai di si t’i drejtojë gjërat. Jam e kënaqur këtu ku jam dhe me këto që kam.
– N si negative, si e largon negativitetin nga ata që të rrethojnë?
– Thjesht nuk rri me njerëz me të cilët nuk ndihem mirë. Negativitetin mundohem ta mbaj jashtë derës së shtëpisë, por ndonjëherë hyn ai dreq dhe brenda (qesh).
– P si parfumi… Cili parfum të merr mendjen sa herë që del për shooping?
– “Versace Crystal Noir” nuk do ta ndërroja kurrë.
-Z si Zani…mban një mbiemër që ka histori suksesesh…je e lumtur per mbiemrin qe mban?
– Po, jam. Mbiemri im është i barazvlefshëm me atë çka unë jam. “Zani”, dmth zëri, e justifikon më së miri mbiemrin që mbaj.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox